E Diel, 1 Nëntor 2026

Takim SPECIAListësh

Jose Mourinho kthehet në Stamford Bridge të martën mbrëma, në kërkim të kualifikimit për në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Nerazzurrët kanë epërsi 2-1 nga ndeshja e parë para vizitës në Londër te klubi të cilin Mourinho e udhëhoqi drejt dy titujve në Premierligë.

Po ashtu, të martën, Sevilla do të kërkojë kualifikimin e parë për në çerekfinale të garës si nikoqir i CSKA Moskës, pas barazimit 1-1 në Rusi. Klubet që tashmë kanë siguruar kalimin në mesin e tetë ekipeve më të mira të kontinentit janë: Arsenal, Manchester United, Bayern Munich dhe Olympique Lyon.

Chelsea do të synojë t’i bashkohet dyshes angleze në kërkim të kurorës evropiane dhe janë përgatitur në mënyrën më të mirë për Interin me fitoren 4-1 ndaj West Hamit. Chelsea duhet të shënojë. Rezultati 1-0 i mjafton për t’u kualifikuar, por menaxheri Carlo Ancelotti nuk e ka problem kohën e shënimit të golit.

“Duhet të luajmë mirë, mund të shënojmë edhe në minutën e fundit. Do të jetë vështirë, por mund ta kthejmë rezultatin”, tha Ancelotti. Portieri i tretë, Ross Turnbull pritet të paraqitet për Chelsean, pasi Peter Cech dhe Hilario janë të lënduar.

Qendërmbrojtësi Ricardo Carvalho është kthyer nga lëndimi, ndërsa mbrojtësit Ashley Cole, Jose Bosingwa dhe mesfushori Michael Essien mungojnë.

Mourinho ka pranuar se ndeshja do të jetë emocionale për të, pasi Chelsea është pjesë e rëndësishme e jetës së tij, edhe pse do të jetë plotësisht i përqendruar në takim.

“Futbollistët janë në fushë, unë luaj jashtë saj. Ata janë më të rëndësishëm se unë sepse ndeshjet fitohen në fushë e jo në bankinë. Por, të gjithë e dinë që Mourinho nuk humb në Stamford Bridge. Rekordi im është i pamposhtur. Ne ishim shumë të fortë për një kohë aq të gjatë”, tha ai.

Mesfushori holandez Wesley Sneijder është ftohur, por pritet të paraqitet, ndërsa mungojnë mesfushori Thiago Motta dhe sulmuesit Mario Balotelli e Marko Arnautovic. Diego Milito dhe Samuel Et’o do ta udhëheqin sulmin e Interit.

Në ndeshjen tjetër, Sevilla do të shpresojë që historia të mos përsëritet kundër CSKA, pasi paraqitja e tyre e parë në fazën e dytë të garës më 2007 përfundoi në humbje pas penalltive nga Fenerbahce.

“Ishte e dhimbshme, por kësaj radhe duam të kalojmë pa probleme”, tha sulmuesi brazilian Luis Fabiano, i cili është rikthyet nga lëndimi. Sevilla - që fitoi Kupën UEFA më 2006 dhe 2007 – kurrë nuk është kualifikuar për në çerekfinale.

Faza eliminatore:

Chelsea-Inter 20:45
Sevilla-CSKA 20:45

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›