E Hënë, 2 Nëntor 2026

Takimet për “vetëpastrimin” e bashkive – Rama ndalet në Fier, kërkohet dorëheqja e drejtorëve aktualë

Kryeministri Edi Rama është ndalur pasditen e sotme (8 korrik) në një takim në Bashkinë e Fierit, i shoqëruar nga kryebashkiaku Armando Subashi, zv.kryeministrja Belinda Balluku, njëkohësisht drejtuese politike e qarkut, si dhe ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku.

Pjesë e takimit mësohet se ishin edhe të gjithë drejtorët e Bashkisë së Fierit, ndërsa me të mbaruar kreu i qeverisë dhe ministrat e tij u drejtuan për në Durrës.

Gazetarja e RTSH-së, Laureta Roshi, raportoi se të gjithë drejtuesit e departamenteve janë këshilluar të japin dorëheqjen, jo vetëm ata në nivel bashkie, por edhe të institucioneve rajonale të Fierit. Burimet bëjnë me dije se shkarkimet e zyrtarëve më pas do të vlerësohen në bazë të performancës së tyre në punë. Gjithashtu mësohet se kryeministri Rama ka folur ashpër për zaptimin e hapësirave publike, për pastërtinë e qytetit dhe për qasjen e përgjithshme ndaj qytetarëve.

Në një komunikim në rrjetet sociale më herët gjatë ditës së sotme, Rama tha se një vetëpastrim si në Bashkinë e Vlorës nevojitet edhe në Fier, dhe në Durrës, duke iu referuar dorëheqjes së dhjetëra drejtuesve të departamenteve të ndryshme të Bashkisë bregdetare pak ditë më parë. Sipas tij, kjo do të ishte në të mirë të strukturës aktuale, për ta rinovuar atë me elementë dhe energji të reja.

Në takimin fillestar të zhvilluar në Bashkinë e Vlorës më 3 korrik, Rama shprehu rezerva për menaxhimin e qytetit, duke kërkuar ristrukturim total të këtij institucioni, në të gjitha drejtoritë. Takimi u pasua nga dorëheqjet e 21 drejtuesve të drejtorive me varësi nga qendra.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›