Takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel, Rama: Pëlqimi i palëve për marrëveshjen, moment historik! Bashkëpunimi, çelësi për të ardhmen

Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur takimin e nivelit të lartë në Bruksel të hënën (27 shkurt), për arritjen e një marrëveshje drejt normalizimit të marrdhënieve Kosovë-Serbi. Në një postim në Twitter, Rama e ka konsideruar “moment historik” pëlqimin e të dyja palëve për planin franko-gjerman, teksa shtoi se, sipas tij, paqja dhe bashkëpunimi janë çelësi për të ardhmen.
“Paqja dhe bashkëpunimi janë çelësi për të ardhmen që u detyrohemi fëmijëve tanë në këtë rajon të shkatërruar prej shekujsh nga mungesa e paqes dhe bashkëpunimit. E mirëpres pëlqimin e dy palëve për Marrëveshjen për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky është një moment historik i rëndësishëm për paqen rajonale dhe unë inkurajoj fuqimisht të gjitha palët e përfshira që të vazhdojnë të punojnë për një zbatim të shpejtë. Për paqen dhe bashkëpunimin, Shqipëria është dhe do të mbetet një një model roli. Ne mbështesim plotësisht çdo përpjekje për të kapërcyer të kaluarën”, u shpreh Rama.
Po ashtu, kreu i qeverisë shqiptare shtoi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë gjënë e duhur me dakordësimin për planin-franko gjerman, teksa shton se shpreson që askush të mos e akuzojë atë për “tradhti apo harresë”.
“Uroj që askush të mos e akuzojë Albin Kurtin për tradhëti apo harresë, por gjithkush të kuptojë se kryeministri i sotëm i Kosovës ka bërë gjënë e duhur, duke hedhur një hap të parë me shumë rëndësi drejt daljes nga kurthi i të djeshmes. Hapa të tjerë pasofshin pa humbur kohë!”, thekson Rama.
Të hënën (27 shkurt) u zhvillua një takim i nivelit të lartë për normalizmin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE, diskutime që zgjatën mbi 5 orë. Pavarësisht progresit të arritur, sërish palët nuk arritën në një marrëveshje përfundimtare.
Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, gjatë konferencës për shtyp pas takimit me Vuçiç e Kurtin, tha se palët u zotuan që të zbatohet ajo çfarë është nënshkruar në Bruksel dhe se nuk nevojiten diskutime tjera sa i përket propozimit të BE-së për planin franko-gjerman.
/rtsh.al/