Takimi i parë i Bashës me qytetarët, i montuar si takimet elektorale
Lulzim Basha edhe pse është ulur në karrigen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës vazhdon të funksionojë si në fushatën elektorale, ku çdo ditë bënte takime me qytetarë, që kryesisht ishin figurantë që përdoreshin nga ekipi i fushatës për tia shpërndarë më pas mediave kasetat filmike. Ai shpalli dje pasdite ditën e parë të takimit me qytetarët si një nga premtimet e bëra në fushatë që do të jetë afër halleve të njerëzve, por në zyrën e tij vajtën militantët e PD-së për përgatitur më parë nga Flamur Noka, njeriu që merret me këto organizime në selinë blu. Të gjithë qytetarët që takuan dje pasdite Bashën në zyrën që për 11 vjet ka qenë e Edi Ramës, ishin njerëz të PD-së, që në vend që të ngrinin ndonjë hall apo problem si qytetarë të Tiranës, uronin e përgëzonin Lulzim Bashën si kryebashkiak të ri. Skenari i fushatës funksionoi edhe në këto takime. Një fjalim i mbajtur posaçërisht nga Basha për të gjithë ata që kanë vajtur dje në zyrën e tij e ka bërë të duket dhe më elektoral këtë takim që duhej të ishte në fakt një zgjidhje hallesh. Ai ka mbajtur pranë vetes dhe dy nënkryetarët, Edmond Panaritin e LSI-së dhe Jorida Tabakun. Nuk dihet se si Basha do të vazhdojë me skenarë të tillë takimesh me qytetarët gjatë gjithë kohës, pasi ka premtuar të paktën një ditë në javë të jetë në dispozicion të tyre. Në portalin e Bashkisë së Tiranës, e cila vazhdonte të kishte pamjen që i ka lënë stafi i vjetër i Ramës dhe arkivën e lajmeve për ish-kryetarin, stafi i Bashës njoftonte me bujë të madhe këtë takim të Bashës, një takim që ashtu siç pritej ishte një takim elektoral dhe aspak në dobi të qytetarëve. Bashkia u përket të gjithëve dhe ne do të punojmë për interesat e qytetarëve, pavarësisht përkatësive të tyre politike, - është shprehur Kryebashkiaku Basha. Dyert e Bashkisë do të jenë të hapura, për çdo qytetar të Tiranës të mërkurën në mbrëmje. Siç e ka theksuar edhe gjatë fushatës, por edhe ditën e betimit, z.Basha siguron edhe një herë, se qytetarët janë të parët dhe Bashkia është në shërbim të tyre. Vizitorët e Bashkisë do të kenë mundësinë të takohen me Kryebashkiakun Basha, në zyrën e tij. Bashkia nuk do të jetë më vend i betejave politike. Të vetmet beteja të Bashkisë, do të jenë interesat dhe shqetësimet e qytetarëve të Tiranës, thuhej në njoftimin e hedhur në web-in e bashkisë.