Takimi me Dodën dhe Mediun, Balla: I frytshëm, do na çojë te zgjedhja e një Presidenti konsensual

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla së bashku me dy kolegët Damian Gjiknuri dhe Elisa Spiropali janë takuar me dy nga kryetarët e grupeve parlamentare opozitare Mesila Dodën dhe Fatmir Mediun. Takimi, siç bën me dije Taulant Balla në një prononcim për media, ishte mjaft i frytshëm dhe se sot, theksoi ai, është bërë e mundur vendosja në shina e një procesi që do i çojë në zgjedhjen e një Presidenti konsunsual.
Më tej, Balla i bëri thirrje kryetarit të grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj që të ulet edhe ai në tryezën e bisedimeve. Mazhoranca nuk do të shkojë të hënën më datë 16 maj, me një emër të sajin në votimin e raundit të parë, pasi sipas Ballës, kjo do të ishte si të vrisje procesin e bisedimeve me opozitën.
“Bashkë me kolegët Gjiknuri dhe Spiropali kemi zhvilluar një raund të dytë takimesh me dy nga 3 grupe parlamentare të opozitës. PS e ka dëshmuar disponibilitetin për të kaluar në diskutime konkrete me emra për kandidatët për President. Me të dy kryetarët e grupeve që kemi biseduar, ka pasur një gatishmëri për të hedhur në tavolinën e bisedimeve emra konkretë. Z. Mediu na informoi për një qasje për të ardhur me 1 emër ose disa emra nga ana e opozitës. Shpresoj se nga ana e grupit opozitar të PD të ketë vendimarrje për të ardhur në tryezën e bisedimeve. Në rast se deri tani kishim mundësi që afatet ti shtynim, tani nuk kemi më asnjë mundësi. Me të mbaruar raundi i parë, do thërritet raundi i dytë. Do mblidhet sërish Konferenca e Kryetarëve për ta thërritur.
Por mos harroni se afati i fundit i raundit të dytë është data 23 maj. Janë disa biseda shumë të frytshme, sot më në fund kemi arritur të vendosim shina të një procesi që do na çojë te një president sa më konsenusual. Ne nuk duam ta vrasim procesin. Kemi rënë dakord të ulemi përsëri, në orët në vijim që të flasim për emrin.”, tha Balla.
/rtsh.al/