E Hënë, 2 Nëntor 2026

Takimi me Putin në Alaskë, Trump: 25% shanse që të mos jetë i suksesshëm

Presidenti amerikan Donald Trump përdori probabilitetin për takimin e tij me Vladimir Putinin të premten në Alaskë teksa pranoi se ekziston një “shans prej 25% që ky takim të mos jetë i suksesshëm”. Në një intervistë për Fox News, presidenti amerikan përsëriti se takimi i tij me presidentin rus mund të çojë në një takim të dytë në të cilin ai ka lënë të kuptohet se do të marrë pjesë edhe udhëheqësi ukrainas Volodymyr Zelensky.

Ai shtoi se beson se do të arrijë një marrëveshje me Vladimir Putinin për Ukrainën dhe se kërcënimet me sanksione kundër Rusisë ka të ngjarë të luajnë një rol.

Duke iu referuar më pas territoreve ukrainase dhe ruse, Trump thotë se duhet të ketë një “shkëmbim” midis Kievit dhe Moskës.

Trump tha se ai ka tre vende në mendje për një takim të mundshëm trepalësh të tij me Putinin dhe presidentin ukrainas Zelensky.

Nga ana e tij, Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio tha se Trump do të fillojë bisedimet me Putinin, duke shpresuar të arrijë një armëpushim, por një zgjidhje gjithëpërfshirëse për luftën do të zgjasë më shumë.

“Për të arritur paqen, mendoj se ne të gjithë e kuptojmë se duhet të ketë disa diskutime rreth garancive të sigurisë. Duhet të ketë disa diskutime për mosmarrëveshjet dhe pretendimet territoriale dhe për çfarë po luftojnë”, tha Rubio.

“E gjithë kjo do të jetë pjesë e një diskutimi të përgjithshëm. Por unë mendoj se shpresa e presidentit është të arrijë një lloj ndërprerjeje të luftimeve në mënyrë që këto bisedime të mund të zhvillohen”, shtoi ai.

Kremlini: Çdo parashikim është gabim i madh

Nga ana tjetër, Kremlini paralajmëroi se do të ishte një gabim i madh të parashikohej rezultati i samitit midis presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se nuk ka plane për të nënshkruar ndonjë dokument pas samitit në qytetin e Alaskës të Anchorage.

Presidenti rus tha më herët se qeveria amerikane po bënte “përpjekje të sinqerta” për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë dhe la të kuptohet se Moska dhe Uashingtoni mund të arrijnë një marrëveshje për kontrollin e armëve bërthamore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›