E Premte, 6 Nëntor 2026

Takimi në Greqi, Rama: Valle kuqezi, moment i jashtëzakonshëm shqiptarie

TIRANË, 16 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se takimi me shqiptarët e diasporës në Greqi, do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e tij si një moment i jashtëzakonshëm shqiptarie, ndërsa shprehu besimin se shërbeu edhe si një moment psikologjik kthese edhe në raportin e botës shqiptare me Evropën, jo vetëm Greqinë.

Nga Mali i Zi, ku mori pjesë në samitin BE-Ballkani Perëndimor, kryeministri Rama foli për ndjesitë që mori nga takimi me shqiptarët në Athinë.

“E vetmja gjë që më vjen keq është gjithë përpjekja absurde për ta projektuar në sytë e atyre që duan të besojnë çdo lloj marrëzie, por jo të vërtetën për arsye politike, atë valle kuq e zi do të thosha, në zemër të Athinës, si një takim të bërë me autobus të administratës dhe më vjen keq sepse fyhet, lëndohet dinjiteti, lëndohet sedra dhe zemra e të gjithë atyre që kishin ardhur atje dhe që ishin jo vetëm njerëz shqiptarë që mund të kishin një lidhje simpatie politike me forcën që qeveris, por edhe njerëz që as nuk na kanë votuar ndonjëherë, madje që ishin të njohur si njerëz që i përkisnin palëve të tjera politike dhe erdhën të gjithë aty si shqiptarë siç ishte krejt e natyrshme dhe krejt e kuptueshme që të vinin për të gjitha arsyet që dihen dhe që lidhen me historinë e shqiptarëve të Greqisë”, u shpreh kryeministri.

Në këtë aspekt, tha ai, është e vetmja gjë për të cilën më vjen keq. Ndërsa për të gjitha gjërat e tjera, vuri në dukje Rama, ai takim do të mbetet përgjithmonë në kujtesën time si një moment i jashtëzakonshëm shqiptarie dhe besoj që është dhe një moment psikologjik kthese në shumë aspekte, jo vetëm në raportin e shqiptarëve të Greqisë me Greqinë edhe në raportin e Shqipërisë me Greqinë, por dhe në raportin e botës shqiptare me Europën.

Ndërsa i pyetur nëse parashikohet së afërmi në agjendën e tij ndonjë takim me kryeministrin e Greqisë për të adresuar problematikat e shqiptarëve në Greqi, Rama tha se historinë e shqiptarëve në Greqi është shumë e vështirë ta inkuadrosh në tablonë e jetës dhe të bashkëjetesës qytetare në Bashkimin Europian të atyre viteve. Por nga ana tjetër, theksoi Rama, duhet të jemi po kaq realistë që shqiptarët e Greqisë kanë bërë përparime të jashtëzakonshme.

“Duhet të jemi realistë që historia e shqiptarëve të Greqisë është një histori shumë e rëndë që është shumë e vështirë ta inkuadrosh dot në tablonë e jetës dhe të bashkëjetesës qytetare në Bashkimin Europian të atyre viteve. Por nga ana tjetër, duhet të jemi po kaq realistë që shqiptarët e Greqisë kanë bërë përparime të jashtëzakonshme. Dhe patjetër ka probleme me lejet e qëndrimit, por nuk ka probleme për të gjithë shqiptarët. Një pjesë e konsiderueshme e tyre votojnë në Greqi, pra, nuk janë njerëz që triumfin e tyre e kanë vetëm një triumf të natyrës së pavarësisë ekonomike dhe të një ekonomie shumë më të mirë se ajo që kishin kur u nisën, që ishte zero, por edhe në avancimin e të drejtave të tyre”, deklaroi kryeministri.

Nga ana tjetër, Rama shprehu bindjen se do të shihen së shpejti zhvillime të reja pozitive edhe në drejtimin e rezidencës permanente, pra të lejes së qëndrimit të përhershëm të atyre që ende nuk e kanë këtë, edhe në drejtimin e marrjes së shtetësisë me të drejtë natyrale, edhe në drejtime të tjera.

“Unë jam shumë besimplotë që edhe çështjet e mbetura mes nesh do të jenë në tavolinë, jo për të mbetur përsëri për 84, larg qoftë, ose për 77 vite apo për nuk e di, dhjetëra vite, por për t’u zgjidhur dhe për t’u hequr përgjithmonë nga tavolina”, tha ai.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›