E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi për drejtësinë, PD: Vizion i mbrapshtë anti-refomë

Deputetët demokratë në Komisionin e Ligjeve kanë reaguar sot në lidhje me tryezën e organizuar nga PS-ja për reformën në drejtësi duke e cilësuar atë si një vizion të mbrapshtë anti-reformë të kreut të PS-së Edi Rama.
 

Në një deklaratë për shtyp deputetët demokratë në Komisionin e Ligjeve theksojnë se ky takim do të kishte qenë një event me të vërtetë shpresëdhënës, nëse stari i eventit, lideri i PS-së zoti Rama do u kishte kërkuar ndjesë publike shqiptarëve për bllokimin mbi tre vjeçar që i ka bërë çdo nisme reformuese në fushën e drejtësisë.
 

“Në fakt zoti Rama kishte përgatitur një veprimtari propagandistike, me të cilën qartazi synon të pengojë edhe më tej procesin e reformave dhe të angazhimeve intergruese të Shqipërisë. Dallimi i vetëm është se këtë herë bllokimin po kërkon ta realizojë nëpërmjet veglave të verbëra të Partisë Socialiste në gjirin e drejtësisë. Jo më kot ndërhyrjet më të zeshme iu lanë në dorë një gjyqtari të Gjykatës së Lartë, zotit Ardian Dvorani dhe një prokurori të Prokurorisë së Përgjithshme, zotit Shkelqim Hajdari. Të dy përfaqësuesit e drejtësisë merrnin pjesë në këtë veprimtari partiake (mesa duket me urdhër të Shefit), në kundërshtim flagrant me statusin, detyrën dhe funksionin e tyre shtetëror” thuhet në deklaratë.
 

Sipas deputetëve demokratë kreut të PS-së Rama i intereson më fort keqpërdorimi i njerëzve të vet brenda drejtësisë, sesa respektimi qoftë dhe formalisht i pavarësisë së organeve të drejtësisë ndërsa shtojnë se me këtë tryezë Rama ka dashur tu tregojë shqiptarëve se për të drejtësi e mirë, prokurori e mirë apo gjyqësor i mirë janë vetëm drejtësia, prokuroria apo gjyqësori i ushtarëve dhe vasaleve kamikaze.
 

“Deputetët demokratë të komisionit të ligjeve janë të sigurtë se rruga e reformës është e papajtueshme me shfaqe të tilla të nënshtrimit grotesk të përfaqësuesve apo organeve të drejtësisë. Reforma bëhet me përkushtim, idealizëm e vetmohim. Reforma bëhet në Kuvend, atje ku zoti Rama nuk është prezent. Atje në presim kolegët tanë socialistë që me të njëjtin shpirt si ne të japin mendimin, kontributin, vizionin dhe votën e tyre në të mirë të vendit dhe të integrimit” përfundojnë deklaratën e tyre deputetët demokratë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›