Takohen luftëtarët

Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj shumë shpejt mund të hapin një kapitull të ri në raportet mes tyre, nëse lideri i AAK-së do të reagojë pozitivisht ndaj një ftese për takim që pritet të arrijë në adresë të tij gjatë javës nga kryeministri i vendit. Varësisht nga ky reagim i Haradinajt, i cili ka nisur kritikat ndaj qeverisë menjëherë pas kthimit nga Haga, pritet të marrin zhvillim të ri edhe raportet mes tij dhe kryeministrit Thaçi. Për dy liderët, viteve të pasluftës ishin ndërtuar histori të ndryshme, të cilat shpeshherë flisnin për një raport mosdurimi dhe gati hasmërie. Marrëdhëniet mes tyre kishin përjetuar edhe një ftohje, sidomos pasi AAK-ja bashkë me LDK-në vendosën të ndërtojnë bashkë qeverinë e dytë në Kosovën e pasluftës, duke lënë jashtë këtij kombinimi PDK-në e Thaçit. Kritikat për korrupsion që vinin nga PDK-ja, atëherë partia më e madhe opozitare, si dhe kualifikimet me terma si “parapolitika”, kishin nxehur edhe më shumë raportet mes partisë së Thaçit dhe Haradinajt. Pozicionet e dy liderëve kanë ndryshuar, por jo edhe përfoljet për raportet mes tyre. Sidoqoftë, kryeministri Thaçi ka vendosur që ditët të ardhshme ta ftojë Haradinajn për takim. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka deklaruar se kryeministri “do ta luajë rolin unifikues dhe stabilizues të skenës politike në Kosovë dhe në këtë drejtim do t'i thellojë raportet edhe me opozitën, përfshirë edhe z. Haradinaj”. Ai ka lënë të kuptohet se Thaçi përveç Haradinajt, do të takojë edhe liderë tjerë. Sidoqoftë, Kuçi nuk ka mundur të specifikojë se kur do t’i bëhet ftesa Haradinajt. “Kryeministri do ta marrë iniciativën shumë shpejt edhe në këtë drejtim. Që nga dita e nesërme, besoj se kryeministri do të jetë konkret për hapat që do të marrë në këtë drejtim për këtë çështje. Ai do të marrë hapa që do t’ia ruajnë dinjitetin secilit dhe do ta ruajë edhe unitetin politik”, ka thënë ai. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të dielën me pak gjasa, ka qenë e hutuar nga hapi i Thaçit, duke mos pasur ndonjë përgjigje. Zyrtarë të AAK-së kanë sugjeruar që për këtë të kontaktohet nënkryetari Ahmet Isufi. Gazeta “Express” në Prishtinë, raportoi se ka provuar të kontaktojë pothuaj me të gjithë njerëzit kryesorë në këtë parti, për të mësuar nëse Haradinaj do t'i përgjigjet ftesës së Thaçit, mirëpo shumica prej tyre nuk kanë hapur telefonat, ndërsa disa të tjerë nuk kanë mundur të thonë asgjë për këtë iniciativë të Thaçit. Anëtari i kryesisë së AAK-së, Ardian Gjini, i ka thënë gazetës se për këtë duhen pyetur Haradinaj dhe Thaçi. “Mendoj se duhet pyetur z. Haradinaj dhe z. Thaçi, se në çfarë mënyre është kjo ftesë për çfarë... Me siguri që njerëzit duhet të bashkëpunojnë për të shkuar më tutje. Mirëpo unë nuk kam kurrfarë informacioni për këtë që po pyesni”, ka thënë ai. Gjini nuk ka dashur të flasë për rivalitetin mes dy liderëve. Sidoqoftë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka deklaruar se raportet mes Thaçit dhe Haradinajt janë normale për pozitën dhe opozitën. “Nuk ka diçka jashtë kësaj dhe çdokush që është në opozitë, mund të jetë paksa i hidhëruar”, ka thënë ai. As analistët nuk shohin ndonjë hasmëri mes dy liderëve rivalë. Ramush Tahiri konsideron se raportet mes Thaçit dhe Haradinajt janë të mira dhe se Haradinaj do t’i përgjigjet ftesës së kryeministrit. “Nuk ka arsye që të mos i përgjigjet. Haradinaj është lider partie, ndërsa Thaçi është kryeministër i Kosovës, dhe në këtë bazë ky është bashkëpunim i partisë me shtetin”, ka thënë Tahiri. Pa marrë parasysh akuzat që kanë ndodhur mes këtyre dy partive, Tahiri thotë se raportet e Thaçit dhe Haradinajt kanë qenë si të liderëve të tjerë: herë të mira, herë të ftohura. Mirëpo Tahiri mohon që mes këtyre të dyve të ketë diçka personale. “Nuk besoj se kanë raporte personale të këqija, pasi që i njoh të dy, me të cilët edhe kam bashkëpunuar. Raportet personale nuk duhet të ndikojnë në politikë”, ka thënë ai. Asnjëri prej liderëve nuk kishte dalë të priste Haradinajn në ditën kur është kthyer në Kosovë, pas lirimit nga Haga. Tahiri thotë se kjo nuk paraqet ndonjë problem mes Thaçit dhe Haradinajt. Analisti Tahiri thotë madje, se disa segmente të këtyre dy partive janë në bashkëpunim të përhershëm. “Nuk është me rëndësi kush e merr iniciativën, pasi kemi pasur edhe më herët rastin kur lideri i opozitës ka qenë në shtëpinë e Haradinajt”, ka thënë Tahiri. Sipas tij, një takim mes Thaçit dhe Haradinajt dhe liderëve tjerë do të ishte në të mirën e vendit. Vetë Haradinaj të shtunën ka bërë disa deklarata më të buta ndaj institucioneve. Mirëpo ai ka theksuar se do të jetë kritik i fortë, nëse ato devijojnë nga misioni me të cilin i ka ngarkuar populli.