E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia Nargis

Mbi 15 mijë viktima nga cikloni në jug të Mianmarit. Zemërimi i stuhisë përmbysi fshatra të tërë, duke lënë pas një valë shkatërrimesh e mijëra të vdekur

Ka arritur shifra të jashtëzakonshme bilanci i viktimave të ciklonit Nargis, i cili goditi këtë fundjavë jugun e Mianmarit (ish-Birmania). “Zemërimi” i stuhisë përmbysi fshatra të tërë, duke lënë pas një valë shkatërrimesh e mijëra të vdekur. Sipas disa prej agjencive ndërkombëtare të lajmeve, janë mbi 15 mijë viktimat e mijëra të tjerë ende të humbur, gjë që mund të rrisë numrin e të vdekurve. Në fakt, autoritetet japin shifra të ndryshme nga agjencitë, dhe sipas analistëve, do të duhen disa ditë për marrë vesh numrin e vërtetë të viktimave.

Ministri i Jashtëm i Mianmarit, Najan Win, tha se në dhjetëra zona të vendit është shpallur gjendja e emergjencës dhe disa rajonë jugorë janë shpallur zona të tragjedisë. Cikloni i ardhur nga Gjiri i Bengalës, i klasifikuar në kategorinë e tretë, goditi veçanërisht fuqishëm rajonin e deltës së lumit Irrawaddy, ku u dëmtuan gati 50 për qind e ndërtesave. Ranguni, qyteti më i madh në vend, ka mbetur pa ujë dhe energji elektrike, ku rrugët janë mbushur nga mbeturinat që sollën përmbytjet, dhe pemët e rrëzuara nga cikloni. Stuhia goditi fort jugun e Birmanisë, me erëra të dhunshme deri në 240 km në orë. “Nuk kam parë kurrë një gjë të tillë”, tha një përfaqësues i qeverisë për “Rojters”, duke e krahasuar ciklonin me uraganin Katrina, që goditi dy vjet më parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Korrespondentët e agjencisë thanë se do të kalojnë ditë, përpara se të merret vesh se sa i madh ka qenë dëmi i shkaktuar. Një zëdhënës i OKB-së në Bangkok, konfirmoi se autoritetet ushtarake birmane u kanë dhënë leje Kombeve të Bashkuara të nisin ndihmat e emergjencës në vendin e shkatërruar nga katastrofa natyrore. Ndihmat e para nisën menjëherë, ndërsa Tajlanda lëshoi apelin ndaj komunitetit ndërkombëtar për të garantuar asistencë dhe ndihma ndaj viktimave. Italia i është përgjigjur menjëherë këtij apeli, duke premtuar 123 mijë euro ndihmë nëpërmjet “Kryqit” dhe “Gjysmëhënës së kuqe”. E pavarësisht tragjedisë së ndodhur, qeveria ushtarake birmane deklaroi dje, se referendumi i parashikuar për në 10 maj, do të mbahet siç është parashikuar. “Referendumi kushtetues do të mbahet pas disa ditësh dhe popullsia mezi pret këtë takim”, - shkruhej në të përditshmen “New Light”, e cila kontrollohet nga junta ushtarake në pushtet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›