E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksa e makinave, zbardhet tabela me faljet sipas llojit të mjetit

Detyrimet që falen. Shembuj për llogaritjen e gjobës për mospagesë të taksës

taksat-e-makinaveKush nuk ka paguar taksën e makinës, do të mund ta bëjë këtë me çmim të përgjysmuar. Ligji i ri me ndryshimet përkatëse është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe për 2 javë nis zbatimi i tij. Ky ligj trajton gjithë atë kontingjent që nuk ka paguar taksa edhe përgjatë vitit 2012 apo vitit 2011, kur ligji i atëhershëm hyri në fuqi. Ministria e Financave ka propozuar përgjysmimin e koeficientit fiks për naftën dhe benzinën. Sipas këtij ligji, koeficienti për naftën nga 25 lekë do të bëhet 12.5 lekë dhe koeficienti për benzinën, nga 20 lekë do të bëhet 10 lekë. Pronari i mjetit, i cili nuk kryen pagesën e kësaj takse brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të vlefshmërisë së parashikuar, detyrohet të paguajë një gjobë prej 5% të shumës së detyrimit të papaguar për çdo muaj vonesë, por jo më shumë se 25% për çdo vit. Shembull për llogaritjen e gjobës për mospagesë të taksës brenda afatit të vlefshmërisë së parashikuar: Mjeti me cilindratë 1900 cm3, me naftë dhe vit prodhimi 2001, për vitin 2013 ka paguar taksën vjetore të mjeteve të përdorura në datën 15.2.2013, për vlerën 15.200 lekë. Në datën 20.4.2014 pronari i mjetit paraqitet për të paguar taksën e vitit 2014, pra është me 3 muaj vonesë për pagesën e TVMP-së dhe për këtë arsye duhet të paguajë 15% gjobë, mbi shumën e taksës që duhet të paguajë për vitin 2014 në vlerën 8.550 lekë. Pra, vlera e gjobës është në vlerën 1283 lekë.  Të ardhurat nga taksa dhe gjobat për çdo rast, mblidhen nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Pagesa e kësaj takse shoqërohet me faturë dhe me pullën e taksës. Zotëruesi i mjetit e vendos
pullën e taksës në xhamin e përparmë të mjetit për të lehtësuar ushtrimin e kontrollit vizual nga organet kompetente. Regjistrimi bëhet në një regjistër të veçantë ose në mënyrë elektronike. Brenda datës 31 janar të çdo viti, dërgohen në drejtoritë rajonale të tatimeve dhe në strukturat e Ministrisë së Brendshme lista e mjeteve që  nuk kanë paguar taksën për vitin paraardhës, si dhe lista e mjeteve të regjistruara. Personat fizikë apo juridikë, pronarë të këtyre mjeteve, në këto lista do të trajtohen si debitorë dhe nga ana e DPSHTRR-së dhe ndaj tyre do të fillojë të zbatohen masat shtrënguese.

Shembuj të faljes sipas ligjit të ri
Në rast se pronari i mjetit pagesën e taksës vjetore të mjetit të përdorur e bën brenda datës 30 qershor 2013, përveç të drejtës së pagimit të vetëm gjysmës së detyrimit të përllogaritur para hyrjes në fuqi të ligjit, përjashtohet edhe nga penalitetet për vonesë në pagesën e taksave. Për të gjitha pagesat e vonuara që kryhen pas datës 30 qershor 2013, llogarit penalitet përkatëse. DPSHTRR-ja merr të gjitha masat që të fillojë aplikimin e tyre në sistem nga 1 janari 2014. P.sh., pronari i një mjeti me cilindratë 1900 cm3, me naftë dhe vit prodhimi 2001, për vitin 2013 duhet ta paguante taksën vjetore të mjeteve të përdorura në datën 15.2.2013, sipas përllogaritjeve për  vlerën 15.200 lekë: rasti a)nëse paraqitet për pagesë më 20 qershor 2013, paguan 7.600 lekë taksë dhe nuk paguan penalitete; rasti b)nëse paraqitet për pagesë më 1.7.2013, paguan 7.600 lekë taksë dhe i përllogaritet 25% gjobë mbi shumën e taksës që ka paguar (6 muaj vonesë për pagesën e TVMP-së, por jo më shumë se 25%), pra në vlerën 1.900 lekë.

Formula
Taksa vjetore e mjeteve të përdorura të transportit është taksë vjetore për çdo vit kalendarik dhe ka vlefshmëri 365 ditë. Kjo taksë caktohet sipas formulës:(cilindrata në cm3 x koeficienti fiks sipas vjetërsisë x taksa fikse për llojin e karburantit.) Taksa fikse për llojin e karburantit është 12.5 lekë për naftën dhe 10 lekë për benzinën. Mjetet me vjetërsi nga 0-3 vjet nuk janë subjekt i kësaj takse. Viti i vjetërsisë është
diferenca ndërmjet vitit, kur mjetit i lind detyrimi për të kryer pagesën e taksës me vitin e prodhimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›