Taksat, Kryeministri shpërfill biznesin
Miraton pagesën e tatim-fitimit, një herë në 3 muaj. Jaka: Skemë falimentuese
ARD KOLA
Kreu i qeverisë foli dje për lehtësi fiskale ndaj biznesit, si mundësi e mirë për të përballuar krizën, madje për Berishën, fakti se Shqipëria pati rritjen më të lartë ekonomike, ishte rrjedhojë e reformave me taksat e ulëta.
Pavarësisht apeleve të shumta nga organizata të ndryshme në mbrojtje të interesave të biznesit, Kryeministri miratoi paketën e propozuar nga ministri i Financave, sipas të cilit, pagesa e tatim-fitimit, nuk do të kryhet çdo muaj, por një herë në tre muaj. Sipërmarrja private e konsideron si të tepërt dhe kërkoi me patjetër ndryshimin e draftit.
Më konkretisht, në ligj ndryshohet neni 30, ku thuhet se, Gjatë periudhës vijuese, tatimore, tatimpaguesi parapaguan, në llogarinë e organeve tatimore, këstet tremujore të tatimit mbi fitimin, brenda datës 30 mars për muajt janar, shkurt dhe mars, brenda datës 30 qershor për muajt prill, maj dhe qershor, brenda datës 30 shtator për muajt korrik, gusht dhe shtator dhe brenda datës 30 dhjetor për muajt tetor, nëntor dhe dhjetor. Këstet mund të paguhen edhe në baza mujore, jo më vonë se data 15 e çdo muaji, në shumat, si më poshtë.
Në fakt ky variant pësoi një ndryshim të vogël, pasi projekti fillestar synonte pagesa një herë në çdo tre muaj, në datë 15, por në debatin e zhvilluar në Ministri të Ekonomisë, me grupet e interesit, u ra dakord që të paktën pagesa të bëhet në fund të çdo tremujori, si lehtësi për të siguruar kapitalin.
Shlyerja e detyrimit, me ligjin aktual realizohet në 13 pagesa, gjatë vitit dhe vetëm kjo i kushton biznesit 125 orë. Qeveria po bën gjithçka që barra burokratike të thjeshtohet në shkallën më maksimale. Me këtë projektligj, pagesat e detyrimeve të tatim-fitimit nga biznesi zbresin në 5 pagesa, pra, zbresin në çdo tre muaj dhe e redukton me rreth 70 për qind kohën prej 125 orë, u shpreh Kryeministri.
Nuk është i këtij mendimi Dhoma e Tregtisë së Tiranës, e cila analizës së zhvilluar me anëtarët e saj, del me konkluzionin se forma e re nuk e ndihmon biznesin. Jemi kategorisht kundra, pasi kjo skemë çon në falimentim, thotë kreu i dhomës, Nikolin Jaka. Në debatet e shumta, zhvilluar javët e fundit, biznesi në fakt nuk është ankuar për nivelin e taksave, se sa për burokracitë dhe kostot e tepërta që burojnë nga detyrimet tatimore indirekte. Referencat, si në paga dhe në çmime, konsiderohen absurde, sikurse garancitë e kërkuara qeveria për disa lloje aktiviteti, si dhe plot formalizma e shqetësojnë së tepërmi biznesin, por Kryeministri në mbledhjen e djeshme të qeverisë nuk foli për asnjërën nga këto. Ai u mjaftua duke sulmuar kreun e PS dhe platformën e tij të taksës progresive.
Zotëria që u premtoi shqiptarëve kthimin te taksa progresive dhe rritjen e saj, që u premtoi shqiptarëve shkatërrimin e dhjetëra mijërave vende pune, që u premtoi shqiptarëve shtrëngimin e mëtejshëm të rripit, të cilën shqiptarët kanë neveri ta dëgjojnë, se 45 vjet nuk është thënë gjë tjetër, por të shtrëngojmë rripin për të arritur majën e socializmit dhe arritëm në greminë, pra, ky zotëri, që fliste për rritje taksash, çdo të thotë tani që e gjen veten në kundërrymë, tani që institucionet kryesore botërore kërkojnë nxitje të rritjes, tani që Bashkimi Europian po krijon paketën e rritjes, u shpreh në fund Berisha.
Sipas variantit të ri, pagesa e tatim-fitimit do të realizohet në datë 30 të çdo tremujori
Taksa e Karl Marksit
Edhe një herë, Kryeministri nuk la pa shigjetuar skemën e re të propozuar nga PS për taksën progresive, ose ndryshe, paguan më shumë ai që fiton më shumë. PS kërkon tu rris taksat bizneseve, që tjua marrë frymën, që tjua bllokojë mundësinë të investojnë e të krijojnë vende të reja pune, do të rikujtojë sërish taksën progresiste të Karl Marksit, tha Berisha.
Taksat, Kryeministri shpërfill biznesin burimi: Gazeta Shqip