Talenti Laert Troja: Shqiptarët e duan basketbollin, por nuk ka organizim
Intervistoi: Ervin Hyka
Laert Troja është cilësuar si një ndër të rinjtë më premtues të basketbollit shqiptar. Këtë vit ai ka luajtur me ekipin e Tiranës dukë dhënë paraqitje të mira, duke marrë jo vetëm vlerësimet e publikut, por edhe të specialistëve. Në një intevristë për gazetën Tirana Observer, Troja tregon se pse shqiptarët nuk po e ndjekin dhe më aq shumë sportin e bukur të basketbollit. Ai thekson se shqiptarët e duan këtë sport, por mungesa e organizimit nga organet përkatëse kanë sjellë këtë dukuri. Më tej ai tregon edhe për eksperiencën e tij tek Tirana dhe pluset dhe minuset e këtij sezoni.
Laert si lindi pasioni juaj për basketbollin?
Pasioni im për basketbollin është i hershëm. Unë vij nga një familje sportistësh që e kanë traditë sportin. Basketbollin e kam filluar në klasë të shtatë, me klasat sportive dhe që atëherë ka qenë pasioni i jetës sime.
Prej sa vitesh e praktikoni atë?
Kam rreth 10 vjet që e praktikoj.
Na trego diçka për eksperiencat e tua në këtë sport?
Pasioni im në këtë fushë e kam nisur që në shkollën 8-vjeçare, duke vazhduar me shkollën e mesme, me ekipet e të rinjve dhe sot jam lojtar profesionist pranë Klubit Sportiv Tirana. Gjatë këtyre viteve kam marrë pjesë në shumë aktivitete sportive dhe universiada të organizuara nga shkolla. Kam marrë pjesë edhe në kampionatet e StreetBall që zhvillohen në ambiente të hapura, ku dhe kam fituar dy herë trofeun.
Tirana është klubi juaj ku luani aktualisht? Si do ta konsideroni këtë sezon. I kënaqur me veten?
Po, me Tiranën, ky sezon ishte si një sfidë e re për mua, sepse ishte viti i parë që luaja me një ekip të kategorisë së parë dhe niveli ishte disi i lartë, nuk jam aktivizuar rregullisht, por besoj se kam dhënë kontributin tim maksimal.
Cila është gjëja që ju pëlqen më pak kur bëhet fjalë për basketbollin në Shqipëri?
Basketbolli ynë mund të ishte dhe më mirë duke parë nivelet e larta të fqinjëve tanë. Ne duhet të marrim trajnime nga profesionistë që kanë eksperienca më të mira.
Çfarë duhet ndryshuar tek sporti i basketbollit në Shqipëri?
Mendoj se Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve duhet të jetë me shumë pjesëmarrëse me klubet në të gjithë vendin, por sidomos në kryeqytet. Menaxhimi i fondeve duhet të kryhet në mënyrë të barabartë midis sporteve dhe të ketë një reklamim sa më të mirë.
Si do e gjykoni këtë sezon?
Ky sezon, filloi disi i qetë, por në fazat e fundit të tij rivaliteti u bë shumë i fortë për shkak të blerjes së shumë lojtarëve të huaj nga skuadra të ndryshme. Gara ishte e egër dhe të gjithë kërkonin një vend në finale. Në fund triumfoi ekipi më me eksperiencë.
Cili është momenti më i paharruar në këtë sport për ju?
Momenti më i paharruar në këtë sport është kur në një ndeshje të të rinjve, kur unë luaja me ekipin e Partizanin, kemi bërë fitoren më të thellë të klubit, kundra skuadrës së Fierit, rezultati ishte 120-34.
Cilën skuadër do të konsideroni më të frikshmen në Shqipëri?
Skuadra e Kamzës.
Ekipi i basketbollit të Kamzës dominoi në vend. Kaq të vështirë e patët si ekip ti bënit ballë?
Ne e rivalizuam deri në një farë pike, por dëmtimet e disa prej lojtarëve tanë më me eksperiencë bëri që ne të mos triumfonim.
Mos harrojmë që kemi dalë me Kamzën në ndeshjen e parë të kampionatit vetëm me një pikë diferencë, humbje në sekondat e fundit.
Me cilin lojtar, ekip e keni pasur duelin më të fortë këtë sezon?
Dueli, sivjet për ekipin tonë ishte me Vllazninë, sepse ata kishin lojtarë të huaj dhe ne nuk i njihnim dhe nuk e dinim nivelin e tyre. Shorti në playoff na ra kundër Vllaznisë dhe ishte një seri shumë e fortë për të dyja skuadrat. Lojtari më i fortë për mua ishte malazezi Nikola Dokovicv.
Po marrëdhënia me tifozët si është? Përse shqiptarët e kanë lënë pas dore basketbollin?
Tifozeria ka qenë gjithmonë e pranishme në shkallët e pallateve të sportit, pjesa më e madhe familjarëve tanë, por edhe grupi më fantastik ka dhënë një suport që ia vlen për ti falenderuar. Për sa i përket lënies pas dore të basketbollit nga sportdashësit, nuk është se e kanë lënë mbas dore, por thjesht strukturat e organizimit dhe reklamimi që i është bërë nuk kanë qenë të duhurat. Këtu ka shumë të rinj të talentuar të cilët duhen ndihmuar për të ecur përpara dhe mbase mund të shkojnë edhe në arenat europiane.
Po objektivat për të ardhmen cilat janë?
Objektivi i parë është stërvitja dhe përmirësimi individual, bashkëpunimi në ekip dhe normalisht triumfi final, kampion të Shqipërisë.
Përveç sportit dhe studimeve në sport, ju vazhdoni edhe për Marrëdhënie ndërkombëtare. Përse kjo zgjedhje? Nuk keni besim se me sportin mund të siguroni të ardhurat tuaja në vazhdim?
Kjo është një degë e re, e cila më pëlqen shumë dhe shpresoj që në të ardhmen të kem një karrierë në këtë fushë. Kjo zgjedhje mund të them që i është përshtatur disi tregut të punës këtu në Shqipëri. Pastaj për besimin tek sporti, unë nuk do ta humb asnjëherë,unë kam luajtur dhe pa financa dhe kjo është normale në Shqipëri, por unë thjesht sportin e zhvilloj për kënaqësi dhe kam një sadisfaksion shumë të madh, është pasioni i jetës sime.