Dritë në pagjumësitë e Pallvo Gjidedes
Nga Eglantina Bifsha Bajrami
Nderim dhe respekt publicistit dhe shkrimtarit të mirënjohur doktorit të shkencave Pavllo Gjidedes, i cili u nda pak ditë më parë nga jeta. Pak kush e di për çarsye pushoi së shkruari për një kohë të gjatë pena e fortë, që dha kontributin e tij të çmuar gjatë periudhës së diktaturës dhe të ashtuquajturës demokraci.
- Nuk kam ndër mend të përdorem, siç përdoren disa, gjer në skandale e skema histerizmi të papërmbajtur. Është fakt që të pasurit janë në fuqi, ndërsa të varfrit janë skllevër në të gjithë botën, pati thënë ai.
Pushtetarët e sotëm nuk janë torollakë. Ca prej tyre dikur merrnin urdhra, kurse sot japin të tilla dhe çuditërisht nuk tërhiqen nga dështimet e tyre. Aspak nuk e çajnë kokën për të treguar, se si duhet punuar për stabilitetin e vendit dhe mënyrën se si duhet për tu futur në jetën evropiane. Gjithçka në botë është hyjnore: shiu, stinët, gurët, pemët, egërsirat dhe njerëzit…
Por njeriu është i pari në mes të perëndive. Pak nga pak ne zbulojmë të fshehtat e këtyre perëndive që ende na shtypin. Nuk duhet patur frikë nga asnjë forcë në botë, – thotë gazetari.
Si publicist ka qenë përherë në krah të atyre njerëzve që mbështesin drejtësinë dhe kritikonin çnderimin dhe padrejtësitë. I pashkëputur nga pasionet dhe në luftë me vetveten për ti mposhtur ato, denonconte aq sa i lejohej, nga vetë sistemi, shkeljen e të drejtave të njeriut.
Aq sa i lejohej.
- Kur flisnim për demokracinë se shkëputnim dot nga diktatura. Njëra nënkuptonte tjetrën. Të guxoje më ndryshe do të thoshte ta pësoje aq sa e pësuan disa nga kolegët e mi, – shprehet më tej gazetari Pavllo Gjidede.
- Dikush urdhëroi që të mos më botoheshin më artikujt që shkruaja, përkundrejt tronditjeve dhe pasojave tragjike të sjella nga pseudodemokratët. Gjysmakë qofshin ata gazetarë apo politikanë të përgatitur me dreka kulisash, me pije blu apo të kuqe, duke u bërë gazetarë klloun!
Rrëzimin e disa personaliteteve publiciste e bëri një kohë vulgare, por për fat të mirë disa nga ata janë edhe sot gjallë dhe duken shumë të çmuar, shumë të nderuar dhe pse provuan mbi shpatullat e tyre armiqësinë dhe zyrtarizmin e egër për ti mbuluar në çdo mënyrë me mjegullën e harresës. Të panumërta janë artikujt, dorëshkrimet, esse-të, komentet, intervistat e botuara prej tij, për të mos harruar kurrë vitet dhe njerëzit e mbrapshtë që i sollën këtij vendi konflikte e gjakderdhje.
Kohët e fundit filloi të botojë libra të shumtë e të ndryshëm, ku ka trajtuar aktualitetin e kohës, që nga ato me tema sociale, ekonomike e politike.
- Po shkruaj në këmbë, – më tha një ditë që po shikoja librin e ri në bibliotekën e tij. Mbi të gjitha, për mua, vlen për tu përmendur libri Dashuri dhe plumba, ku trajtohet historia e një dashurie të madhe midis Zaho Kokës dhe Ramize Gjebresë. Në mënyrë modeste po mundohem të citoj pjesëza nga shkrimet e tij të shumta.
Unë, mbesa e tij, që po shkruaj këto pak rreshta për të, kam parasysh dikur një djalë të ri, simpatik, të shkathët, të apasionuar pas të bukurës natyrore dhe njerëzore. Të apasionuar pas folklorit, hulumtimit të këngëve, zakoneve e traditave të vendit. Më vonë kujtoj një mësues të gjuhës ruse, e më tutje në kohë kujtoj një penë të fortë të gazetarisë shqiptare. Jam dëshmitare e mbledhjes së këngës polifonike që bënte nga mëma ime e nga shumë të tjerë, në netët e gjata dimërore.
Më tej vazhdon shkrimtari: – E kaluara më kthehet e gjallë me dashurinë e pafund për bashkëfshatarët, për miqtë e shumtë e për të afërmit e mi. Asgjë nuk është më e dhimbsur sesa kujtimet, imazhet, fanitjet për krahinën tënde, për shtëpinë ku linde e u rrite. Mendimet më fluturojnë në Malet e Vetëtimës, nga ku duket Himara magjike e çlodhëse. Kur thua Himarë ke thënë Akropol, Himara është hyjnore, kaonike. Asaj mund ti mbash erë, të mburresh me të, por deri kur, sepse me Himarën nuk mund të abuzosh më, siç po bëjnë pushtetarët e sotëm. Himara e himarjotëve të papronësuar, një ditë, së shpejti, do të ligjërohet. Kulti për kulturën e himariotëve mund të shpjegohet me faktin se ata e kanë përligjur tapinë e përjetshme me anë të lashtësisë dhe të trashëgimisë. Baza e lashtësisë së këtij vendi prestigjioz janë vetë himariotët, gjuha, tradita, kultura, historia.
Unë pa u zgjatur më shumë po hedh në letër pak histori, nga e shumta, që ka trajtuar shkrimtari ynë.
- Ja vlen të shkruash më shumë për këtë princeshë të gjenezave, -thotë në shkrimet e tij. Emri i Himarës është përmendur që në kohën e Omerit të madh. Barleti, duke cituar Homerin thotë se Himara është një vënd detaro-malor, përkundrejt Kolkyrës me një popullsi liridashës e trim. Është e njohur shpella e Polifemit, ku pati aventurën e tij të pabesueshme Odisea. Shumë himariotë kanë mërguar ndër shekuj në ishujt Hidra, Speca, Poro si dhe në kështjellën e Peloponezit. Kapedan Kristo Bega nga Vunoi, u vra në Mesolonjë, në fillim të Revolucionit Grek. Princi Balsha ka qënë zotërues i Himarës, pas vdekjes së tij, zotëruese u bë gruaja e vet, Komita Muzaka. Në shek. V para Krishtit në Palasë u gjet një përkrenare prej bronzi, ilire. Pukëvili mendon se në Himarë ndodhet Burimii Argjendtë, që e përmend Plini. Çdo fshat është tamam si qytet i vogël, tepër i lashtë, që së bashku përbëjnë një gjerdan të artë përrallor. Shumë autorë legjendarë kanë shkruar për të, paharruar kurrë gjeniun e romantizmit, Bajronin.
Leon Rei, shkrimtar francez shkruan: Nëse Shqipëria ka me se të mburret, në radhë të parë duhet të mburret me historinë e Himarës. Himarioti Anton Linerosa, sipas Barletit, ka marrë pjesë në kuvendin e Lezhës dhe u vra në betejën e Torviollit me 40 himariotë të tjerë më 1444. Mërkur Bue Shpata nga Dhërmiu ishte gjeneral deri në Spanjë. Pano Bixhili u bë konsull i Rusise në Artë. Gjeneral Dhimitër Leka qe himariot, pikërisht Dhimitër Lekës, Jeronim De Rada nga Himara, i ka kushtuar veprën e tij Milosaon. Duke parë këto copëza historie a nuk ka ardhur koha që politika, shkenca shqiptare ti kthejë sytë nga Himara? Himara i ka detyruar pushtetmbajtësit e çdo kohe, ta duan veç të tjerave edhe për gjuhën e fjalës së shenjtë, e cila nuk lë askënd ta anatemojë. Të gjitha partitë politike do të bënin mirë që të kenë parasysh botën globale dhe jo konceptet që mbartin tensione të kota. Ne besojmë në një realitet ku etnitë dhe popujt i zhdukin kufijtë.
Më tej shkrimtari Pavllo Gjidede vazhdon: – Nuk ka nevojë të themi sa e duam Iliasin, Vunoin, Dhërmiun, Himarën nga të cilat kemi marrë aq shumë dashuri me vete, dhe qëi kemi ndër sy, si një iluzion të humbur ndoshta, por të shtrenjtë. Himarën e duam se është aq shumëngjyrëshe, aq shumë fetare e aq shumë kombëtare, krahinë e përmendur pashallarësh, prandaj unë jam i lidhur ngushtë me vendlindjen time historike.
Është shumë pak të përmbledhësh jetën e tij si publicist e si shkrimtar, me këto rreshta, në krahasim me atë thesar letrar, të madh e të paçmuar që la pas vetes, të cilat do ti duhen shoqërisë e historisë shqiptare. Pavllo Gjidede ishte personifikim i inteligjencës shqiptare, me shumë botë, me shumë horizont e me shumë dije. Intelektual i vyer i letrave, njeri fisnik me vlera të veçanta. Personaliteti i tij u rrit si rezultat i një pune intensive letrare, të cilën e vuri në shërbim të vendit, pasi ishte njeri me principe të shëndosha morale e njerëzore.
Ishte pjesëtar i denjë i shoqërisë shqiptare. Gazetar me përvojë, dhe me botë të trazuar, si valët e Jonit që përplasen mbi këmbët e Vunoit e Iliasit që e lindi. Një popull i madh në shpirt, si populli i Bregut, lind gjithmonë njerëz të mëdhenj të fjalës, të këngës, të penës.
Motra, vëllezër e miq, i paharruar do ngelet emri i mirë dhe kujtimi i publicistit dhe shkrimtarit Pavllo Gjided