Tallja e Berishës, 132 vendime false për lekët e të dënuarve politikë
Sali Berisha, ish-spiuni i sigurimit të shtetit që ka përgjuar, spiunuar, denoncuar, burgosur dhe që ka kërkuar varje në litar për viktimat e tij në sallat e gjyqeve të diktaturës, po vazhdon të tallet barbarisht e paturpësisht me ta, duke vazhduar krimin ndaj tyre me shkeljen e të drejtës ligjore. Me kontrollin absolut që ka mbi qeverinë e parlamentin, SALIU po vazhdon lojën e dytë të talljes dhe mashtrimit me ish-të burgosurit politikë, duke mos u dhënë dëmshpërblimin financiar ligjor. Lojën e parë demagogjike-mashtruese me viktimat e tij, SALIU e realizoi gjatë pushtet-krimit të viteve 1992-1997. Ndërsa lojën e dytë e ka nisur në vitin 2005 dhe po e vazhdon.
Lojë mashtruese me 15 ligje, 92 vendime e 113 formularë falsë
Dje, qeveria SALI njoftoi se ka marrë një vendim të ri për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë, duke nxjerr një formular të ri, për mënyrën e pagesës së viteve të burgut. Kjo është tallja e radhës e kryeministrit të vetëm ish-komunist, të mbetur në politikat dhe pushtetet e ish-vendeve e Lindjes komuniste. Loja ka nisur të zbatohet me faturën financiare për këto dënime, e cila sipas skemës SALI është bërë gabim që ka dalë fillimisht 417 milionë dollarë ndaj dhe duhet rishikuar për shkak të kontigjenteve të pallogaritur të numrit të personave e sasisë së viteve totale të burgut. Për të përligjur këtë zvarritje, qeveria deklaroi se janë edhe 87 mijë e 831 vite dënimi me burgim, të përllogaritura sipas vendimit gjyqësor, për të cilat do të verifikohet koha reale e daljes nga burgu. Sipas lojës, duhej edhe 8 muaj kohë që gjithçka të bëhej e saktë pas verifikimit edhe kjo kosto ti shtohej faturës financiare, së bashku me saktësimet për vuajtjen e internimit. Asnjë veprim konkret nuk u bë në favor të kësaj shtrese të vuajtur, por vetëm fjalë, vendime, formularë e rikthim të procesit nga fillimi për efekt procedurash, që në fakt ishin për efekt talljesh.
Spiuni, denoncuesi e dëshmitari i të burgosurve politikë SALI BERISHA, që prej vitit 2005 ka premtuar në vijimësi dhe me bujë të madhe propagandistike, se do të bënte 100% pagesat e viteve të burgut. Këtë e tha në vitin 2005, kur bënte fushatë për të ardhur në pushtet duke u kërkuar votat viktimave të tij. Pas ardhjes në pushtet në vitin 2005, u tha se do ti bënte pagesat brenda vitit 2006, por kaloi viti 2007, 2008, 2009 dhe mashtrimi e demagogjia SALI erdhi deri në vitin 2010, kur u premtoi se do ti paguante në vitin 2011. Kanë kaluar 6 muaj dhe ende asnjë qindarkë nuk po del nga xhepi i pushtetit SALI për ish-të përndjekurit politikë. Ata po vazhdojnë të mashtrohen me premtime e zvarritje pa fund. Që prej vitit 2005 e deri sot, qeveria e spiunit SALI BERISHA e ka realizuar skemën e mashtrimit të viktimave të tij, nëpërmjet nxjerrjes së vendimeve, urdhëresave, shtesave ligjore, udhëzimeve e formularëve falsë. Gjatë periudhës 2005-2011 janë nxjerrë 15 ligje, 92 vendime e 113 formularë zvarritës, me të cilët SALI SPIUNI, i ka sjell vërdallë viktimat e tij nëpër institucionet e drejtësisë, të pushtetit lokal dhe duke i lënë për 6 vjet, 24 orë roje tek sportelet e bankave.
Sa për dekor publik, SALIU ka qenë gjoja mbështetës i ish-të dënuarve politikë dhe me fondet e bankës Botërore, gjatë viteve 1992-1996 bëri disa zgjidhje sociale formale e gjysmake me klientelizëm krahinor, si strehim, shkollim, punësim, emigracion etj, derisa, në vitin 1996, iu vërsul ish-të përndjekurve me polici, dhunë fizike e burgosje, për shkak se ish-të burgosurit denoncuan neodiktaturën e SALI-PD-SHIK-ut. Edhe në vitet 2005-2011, për ish-të përndjekurit politikë, SALIU po dëshmon se është po ai ish-spiun komunist, po ai mëkatar, po ai dhunues, mashtrues e demagog i pushtet-krimit të viteve 1992-1997. Ka ndryshuar vetëm taktikë e metoda. Për ti masakruar, tallur e mashtruar viktimat e tij, SALIU sajon ligje, rregullore, udhëzime, vendime e formularë defter bakalli pa asnjë fuqi ligjore, duke e mbajtur peng problemin e dëmshpërblimit financiar për vitet e burgut.
Borxhet e qeverisë SALI burgosin dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve
Përherë SALIU, ka deklaruar: I kemi të siguruara lekët për shlyerjen financiare të ish-të përndjekurve politikë, por po plotësojmë bazën ligjore. Këtë e ka thënë edhe në vitin 1993, në vitin 1994, në vitin 1995, në vitin 1996. E bëri këtë deklaratë edhe kur miratoi buxhetin e vitit 2006. Por ka 6 vjet që merret vetëm me procedura, me letra kot e nuk bën pagesat. Gjithë këtë mashtrim, SALIU e ka maskuar pas disa pagesave qindarka, duke vënë në listë ata ish-të burgosur që kanë bërë nga 3, 5, 9 muaj e 1 vit burg dhe që kanë shuma të vogla për të marrë. Por gjithashtu, në krye të listave janë vendosur edhe ata ish-të burgosur që kanë qenë viktima të spiunuar prej SALIUT e prej miqve dhe pushtetarëve pranë SALIUT, me qëllim që të heshtin. Historia e talljes SALI me ish-të përndjekurit, ka nisur që në vitin 1992. Parlamenti i parë pluralist shqiptar, me konsensus të plotë të 250 deputetëve, miratoi Ligjin Nr.7514, datë 30.09.1991: Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të Përndjekurve Politikë, ligj i cili, sanksiononte pafajësinë e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë. Në mbështetje të këtij ligji, pas vitit 1992, parlamenti SALI miratoi 6 ligje të tjera, ndërsa gjatë. viteve 1992-1997, në vazhdim nxori 13 ligje, shpalli 44 vendime të këshillit të Ministrave, 73 udhëzime e nxori 35 lloje formularësh për çështjen e ish të përndjekurve politikë. Këto u zbatuan vetëm 20-25% deri në vitin 1997. Kanë kaluar 20 vjet dhe problem i dëmshpërblimit të tyre nuk është zgjidhur. SALI SPIUNI e di, që ish të burgosurit politikë nuk kërkojnë prej tij lëmoshë, por dëmshpërblimin e viteve për dënimet e padrejta dhe djersën e punës së detyruar e të papaguar, bërë gjatë vuajtjes së dënimeve shtazarake në burgjet e diktaturës dhe kampet e punës, në kohën kur SALIU i spiunonte. Kjo e drejtë garantohet nga Neni 44 i Kushtetutës, nga Neni 268 i Kodit Penal, mbështetur në Nenin 57 të Kodit Penal dhe në Konventat Ndërkombëtare, të pranuara e të firmosura nga Shqipëria si palë, të detyrueshme për zbatim. Dje SALIU doli përsëri përpara viktimave të tij dhe u tha, se do të paguheshin lekët për vitet e burgut, por duhej zbatuar e plotësuar një formular i ri. Pas këtij mashtrimi të radhës, qëndron fakti që qeveria e SALIUT e ka buxhetin bosh dhe nuk ka asnjë qindarkë për tua dhënë viktimave të tij, ndaj dhe i sjell vërdallë me copa letrash, që i miraton ne parlament e në qeveri në formë ligjesh e vendimesh pa vlerë.
Tallja 20 vjeçare e modelit SALI
1. Shtator 1992: Ligj për evidentimin e numrit të të burgosurve politikë
2. Dhjetor 1992: Ligj për vlerësimin numrit të viteve të burgut në total
3. Shkurt 1993: Vendim, për shtesa në vendimin për miratimin e numrit të të burgosurve
4. Prill 1993: Vendim për hapjen e zyrave në qarqe, të trajtimit të listave
5. Qershor 1993: Vendim për shtesë organike, në vendimin për vlerësimin miratimit të viteve të burgut në total
6. Shtator 1993: Ligj për përcaktimin e shtrirjes familjare të përfituesve
7. Janar 1994: Ligj për përcaktimin, nëse quhej dënim edhe internimi
8. Mars 1994: Vendim qeverie për caktimin e masës së pagesës, për çdo ditë burg
9. Tetor 1994: vendim për verifikimin e listave të përfituesve nga ministria e drejtësisë
10. Dhjetor 1994: Ligj, për përcaktimin e shtrirjes familjare të përfituesve
11. Mars 1995: Ligj, për kufizimin e skemës familjare të përfituesve
12. Shtator 1995: Formular përfundimtar që do plotësohet nga çdo person
