Tani me Eduard Halimin shpresoj te drejtësia
Më në fund punës i është gjetur njeriu i duhur. E kam fjalën për Ministrin e ri të Drejtësisë, Eduard Halimin, që tashmë gëzon njohjen e popullaritetin e një artisti filmash.
Eduardi si zyrtar shteti, si shërbëtor i qytetarëve në sektorin e zbatimit të ligjeve, më ka ngjallur një besim që prej kohësh e kisha humbur te drejtësia shqiptare. Edhe më parë ka punuar në atë fushë, por nuk ka rënë në sy. Duhej të vinte koha e madhe e Komisionit Hetimor Parlamentar për vrasjet e 21 Janarit, që të rrezatonte madhështinë e tij kryetari Eduard Halimi. Janë njerëz të veçantë ata që në momente të caktuara për shkak të angazhimit shoqëror që marrin, vishen me një hije madhështie imponuese dhe admiruese. Njëlloj si me atë dhëndrin që në kohën e fejesës i bie një nur në fytyrë. Kështu ndodhi edhe me Kryetarin Eduard Halimi.
Kishte shumë zyrtarizëm dhe pompozitet origjinal kur hynte në sallën e Parlamentit të caktuar për seancat e hetimit parlamentar. Me lëvizjet e matura të duarve në sistemim të letrave brenda dosjes, të dukej sikur zhytej i tëri në përmbajtjen e tyre dhe krijonte çaste heshtjeje imponuese në sallë. Pale kur hidhte vështrimin te funksionari i shtetit që kishte përballë. Dukej që trimërohej në qëndrim, por me vështrim gjithçka i zbutej kur drejtonte pyetjen. Ia admiroja pa masë lëvizjen e krahëve, të cilat pasi kish drejtuar pyetjen, i bashkonte në formë harku përpara dhe me gishtat e futur mes njëri- tjetrit e me mjekrën e mbështetur në kurrizin e duarve rrinte dhe dëgjonte përgjigjen e shtetarit përballë. Me këtë lëvizje të krahëve dukej që kishte merak të veçantë ekspozimin jashtë sa më shumë të mëngëve të këmishës me butona që ndrisnin ku forma dhe ngjyra e zezë e tyre rrezatonin shkëlqimin e një të pasuri. Nuk them dot rrezatonin shkëlqim fisniku, ngaqë fizionomia (fytyra me formë e tipare bariu) dhe shtati nuk e shprehnin dot këtë cilësim. Me gjithë zemër ia dëshiroja që të kishte e të çfaqej me sjelljet prej Zotnie të disa burrave të mëparshëm shqiptarë, kush me papion e kush me limodhe alla frënga të llojit Luigj Gurakuqi, etj, por për fat të keq, kohës sonë të demokracisë i mungojnë fisnikë të kësaj race. Shikojmë shumë shtetarë dhe njerëz të medias, të cilët në daljet në publik vdesin, i ndehin krahët kohë e pa kohë gjoja shkujdesur për të ekspozuar sa më dukshëm butonat e shtrenjtë të mëngëve të këmishave si shenjë niveli aristokratik.
E paharruar do të jetë për mua ajo ditë kur Komisioni i drejtuar nga Eduard Halimi mori në hetim Kryetaren e Parlamentit Jozefina Topalli. Zonja Topalli i kishte kushtuar një kujdes të veçantë stilit të pamjes, paraqitjes sa me sharm femëror aq dhe me qëndrim të prerë autoritar për këtë rast krejt të rrallë në fushën e drejtësisë shqiptare. Shikoja Eduardin që kërkonte të bënte autoritetin e të fortit përpara Topallit dhe më dhimbsej për rolin që kish për të luajtur. Ndërsa Topalli qëndronte me një dukje sa e bindur në urtësinë e saj, aq edhe autoritare në vështrimet që u lëshonte burrave që kishte përballë. Ata rolin e kishin të madh, por duke filluar nga Eduardi në qendër e të tjerët majtas djathtas atij dukeshin si rrondokopë të ngjashëm me Gjinon te 14 vjeç dhëndër e Marigonë përballë. Sidoqoftë Eduardi qëndronte dinjitoz e përpiqej që të dilte sa më dukshëm mbi tavolinë duke e lëvizur herë pas here mikrofonin si për t’u treguar mjaft i preokupuar për problemin.
Zonja Topalli me makiazhin e syve, o zot… me një rimel të butë, me cullufen bezdisëse me plot lezet të flokëve mbi syrin e djathtë, me shallin e lehtë prej mëndafshi rreth qafës, me fjalën e saj herë të egër e herë të butë, me një gjendje shprehëse emocionesh që alternohej, si karakteristikë për gratë në periudhën kritike të shuarjes së aktivitetit riprodhues (menopauzës), dukej më shumë sikur rrezatonte tërheqje mashkullore ndaj burrave përballë saj. E gjitha kjo ndjesi femërore vetëm zbërthim të enigmave të rrethanave të vrasjeve nuk dukej që ia jepte Kryetarit Halimi dhe kolegëve të tij.
Megjithatë autoriteti i Komisionit vazhdonte të luhej dhe kishte momente kulmore sidomos në ato raste kur Kryetari, Eduard Halimi përpara se të kalonte në çështjen tjetër, me një lëvizje shumë të kolauduar të kokës, kthehej pak majtas e djathtas dhe pyeste kolegët se mos ndoshta kishin ndonjë pyetje për të bërë. Pale kur dilte në pushim midis seancave dhe tërhiqej pak mënjanë e me celularin në dorën ku shkëlqente kopsa metalike në mëngën e këmishës, ashtu i rrumbullakët e me fytyrë maskë të këpuste shpirtin kur mendoje përgjegjësinë e madhe që kishte marrë përsipër. Kishte dhe reflektonte shumë seriozitet në gjithë qëndrimin dhe mënyrën e shprehjes së Eduard Halimit gjatë të gjithë atij procesi. Ndjehej në sjelljen e tij aroma e një autoriteti të ardhshëm. Aroma e një Ministri të ardhshëm që ngjallte besim dhe nxiste kurajo për vepra të mëdha.
Ne Veriorët kemi një shprehje popullore të cilën dua t’ia rikujtoj zotit Eduar Halimi. Në Shkodrën e zonjës Topalli thonë: Ruaju prej Horrit, Morrit dhe Malësorit.
Ka krijuar mjaft autoritet dhe besim zoti Eduard Halimi te njerëzit përreth tij e ata që e shikojnë nga larg me admirim sa, vërtetë që do më vinte shumë keq nëse Ministri i ri i Drejtësisë, Eduard Halimi, do pengohej në misionin e tij fisnik, rikthimin e drejtësisë në vendin tonë.
Vërtet nuk u shpall ndonjë konkluzion, i cili të përcaktonte me emër përgjegjësit fajtorë të vrasjeve të 21 Janarit, por kjo nuk e zbeh aspak punën serioze, të përkushtuar deri në vetëmohim të komisionit, të cilin e drejtoi me dinjitet zoti Eduard Halimi.
