E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tare: Do te qendroj me siguri tek Lazio

Nga Kastriot Gjini
Sulmuesi shqiptar i Lacios, Igli Tare, bëri një ndërhyrje në radiotelevizionin "Stereo" në emisionin "'Quelli che hanno portato il calcio a Roma" (Ata që sollën futbollin në Romë) duke konfirmuar vullnetin e tij për të qëndruar në Romë te skuadra e Lacios, pavarësisht se shumë zëra merkatoje bëjnë fjalë për një largim të sigurt të tij. "Konfirmoj ato deklarata që kam dhënë dhe më pare: do të qëndroj te Lacio. Kam filluar stërvitjen në Formelo për të qenë gati për përgatitjen e skuadrës. Në këto dy vjet kam paguar faktin që Lacio nuk arriti të dilte në kupat europiane. Nëse do të merrnim pjesë në këto kupa, atëherë do të kishte hapësirë për të gjithë dhe unë do të luaja më tepër. Besoj se këtë vit do të shkojë më mirë". Në lidhje me raportin me trajnerin Delio Rosi, Tare tha: "Kemi raport profesional dhe korrekt. Është e qartë se do të doja të kisha luajtur më tepër, por megjithatë nuk bën pjesë në karakterin tim të qahem sepse aktivizohem pak. Kur nuk aktivizohesh për shumë kohë vuan, por në këto dy vjet, vetëm pjesëmarrja në këtë grup të mrekullueshëm më ka bërë të harroj zhgënjimet. Cfarë sezoni pres? Personalisht nuk nisem kurrë duke menduar anën negative. Jam i bindur se mund të japë një dorë. Unë do të vazhdoj të stërvitem me të njëjtin përqendrim e dëshirë". Nga merkato kanë ardhur te Lacio, Megni dhe Del Nero, lojtarë të cilët Tare i njeh shumë mirë pasi ka luajtur me ta te Bolonja dhe te Breshia. "Megni është goditja më e madhe e merkatos. Ka cilësi teknike që nuk i kam parë kurrë te një lojtar tjetër. Nëse do të vendosej në vendin e duhur në fushë mund të ishte një nga tre lojtarët më të fortë më të gjithë Serinë A. Është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe djalë i mrekullueshëm. Në Bolonja e thërrisnin të gjithë Zizu, pasi ishte identik si Zidan. Del Nero është një tjetër lojtar me cilësi të mëdha, që mund të mbulojë lehtësisht shumë role".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›