Tarran në Gjirokastër, takim për ngritjen e Këshillave Vendorë të Sigurisë Publike

TIRANË, 6 dhjetor /ATSH/ Kryetari i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Michel Tarran ishte dje në Gjirokastër, ku mori pjesë në takimin e thirrur nga prefekti Odise Kote nën moton: “Siguria është përgjegjësi e përbashkët e të gjithëve”, me përfaqësues të qarkut, për të shpjeguar vendimin e Këshillit të Ministrave që rregullon Këshillat Vendorë të Sigurisë Publike, si edhe për të dhënë këshillat e tij për zbatimin e vendimit.
Prezenca e OSBE-së ka qenë partnere kryesore e Ministrisë së Brendshme që nga faza e konceptimit të Këshillave Vendorë të Sigurisë Publike (KVSP) në vitet 2016-2017, kur mbështeti themelimin e tre këshillave të parë, në bashkitë Elbasan, Cërrik e Librazhd.
Tani, pas vendimit të Këshillit të Ministrave për përcaktimin e roleve dhe përbërjeve të këtyre Këshillave, një strukturë e tillë po ngrihet në të 61 bashkitë e Shqipërisë.
KVSP-të tani po zhvillohen në struktura formale, që do të përfitojnë nga bashkëpunimi mes të gjitha institucioneve publike vendore, si bashkitë, policia, institucionet e drejtësisë, drejtoritë arsimore, shoqëria civile dhe qytetarët, në çdo lagje të vendit.
Përfaqësuesit e policisë vendore dhe bashkive të pranishëm në takim shprehën angazhimin e tyre për bërjen funksionale të këtyre Këshillave dhe entuziazmin për pasjen e ndihmës së qytetarëve në këtë përpjekje.
KVSP-të ishin pikë kryesore e bisedës edhe gjatë takimit të ambasadorit Tarran me kryetarin e bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi.
1 nga 11/r.e/