Task-forcë nga ARRSH për garantimin e infrastrukturës rrugore gjatë sezonit veror

Autoriteti Rajonal Rrugor në Gjirokastër ka ngritur task-forcën dedikuar mbarëvajtjes së sezonit turistik veror në rajonin jugor. Qëllimi është garantimi i infrastrukturës rrugore dhe ndërhyrja në kohë reale në rast problematikash që mund të cenojnë lëvizjen e vizitorëve.
Në fokus janë veçanërisht akset turistike, rrugët drejt pikave me interes kulturor dhe natyror, si dhe monitorimi i vazhdueshëm i segmenteve me fluks të shtuar gjatë muajve të verës.
“Gjatë këtyre ditëve pritet të përfundojnë punimet e sinjalistikës rrugore në plazhin e Borshit. Në aksin Sarandë–Butrint janë kryer punime në afërsi të parkut arkeologjik, si dhe punime asfaltimi ne aksin Çukë–Pllakë–Xarrë,” tregon Aristotel Noni, inxhinier në ARRSH Gjirokastër.
Puna do të koordinohet edhe me strukturat e përkatëse, për të parandaluar ndotjen akustike.
“Si ndotja akustike, por edhe me depozitime të ndryshme materialesh ndërtimore… Në këtë kuadër bëhen monitorime thuajse të përditshme,” thotë z. Noni.
Task-forca pritet të jetë aktive gjatë gjithë sezonit veror, duke ndjekur nga afër çdo zhvillim në terren dhe duke garantuar ndërhyrje të shpejta në funksion të sigurisë rrugore dhe përmirësimit të përvojës së vizitorëve.
/rtsh.al/