Tatimet: Tregtarët ambulantë, pa detyrim faturash dhe dokumentacioni tatimor

Administrata Tatimore ka informuar publikun dhe individët e regjistruar si “tregtarë ambulantë” se, bazuar në legjislacionin tatimor në fuqi, ata nuk kanë detyrim për të lëshuar faturë tatimore dhe as për të mbajtur dokumentacion tatimor për mallrat apo shërbimet që tregtojnë.
Ky përjashtim i rëndësishëm parashikohet shprehimisht në ligjin “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”.
Gjithashtu, ligji “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” përcakton qartë statusin dhe kushtet e ushtrimit të aktivitetit të tregtarëve ambulantë.
Administrata Tatimore sqaron se detyrimet e vetme për një tregtar ambulant janë qw të jetë mbi moshën 16 vjeç; të jetë i vetëpunësuar dhe të mos punësojë persona të tjerë; të tregtojë në hapësira publike me leje të lëshuar nga bashkia përkatëse; të jetë i regjistruar si ambulant pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore; të paguajë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore; të paguajë tarifën për zënien e hapësirës publike dhe taksat bashkiake të aplikueshme.
Administrata Tatimore thekson angazhimin e saj për të krijuar një klimë besimi dhe bashkëpunimi me qytetarët, duke garantuar që çdo politikë tatimore të zbatohet në mënyrë të drejtë, transparente dhe të kuptueshme për të gjithë.
Ky sqarim synon të lehtësojë barrën administrative për një kategori të caktuar tregtarësh dhe të promovojë një mjedis më të qartë rregullator.
/rtsh.al/