E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimet dhe Doganat kontrolle në 13 subjekte karburantesh, 3 prej tyre referohen për pezullim


TIRANË, 15 prill/ATSH/ Strukturat e Administratës Tatimore dhe ato Doganore kanë intensifikuar kontrollet në sektorin e karburanteve, me fokus verifikimin e zbatimit të çmimeve të përcaktuara nga Bordi i Transparencës dhe formalizimin e tregut të hidrokarbureve.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, kontrollet janë kryer mbi bazën e analizës së riskut dhe kanë evidentuar raste të shitjes së karburantit mbi çmimet e miratuara, duke dëmtuar konsumatorët dhe duke shkelur kuadrin rregullator në fuqi.

Nga verifikimet në terren janë konstatuar disa shkelje, përfshirë moslëshim të faturës tatimore, mungesë të listës së çmimeve, mungesë dokumentacioni tatimor, mosinstalim të pajisjeve të fiskalizimit, si dhe raste të punonjësve të padeklaruar.

Në total janë analizuar 13 tatimpagues, ku janë administruar deklarata dhe dokumentacion shtesë për të verifikuar arsyet e shitjes mbi çmimet e përcaktuara.

Pas këtyre kontrolleve, 3 subjekte janë referuar pranë Bordit të Transparencës për pezullim të përkohshëm të aktivitetit, ndërsa pjesa tjetër vijon të jetë nën verifikim.

Administrata Tatimore thekson se kontrollet do të vijojnë në të gjithë territorin e vendit, me qëllim garantimin e respektimit të çmimeve të miratuara, mbrojtjen e konsumatorëve dhe rritjen e formalizimit të sektorit të hidrokarbureve. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›