Tavo dhe Barka: Minoriteti grek po censusit
GJIROKASTËR- Dy deputetë përfaqësues të minoritetit grek, Vangjel Tavo e Kosta Barka kanë akuzuar organizatën OMONIA për dizinformim të anëtarëve të këtij minoriteti në lidhje me procesin e Census-it. Nëpërmjet një deklarate të përbashkët, dy deputetët u kërkojnë anëtarëve të këtij minoriteti të bëhen pjesë e regjistrimit të popullsisë.
“Ky qëndrim është me shumë pasoja për vetë minoritetin etnik grek. Vetpërjashtimi nga procesi i censusit, me pretendime të paqena dhe duke e paragjykuar atë, përbën një vetëflijim të interesave të larta të këtij minoriteti, në emër të interesave të ngushta të një grupi njerëzish në krye të kësaj organizate, thuhet në deklaratë.
Dy deputetët gjithashtu kanë nënvizuar faktin se presion po ushtrohet edhe mbi anketuesit, të cilët si rrjedhojë po tejkalojnë edhe kompetencat.
Kërkojnë dokumente vërtetuese për deklaratën e bërë për kombësinë greke. Ushtrojnë presion që të anketuarit të shmangin tërësisht këtë pikë ose të shmangin vullnetin e tyre për identitetin etnik e fetar dhe të deklarojnë atë që duan anketuesit. Përdorin mjete e mënyra që pyetësori të mund të manipulohet. Veprimet e kësaj natyre duhet të marrin fund në mënyrë të menjëhershme, për arsye se vënë në pikëpyetje serioze rezultatin real të censusit, thekson deklarata e përbashkët e Tavos dhe Barkës.