“Të Vjelat Fest” në Gruemirë, frymë e re për turizmin rural

TIRANË, 2 shtator /ATSH/ Tradita, vera dhe zhvillimi rural u bashkuan në një atmosferë mikpritëse gjatë ngjarjes “Të Vjelat Fest”, e organizuar në Kantinën “Mani”, në zemër të fshatit Gruemirë.
Kjo festë shënoi jo vetëm fillimin e vjeljes së rrushit autokton të varietetit Kallmet, por edhe një moment kulmor për promovimin e turizmit të verës dhe agroturizmit të qëndrueshëm në vend.
“Të Vjelat Fest” mblodhi tur-operatorë, kantina, agroturizme, përfaqësues të pushtetit vendor, ekspertë të fushës dhe të rinj, të cilët ndajnë një vizion të përbashkët për një Shqipëri rurale më të zhvilluar dhe më mikpritëse. Përmes promovimit të varieteteve si Kallmeti, pjesëmarrësit përjetuan nga afër procesin e prodhimit të verës dhe kulturën vendase që e rrethon atë.
Ky është një shembull se si verërat shqiptare, trashëgimia bujqësore dhe përvoja autentike mund të shndërrohen në aset për zhvillimin e turizmit dhe forcimin e ekonomisë lokale.
Aktiviteti u zhvillua në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimin Rural dhe projektin gjerman GIZ, me fokus fuqizimin e komuniteteve rurale përmes agroturizmit dhe inovacionit.
Programi GIZ, përmes SRD II (Rural Development Program II), ka si qëllim të mbështesë 200 ndërmarrje të vogla e të mesme që veprojnë në fushat e mikpritjes, gastronomisë, agroturizmit dhe turizmit në natyrë. Ndërhyrja përfshin trajnime profesionale për shërbim ndaj klientit, sigurinë ushqimore dhe menaxhimin e mbetjeve dhe zhvillimin e kapaciteteve për një turizëm cilësor dhe të qëndrueshëm.
Financuar nga qeveritë e Gjermanisë, Zvicrës dhe Mbretërisë së Bashkuar, programi shtrihet nga viti 2023 deri në 2026 dhe synon të krijojë mundësi për vetëpunësim, zhvillim ekonomik lokal dhe forcim të lidhjes midis traditës dhe inovacionit.
1 nga 7e.xh/j.p/