Të akuzuarit për inceneratorin e Tiranës mohojnë akuzat, Koka: Jam viktimë e Saliut dhe e partiçkës së vogël

Të gjithë të akuzuarit për çështjen e inceneratorit të Tiranës kanë mohuar akuzat e ngritura nga SPAK. Shumica prej tyre kanë folur vetë para togave të zeza duke pretenduar se kanë kryer detyrën dhe kanë zbatuar ligjin.
Mes tyre ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako, në mbrojtjen e tij ka pretenduar se për blerjen e makinerisë së birrës disponon fatura, duke mohuar akuzat e ngritura se mund ta ketë përfituar nga Klodian Zoto.
“E kam blerë personalisht në Çeki. Disponoj fatura që mund t’jua vë në dispozicion. Nuk kam përfituar blerje të tillë nga Klodian Zoto”, tha Bllako.
Për punësimin e Vladimir Bezhanit, Alqi Bllako tha: “Është një kontratë e ligjshme me sektorin privat. As me rregullore as me ligj nuk ndalohet. Është një nga tre ekspertët më të mirë në repunlikë sa i përket studimeve për trajtimin e mbetjeve. Paga e personit të punësuar ësjtë e ligjshme, sa kohë është e ligjshme s’ka motiv për të ngritur akuzë”.
Sa i takon komunikimeve të disa prej zyrtarëve me Klodian Zoton apo punonjës të kompanisë së tij, të akuzuarit kanë pretenduar se në rastin e ofertave të pakërkuara duhet të ketë komunikim, bisedime e kontakte mes firmës që ka shfaqur interes dhe kontraktorëve.
Ndërkohë, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka e ka konsideruar si politike arrestimin e tij.
“Kërkoj ndjesë gjithë stafit nëse janë këtu për shkakun tim. Ata kanë bërë më të mirën që mund të bënin. Akuzat janë ngritur mbi bazë të opinionit politik e mediatik. Jam viktimë e Saliut dhe e partiçkës së vogël. Ndjesë të gjithë juve (personave që janë akuzuar në dosjet ku ai është pjesë)”./vizionplus.tv/