Të ardhurat në buxhet rreth 626,6 miliardë lekë në janar-shtator

TIRANË, 23 tetor/ATSH/ Ministria e Financave ka publikuar të dhënat për performancën paraprake të treguesve fiskalë për periudhën janar-shtator, e cila reflekton ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve.
Të ardhurat totale, për periudhën janar-shtator 2026, arritën në rreth 626,6 miliardë lekë, një realizim në masën 100,3% të planit të periudhës.
Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën janar-gusht 2026, arritën në rreth 556,3 miliardë lekë, me një realizim në masën 92,8% të planit të periudhës.
Performanca Paraprake e të Ardhurave dhe Shpenzimeve për janar-shtator 2026:
Të ardhurat totale, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, u rritën me rreth 63,7 miliardë lekë ose 11,3% më shumë, një realizim në masën 76,1% të planit vjetor të mbledhjes së të ardhurave.
Të ardhurat e arkëtuara nga Tatimet dhe Doganat, për periudhën janar-shtator 2026, janë në shumën 401,9 miliardë lekë, 677 milionë lekë ose 0,2% më shumë se plani për periudhën 9-mujore 2026.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë janë mbledhur 29,6 miliardë lekë ose 7,9% më shumë.
Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale), për periudhën janar-shtator 2026, u realizuan në shumën 215,6 miliardë lekë, 21,9 miliardë lekë ose 11,3% më shumë se 9-mujori i vitit 2025.
Krahasuar me planin e periudhës 9-mujore, të ardhurat e mbledhura janë 3,7 miliardë lekë ose 1,8% më shumë.
Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto) u realizuan në shumën 65 miliardë lekë, 14,6 miliardë lekë ose 29% më shumë se 9-mujori 2025 dhe me realizim në shumën prej +5,9 miliardë lekë ose 110% të planit për 9-mujorin e vitit 2026.
Rimbursimet e dhëna për periudhën janar-shtator 2026 janë në shumën 11,3 miliardë lekë.
Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në shumën 42,3 miliardë lekë ose 95,7% e planit për 9-mujorin 2026.
Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, për periudhën janar-shtator 2026, janë në shumën 73 miliardë lekë, 9,8 miliardë lekë ose 15,5% më shumë se 9-mujori i vitit 2025.
Të ardhurat nga taksat nacionale, për periudhën janar-shtator 2026, u realizuan në shumën 35,2 miliardë lekë, 415 milionë lekë ose 1,2% më shumë se 9-mujori i vitit 2025, si dhe me realizimin në shumën 229 milionë lekë ose 100,7% të planit për 9-mujorin 2026.
Të ardhurat nga Fondet Speciale, që përfshijnë të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të mbledhura nga Administrata Tatimore, ISSH dhe FSDKSH, periudhën janar-shtator 2026, u realizuan në shumën 150,9 miliardë lekë, 15,9 miliardë lekë ose 13,5% më shumë se 9-mujori 2025 si dhe me realizim prej 100,5% të planit për 9-mujorin 2026.
Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare), për periudhën janar-shtator 2026, u realizuan në vlerën 186,3 miliardë lekë, 7,6 miliardë lekë ose 4,3% më shumë se 9-mujori i vitit 2025, me realizim në masën 98,3% të planit të periudhës.
Të ardhurat nga TVSH në import, për periudhën janar-shtator 2026, janë 122,6 miliardë lekë, 4,8 miliardë lekë ose 4% më shumë se 9-mujori i vitit 2025, si dhe realizim 97,6% të planit për periudhën 9-mujore 2026.
Të ardhurat nga akciza, për periudhën janar-shtator 2026, janë realizuar në shumën 54,5 miliardë lekë, 2,2 miliardë lekë ose 4,2% më shumë se 9-mujori i vitit 2025, një realizim në masën 99,8% të planit për 9-mujorin 2026.
Të ardhurat e arkëtuara nga renta minerare në eksport, për periudhën janar-shtator 2026, janë në shumën 1,5 miliardë lekë, ose 1,5% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë dhe realizim prej 110,7% kundrejt planit të 9-mujorit 2026.
Të ardhurat nga taksat doganore, për periudhën janar-shtator 2026, janë në vlerën 7,7 miliardë lekë, 654 milionë lekë ose 9,3% më shumë se periudha 9-mujore e vitit 2025, si dhe realizim prej 97,8% të planit të periudhës.
Shpenzimet:
Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 9-mujore të vitit 2026, arritën në rreth 556,3 miliardë lekë me një realizim në masën 92,8% të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025 ky zë ka rezultuar 7,5% më i lartë ose rreth 39 miliardë lekë më shumë.
Shpenzimet kapitale, për periudhën 9-mujore të vitit 2026, rezultuan në rreth 62,8 miliardë lekë, një realizim në masën 75,2% të planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 5,3% më i lartë ose rreth 3,1 miliardë lekë më shumë.
Shpenzimet korente, për periudhën 9-mujore të vitit 2026, rezultuan në rreth 493,5 miliardë lekë, një realizim në masën 95,7% të planit të periudhës, ku peshën kryesore e zënë shpenzimet për fondet speciale me 42,8% të totalit të shpenzimeve korente. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, zëri i shpenzimeve korente ka rezultuar 7,8% më i lartë ose rreth 35,9 miliardë lekë më shumë.
/k.s/a.f/r.e/