E Diel, 1 Nëntor 2026

Të ardhurat tejkalojnë pritshmëritë, performancë pozitive e financave publike, rritje taksash dhe disiplinë në shpenzime

Buxheti i shtetit ka nisur vitin me rritje të të ardhurave dhe me një ritëm më të moderuar të shpenzimeve. Të dhënat paraprake për periudhën janar–mars 2026 tregojnë se të ardhurat në arkën e shtetit kanë tejkaluar planin, ndërsa shpenzimet janë realizuar nën nivelin e parashikuar.

Sipas treguesve fiskalë, në tre muajt e parë të vitit në buxhet janë mbledhur rreth 205 miliardë lekë, ose mbi planin e parashikuar për këtë periudhë. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, të ardhurat janë rritur me rreth 24 miliardë lekë, duke reflektuar një zgjerim të aktivitetit ekonomik dhe një performancë më të mirë në mbledhjen e taksave.

Një nga zërat që ka shënuar rritjen më të fortë është TVSH-ja në ekonominë e brendshme, e cila është rritur ndjeshëm krahasuar me një vit më parë. Në rritje rezultojnë edhe të ardhurat nga tatimi mbi fitimin dhe tatimi mbi të ardhurat personale, që lidhen kryesisht me aktivitetin e bizneseve dhe tregun e punës.

Edhe kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore kanë shënuar rritje, një tregues që lidhet me shtimin e pagave dhe formalizimin e punësimit.

Ndërkohë, shpenzimet publike për tremujorin e parë arritën rreth 156 miliardë lekë, duke mbetur nën planin e parashikuar, edhe pse janë më të larta se një vit më parë.

Në tërësi, të dhënat tregojnë një nisje pozitive të vitit për financat publike, me të ardhura në rritje dhe me një menaxhim më të kujdesshëm të shpenzimeve gjatë muajve të parë të vitit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›