E Diel, 1 Nëntor 2026

Të armatosur dhe me automjet të blinduar – Arrestohen dy të rinj në Durrës

Si rezultat i një aksioni të shpejtë dhe të koordinuar nga Policia e Durrësit, janë arrestuar në flagrancë dy persona që qarkullonin me automjet të blinduar dhe të armatosur. Gjatë operacionit u sekuestruan një armë zjarri pistoletë me krehër me fishekë, një targë ruse e falsifikuar, një shumë parash dhe tre celularë.

Sipas njoftimit nga Policia e Shtetit, operacioni i koduar “Blindi” u finalizua pas administrimit të një informacioni të siguruar në rrugë operative, që sinjalizonte lëvizjen e dy shtetasve të armatosur me një automjet të blinduar në qytetin e Durrësit. Shërbimet e Komisariatit të Policisë ndërhynë menjëherë, duke ndaluar mjetin dhe duke kryer kontrollin e imtësishëm.

Në automjetin e ndaluar udhëtonin shtetasit E. D., 28 vjeç, dhe E. B., 29 vjeç, të dy banues në Durrës. Gjatë kontrollit, përveç armës së zjarrit dhe municionit, u gjetën edhe një targë e dyshuar si e falsifikuar, një shumë parash dhe pajisje komunikimi.

Pas përfundimit të veprimeve procedurale, E. D. u arrestua për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, ndërsa E. B. për “Moskallëzimi i krimit”. Materialet hetimore janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Policia e Durrësit njofton se operacione të tilla do të vijojnë, me fokus garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe parandalimin e veprimtarive të paligjshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›