E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të arratisurit e diktaturës rrëfehen

Dokumentari “Rendja drejt ëndrrës...arratisja” i regjisorit Namik Ajazi pati premierën mbrëmjen e së mërkurës. Në rreth 40 minuta, veç materialeve arkivore, protagonistët realë treguan rendjen drejt ëndrrës dhe dramën e madhe kaluar qelive të burgjeve

Mjegull, ushtarë që vihen pas gjurmëve në dëborë, të shtëna dhe një i ri plandoset i pajetë. Gjithë sa shihet në ekranin e madh është vetëm një inskenim i vrasjeve që kryheshin në kufirin shqiptar të diktaturës, ndaj atyre që guxonin të arratiseshin. Materiali i nxjerrë nga arkivat e AQSHF-së i ka shërbyer regjisorit Namik Ajazi si prolog i dokumentarit mbi të njëjtën temë. Atë të qindra historive të arratisjes përmes kufirit tokësor dhe detar, të kalvarit të shumë të rinjve që tentuan të iknin, u kapën e u torturuan qelive të burgjeve.

“Rendja drejt ëndrrës... arratisja” e pati premierën mbrëmjen e së premtes në “Millenium 2”. Dokumentari ndërtuar mbi skenarin e Alida Cenes dhe Namik Ajazit, sillte pa zgjatje në kohë një historik dhënë edhe në shifra të tentativave për arratisje në kohën e diktaturës, sfond i nevojshëm mbi të cilin qëndronin rrëfimet e dëshmitarëve realë. Historitë e tyre janë të ndryshme, tipike, mbushur me dëshirë të madhe për një botë tjetër, por edhe me dhimbje. Pas shumë vitesh, para kamerës ata rrëfejnë fragmente të ëndrrës së tyre, guximit që i shtyhu të zvarriteshin poshtë telave me gjemba, apo t’i futeshin detit me kokë.

Ata që janë gjallë, i kanë ende gjurmët e vuajtjeve, për të tjerët, ata që mbetën viktima të ëndrrës së tyre, rrëfejnë familjarët. është një ish-oficer i zbulimit, Meno Dedaj, i vetmi që ka pranuar të flasë, ai që nis rrëfimin. I veshur në petkat e diplomatit, ai gjurmonte jashtë vendit për veprimtari të mundshme të të arratisurve kundër shtetit të izoluar. “Askush nuk kryente veprimtari të tilla, megjithatë familjet e tyre internoheshin”, thotë ai. Pas krahëve të Lavdije Nelës duket horizonti që ndan botët. Bashkëshortja e poetit Havzi Nela, i ekzekutuar më pas nga regjimi, tregon tentativën e arratisjes së të dyve dhe vendimin të ktheheshin sërish. Nga ajo kohë nuk do të ishin më bashkë. Hysen Xhani tentoi ta linte Shqipërinë që në vitin 1959, së bashku me tre shokë të tjerë përmes Pogradecit. Arriti të arratisej, të shkonte në Jugosllavi, të fitonte një status, por i gënjyer nga amnistia vendos të kthehet sërish në vendin e tij.

Më vonë ai tregon se për vite të tëra e lanë pa punë, e mbanin larg pse nuk pranonte të bashkëpunonte dhe më vonë e dënuan me 10 vite burg. Fatmir Muslikaj është rreth të 40-ve sot, por atëkohë ishte vetëm 17 vjeç. I riu pa t’i viheshin prangat, ta tërhiqnin zvarrë në Kukës dhe në fshatrat përreth për t’i treguar popullit se ç’i ndodhte tradhtarit të atdheut. “I jam mirënjohës popullit të Kukësit që atëkohë nuk më përbuzi”, shprehet ai.

Një tjetër kuksian që as mundi ta kalonte kufirin, përfundoi fillimisht qelive e më pas në spitalin psikiatrik, i tradhtuar nga shoku i tij që kallëzoi tentativën për arratisje. “Unë nuk jam i vjetër, jam vetëm 44 vjeç, por ilaçet e spitalit më shkatërruan”, pohon ai para kamerës, me trupin e imët dhe fytyrën mbuluar nga rrudhat. Vasil Nasto është një tjetër dëshmitar e një tjetër i mbijetuar. I përket grupit të të rinjve që tentuan të iknin me not nga Saranda. Thuajse ia kishin arritur, kur të çorientuar panë t’u kalonte afër një anije tregtare. Menduan se ajo ishte shpresa për atë ditë e për të ardhmen. “Për fatin tonë të keq, ajo anije ishte shqiptare”, tregon sot Nasto.

Historia e tij pasohet me dy histori të tjera, këtë radhë jo fatlume. Ata nuk jetojnë më që t’i tregojnë. Janë viktima të fillimviteve ’90, atëherë kur në dukje ligji për arratisjen u ndryshua dhe u quajt vetëm shkelje kufiri që dënohej deri në 2 vjet burgim. Të nxitur nga kjo, shumë të rinj iu drejtuan kufirit dhe pjesa më e madhe e tyre mbetën të vrarë. Mes tyre ishin edhe Besnik Koburja e Sokol Hodaj. I pari, një djalosh notar, humbi në mënyrë të mistershme në nëntor të ‘90-s në ujërat e Jonit.

E motra tregon se atëkohë u përhapën shumë thashetheme, disa folën edhe për lajme greke që e cilësonin “luani i detit”.

Por me shumë mundësi ai mbeti i vrarë në det. Tjetri, djali nga Cërriku, së bashku me një tjetër shok mbeti i vrarë në prill të ‘90-s, sepse kundërshtoi të dorëzohej. Këto janë vetëm pak nga ato histori që përshkruheshin çdo ditë e sistemoheshin në dosje. Namik Ajazi tregon se me konsulencën e Kastriot Dervishit, drejtorit të Arkivit të Ministrisë së Brendshme, kanë parë në dokumente ato që asaj kohe veçse përfliteshin. Xhirimet e këtij dokumentari, pjesë e një cikli për problemet e emigracionit shqiptar, që paraprakisht është titulluar “Denjësisht shqiptar”, kanë nisur në vitin 2008 dhe përfshijnë një hapësirë të gjerë gjeografike: nga Kukësi në Gjirokastër, përfshirë edhe qytete si Pogradeci e Korça.

“Ka qenë shumë e vështirë për të përfshirë në këtë dokumentar dëshmitarët realë. Ata kishin dëshirë të mbesnin në harresën që i kishim lënë ne dhe historia. U munduam ta kalonim këtë handikap duke përmbledhur disa histori që për mua ishin domethënëse, përfaqësonin grupe që kishin tentuar të kalonin asokohe kufirin dhe direkt ose indirekt ëndrra e tyre ishte kthyer në dramën e tyre. Ne kemi përfshirë historitë e arratisjes nga viti ‘55-‘90 dhe nuk u morëm me pjesën që në fjalorin e Ministrisë së Brendshme të asaj kohe quhet pjesa e bandave ose e grupeve diversioniste, që vinin të instrukturuara për të përmbysur sistemin”, shprehet regjisori Namik Ajazi.

Në 40 minuta, për pjesën historike të dokumentarit ishin shfrytëzuar materialet arkivore. Regjisori tregon se ata udhëtuan drejt zonave kufitare për të kërkuar atë pjesë të kufirit që quhej e paprekshme.

“Ato që gjetëm kudo ishin disa tunele ku flinin prej vitesh prozhektorët e shkatërruar me karbon, të cilët për fat të keq nuk mund t’i përdornim as për të rindërtuar një pjesë të ngjarjeve që kanë ndodhur vetëm 20 vjet më parë. Nuk kishte më asgjë të ngjashme”, tregon Ajazi. Gjithë kalvari i arratisjeve ndër vite ka ardhur nën zërin e aktorit Alfred Trebicka, ndërsa për pjesën tjetër të dokumentarit kanë punuar Arben çeku si drejtor fotografie, Arben Meço si operator zëri, ndërsa montazhi është realizuar nga Dritan Dani. “Rendja drejt ëndrrës... arratisja”, nuk është një dokumentar shterues për qindra historitë e arratisjeve shqiptare gjatë kohës së diktaturës, por një revokim i asaj drame të madhe.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›