E Diel, 1 Nëntor 2026

NATO refuzon shfuqizimin e Marrëveshjes së Kumanovës

Aleanca: Nuk ka kushte dhe rrethana për t’i dhënë fund Marrëveshjes së Kumanovës. Ajo mbetet edhe më tej në fuqi

NATO-ja ka refuzuar propozimin e Beogradit zyrtar që të zhvleftësohet Marrëveshja Teknike-Ushtarake e Kumanovës, e nënshkruar më 9 qershor 1999, njofton media në Kosovë. Me këtë marrëveshje iu dha fund luftës në Kosovë dhe u bë e mundur vendosja e mbi 50 mijë trupave të KFOR-it, si garant të paqes dhe të sigurisë në Kosovë. Ky propozim i Beogradit zyrtar është shqyrtuar tash e sa kohë nga kreu i Paktit NATO, duke ardhur në konkludim që aktualisht nuk ka kushte dhe rrethana për t’i dhënë fund Marrëveshjes së Kumanovës, që do të thotë se ajo mbetet edhe më tutje në fuqi.

Një diplomat perëndimor, që preferoi të mbetet anonim, i tha gazetës “Zëri” që në kreun e NATO-s fillimisht ka pasur dilema se si duhet reaguar ndaj kësaj oferte të Beogradit zyrtar, i cili është nënshkrues i kësaj marrëveshjeje. Ka pasur edhe zyrtarë të NATO-s që kanë menduar se ia vlen të konsiderohet seriozisht ky propozim, pos të tjerash, sepse Pakti NATO preferon përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë, e cila ka hyrë në programin e “Partneritetit për Paqe” në vjeshtën e vitit 2008, megjithëse, në ndërkohë ka shpallur neutralitetin ndaj aleancave ushtarake. 

Megjithatë, në fund, në Paktin NATO ka mbizotëruar qëndrimi se është ende herët t’i jepet fund Marrëveshjes Teknike-Ushtarake të Kumanovës, e cila përndryshe është pjesë përbërëse e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (10 qershor, 1999), me të cilën është krijuar edhe Misioni i UNMIK-ut në Kosovë. 

Autoritetet më të larta të Paktit NATO (Admirali Fitzgerald, komandanti i Krahut Jugor të Paktit NATO dhe i Komandës së përbashkët, së cilës i subordinohet edhe misioni i
KFOR-it, dhe gjenerali Marcus Bentler, komandanti i KFOR-it), në paraqitjet e tyre publike gjatë këtij viti kanë theksuar disa herë që derisa Kosova nuk është e kërcënuar nga jashtë (duke përfshirë këtu edhe forcat ushtarake të Serbisë), gjendja në veri të Kosovës, me praninë e strukturave ilegale, paraqet një kërcënim dhe një sprovë për KFOR-in dhe Prishtinën zyrtare. 

Megjithëse aktualisht del që propozimi i Serbisë për shfuqizimin e Marrëveshjes së Kumanovës është hedhur poshtë prej Paktit NATO, sipas burimeve diplomatike perëndimore në Prishtinë, kjo çështje do të mbetet mbi tavolinën e kreut të NATO-s edhe në të ardhmen.

Gjendja në veri të Kosovës vazhdon të kualifikohet në këtë mënyrë, pra, si burim i jostabilitetit të Kosovës, dhe ky përshkrim ka mbizotëruar edhe në vendimin e javës së kaluar të Paktit NATO, që të mos ngutet me shkurtimin e mëtejmë të trupave të KFOR-it në Kosovë, prej 10 mijë sish, sa janë tani, në 5 mijë trupa, sa do të duhej të ishin në fazën e parafundit të qëndrimit të KFOR-it në Kosovë.

Marrëveshja Teknike-Ushtarake e Kumanovës jo vetëm që ka mandatuar KFOR-in të jetë garant i paqes dhe i sigurisë përballë kërcënimeve nga jashtë (prej Serbisë), por po ashtu i ka dhënë detyrë këtij misioni të jetë edhe garant suprem i sigurisë në Kosovë, gjë që ka bërë që në disa raste KFOR-i të intervenojë fuqishëm edhe brenda territorit të Kosovës, siç ka ndodhur edhe gjatë trazirave të marsit 2004, që morën jetën e 14 qytetarëve të Kosovës.

Ky mandat i KFOR-it është pranuar prej autoriteteve të Kosovës nëpërmjet Propozimit Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari (mars 2007), përmes të cilit Kosova u bë shtet i pavarur.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›