Të djathtët në KiE vlerësojnë zgjedhjet e 25 prillit: Ishin me standarde

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ka diskutuar këtë të hënë zgjedhjet e 25 prillit dhe sipas deputetit Arlind Çarçanit, që është përfaqësues i Shqipërisë në këtë Asamble zgjedhjet vlerësohen si më të mirat të organizuara ndonjëherë në vendin tonë.
“Është një ditë e rëndësishme për vendin tonë ku në Asamblenë e Këshillit të Europës po raportohet mbi Zgjedhjet e 25 Prillit të mbajtura në Shqipëri. Si përfaqësues të Shqipërisë në delegacionin e PACE sot në asamble ndihemi të nderuar që nga të gjithë folsit kemi marr vlerësim për mbajtjen e zgjedhjeve me standarte në vendin tone. Ku u vu në dukje dhe u theksua që zgjedhjet ishin më të mirat ndër vite. U vlerësua Reforma Zgjedhore, si dhe puna e të gjitha institucioneve për përgatitjen e mbarëvajtjen e zgjedhjeve”, tha Çarçani.
Deputeti i opozitës parlamentare thotë se zgjedhjet u vlerësuan madje edhe nga kreu i grupit parlamentar të së djathtës në këtë Asamble, Aleksander Pociej.
“Delegacioni i vëzhgimit të zgjedhjeve të Kuvendit arriti në përfundimin se Zgjedhjet Parlamentare u karakterizuan nga fushata të gjalla dhe gjithë përfshirëse falë një kornize ligjore që ndihmoi në sigurimin e respektimit të lirive themelore. Delegacioni vëzhgues i Asamblesë vuri në dukje se ditën e zgjedhjeve, në shumicën e qendrave të votimit të vizituara nga anëtarët e delegacionit, procesi i votimit ishte përgjithësisht i qetë dhe procedurat ndiqeshin në përgjithësi. Delegacioni ynë vuri në dukje se zgjedhjet parlamentare u mbajtën pas një marrëveshje politike përparimi të arritur në Qershor 2020 e cila u pasua nga një reformë zgjedhore”, citohet Pociej.
Sipas vëshguesve të KiE korniza ligjore është një bazë e përshtatshme për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, me përjashtim të disa paqartësive që janë vërejtur.
Delegacioni vëzhgues i KiE përbëhej nga 20 anëtarë dhe mbërriti në Shqipëri më 21 prill dhe mbylli misionin më 26 prill. Delegacioni i Asamblesë u nda në 11 ekipe dhe vëzhgoi proçesin e votimit në një numër vend votimesh në Tiranë, kryeqytetin dhe rrethinat e saj, si dhe në Elbasan, Durrës, Kavajë, Dibër, Fier dhe në fshat.
Në lidhje me këtë vlerësim të KiE ka reaguar edhe Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla.
“Zgjedhjet e 25 Prillit në Shqipëri marrin vlerësim tejet pozitiv nga raporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, e cila mbështet gjithashtu përmes deputetëve të vendeve anëtare të BE mbajtjen e menjëhershme të Konferencës së Parë Ndër-Qeveritare BE-Shqipëri”, shkruan ai.
Sipas Ballës, raporti i PACE vlerëson se: Votimi ishte i qetë, i sigurtë dhe korniza ligjore siguron respektin e lirive themelore dhe është një bazë e përshtatshme për zgjedhjet demokratike.
Reformimi i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, si një institucion i mirëorganizuar dhe transparent.
Zbatimi i teknologjive të reja si identifikimi dhe votimi elektronik forcoi besimin e procesit zgjedhor.
Ecuria e fushatës, votimit dhe numërimit treguan se këto janë zgjedhjet më të mira të mbajtura ndonjëherë pas peridhës së tranzicionit.
Përfaqësimi gjinor u vlerësua në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe prioritare: 35% e Kuvendit do të jenë gra.
Raporti thekson se Qeveria Shqiptare PËRMBUSHI angazhimet e saj në mbajtjen e zgjedhjeve:
Paqësore
Të barabarta
Të lira dhe të ndershme, në përputhje me standartet e përparuara.