Të falur ose me qira të lirë
Tomas Logoreci, një regjisor i pavarur në Amerikë, erdhi dy vjet më parë në Shqipëri, me rastin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, si një trashëgimtar i Logorecëve të emigruar dikur në Botën e Re. Këtë vit Tomasi mori përsipër në TIFF një mision të veçantë, të programuesit. Është hera e parë që një festival botëror në Tiranë, për të cilin akoma nuk mund të thuhet se ka muskuj të fortë që të qëndrojë në këmbë, ka përdorur llogjikën e programuesit. I tillë është ai person që gërmon gjithkund për të zgjedhur filmat konkurrues në festival dhe nuk pret që këtë zgjedhje ta bëjë nga zyra, nga ç’i vijnë në derë, por në terren.
Tomasi duhet të kërkonte filma të shkurtër dokumentarë, artistikë, të animuar, eksperimentalë që mbi të gjitha duhej të ishin cilësorë. “Kështu që pjesa më e madhe e këtij viti më kaloi duke kontaktuar regjisorë dhe fitues festivalesh ndërkombëtare, kudo që ndodheshin”,- shton ai.
Por, për këto punë nuk mjafton pasioni, dëshira dhe vullneti. Duhen financa, çështje që e po e detyron TIFF-in të vijë deri tek edicioni aktual, duke hequr këmbën zvarrë. Ka dy vjet që festivali nuk gëzon më as mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. “Buxheti ynë është rreth 40 000 dollarë, një shumë e vogël për realizimin e një festivali” thotë Tomas Logoreci.
Është një faktor që ka ndikuar edhe numrin e ulët të filmave pjesëmarrës. Sipas programuesit tonë, një pjesë e mirë e filmave janë dhuruar nga regjisorët, përndryshe, blerja e tyre nuk mund të përballohej. Qiraja për një film të gjatë është shumë më e lartë se ajo e një filmi të shkurtër. Regjisorët e filmave me metrazh të shkurtër zakonisht i japin filmat e tyre falas ose kundrejt një tarife të vogël. “Filmi “Heshtja e Lornës” na u dha me një qera të lirë, sepse Arta ishte shqiptare dhe regjisorët Jean Pierre & Luc Dardenne donin që filmi të shfaqej edhe në Shqipëri”.
Për këtë edicion, Tomasi i cili është marrë edhe me hartimin e programit special –në ditët e ardhshme ai premton disa surpriza që i ka zbuluar në Arkivin Shtetëror Shqiptar të Filmit – kishte menduar të ishte i ftuar regjisori amerikan Abel Ferrara. Në filmin e tij “Go, go hotel” interpretojnë tre aktorë shqiptarë. Kjo gjë nuk u bë e mundur për shkak se fondet nuk mjaftonin. “Nëse situata do të vazhdojë kështu unë nuk e di se çfarë do t’i sjellë viti tjetër festivalit. Nuk e di nëse do të jemi në gjendje të vazhdojmë”,- shprehet ai.
Ky Logorec që po e ofron me dëshirë kontributin e tij, pak vend i lë optimizmit edhe kur komenton zhvillimin e sotëm të kinematografisë shqiptare.
Në seksionin e konkurrimit kombëtar në TIFF ai ka sugjeruar projeksionin e filmit dokumentar “Tranzicioni i thellë”, që bën fjalë për realitetin shqiptar. “Unë mendoj se ky dokumentar duhet të marrë pjesë në çdo festival në botë”,- thotë Tomaso, “pasi jashtë Shqipëria nuk njihet aspak, dhe është detyrë e artisteve t’i flasin botës për të. Një vit më parë kinemaja rumune pati një hop të madh, shëtiti dhe u bë e njohur në të gjithë botën. Edhe filmi shqiptar duhet përshkojë një udhë të tillë”.
TIFF - Rubrika
Filmi shqiptar sipas Gjin Varfit: “Filmat për fëmijë vetë bëhen, vetë pëlqehen dhe vetë shiten.”