E Diel, 1 Nëntor 2026

Të fshehura në mbajtësen e kufjeve, sekuestrohen doza kanabisi në Vlorë, arrestohet 17-vjeçari

Policia e Vlorës ka arrestuar një 17-vjeçar, i cili shpërndante kokainë dhe kanabis tek adoleshentët dhe ka proceduar në gjendje të lirë një 16-vjeçar.

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara për dy adoleshentë që mund të shpërndanin lëndë narkotike, kanë ushtruar kontrolle në akset kryesore dhe në disa zona të qytetit.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, mbrëmjen e djeshme, në lagjen “Pavarësia”, në Vlorë, u ndaluan dhe u kontrolluan fizikisht dy adoleshentë që ishin të dyshuar si shpërndarës të lëndëve narkotike.

Gjatë kontrollit ndaj shtetasit 17-vjeçar, në çantën e tij (marsup) dhe në mbajtësen e kufjeve, u gjetën 10 doza të mbështjella me qese plastike, të dyshuara si lëndë narkotike e llojit kokainë, ndërsa në xhep iu gjet një sasi e dyshuar lënde narkotike e llojit kanabis, e mbështjellë me letër alumini.

“Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë arrestuan në flagrancë 17-vjeçarin D. M., si dhe proceduan në gjendje të lirë 16-vjeçarin”, njoftuan blutë.

Ndaj tyre rëndon vepra penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›