Të ftuarit e PS në konferencë rrëzuan programin ekonomik të saj - zhyt Shqipërinë në krizë
Kryeministri Berisha analizon ditën e dytë të konferencës së PS me zyrtarë të Bankës Botërore, duke deklaruar se të ftuarit në atë tryezë rrëzuan programin ekonomik të Edi Ramës. Sipas kryeministrit, ekspertët kërkuan rritje ekonomike dhe jo rritje të taksave
Deklarata/Ministrat e Ramës, më injorantët që ka parë ndonjëherë rruzulli tokësor
Duke komentuar konferencën e PS për zhvillimet ekonomike me zyrtarë të Bankës Botërore, kryeministri Berisha tha se të ftuarit në tryezë rrëzuan programin ekonomik të Partisë Socialiste. Në vlerësimin e kreut të qeverisë, ekipi i Ramës i ka shanset e dështimit 95%, ashtu siç e shprehu hapur një ish ministër i financave. “Në qoftë se dje bashkëbiseduesve, njerëz të nderuar, që të gjithë pa përjashtim, zyrtarë kryesorë në Bankën Botërore të rajonit, ish ministra të financave dhe të vendeve që kanë bërë reforma të thella, i përsërisnin ekipit të piktorit se detyrë kryesore ishte parandalimi i krizës, piktori u jepte mësime njëlloj si xhaxhi i tij. Ata kishin ardhur t’i thonin se çfarë duhet bërë, ndërsa ai vazhdonte të thoshte se çfarë duhet bërë me kryeministrin që është në detyrë dhe që për një apo dy javë nuk është më. Në këto deklarata unë do të citoj vetëm disa prej tyre. Shanset e dështimit të këtij ekipi janë 95% dhe këtë jua tha hapur një ish ministër i financave”- tha Berisha. Ai theksoi se socialistët mohojnë gjithçka në një kohë kur gjithçka e dokumentuar fakton se Shqipëria parandaloi krizën përmes reformave.
“Dhe kjo sepse këta mohojnë gjithçka, në një kohë kur çdo dokument, çdo ekspert i vërtetë i vendit dhe i huaj thotë se Shqipëria nëpërmjet reformave parandaloi krizën. Atëherë parashikimi i këtij eksperti të vërtetë është se në rast se ju do të mohoni gjithçka, ju do të përfundoni në hiç. Kudo e nisni, nga do ta filloni? Kriza është lubi, është ndëshkim shumë i madh por të kapë shqiptarët. Unë i kuptoj pakënaqësitë e tyre, por ju them se nuk janë asgjë dhimbjet e sotme, se sa ç’mund të jenë dhimbjet e recensionit. Një ekspert tjetër, shumë i madh, i cili solli edhe eksperiencën e vendit të tij, Suedisë, një nga eksperiencat më të shkëlqyera sot, ju tha: “rrisni ekonominë, mos rrisni taksat”. Ju duhet të synoni rritjen e ekonomisë, jo të taksave, pasi rritja e tyre i kundërvihet rritjes ekonomike. E treta është e rëndësishme sepse ata që u paraqitën dje, bënë përfaqësimin më ç’dinjitoz që mund t’i bënte një vendi dhe ata nesër do të jenë qeveria e vendit tim dhe unë nuk do të doja kurrë që qeveria e vendit tim të paraqitej në atë formë. Gjithashtu u thanë: mos ulni investimet, pasi ulja e tyre do të thotë shtyrje e krizës. Mbajtja e tyre, jam i vetëdijshëm që është gjëja më e vështirë. Është e vërtetë që krijon borxhe, por qeveri në botë sot pa borxhe nuk ka. Edhe ato që janë pa borxhe nuk janë pa probleme të tjera. Por ata haptas u thanë se në qoftë se do të ulni investimet, ju do ti vrisni ato. Pra programi pësoi të njëjtin fat si me ekspertin e shquar bullgar që sollën këtu për ta bindur për taksën progresive dhe u tha të kundërtën. Deklarata qesharake të atyre që nesër do të ulen si ministra. Ministri i energjetikes thoshte se problemi më madhor ishte se po na ikin ekspertët në Kanada, po injoranca nuk është argument. Në qoftë se po të ikin ekspertët në Kanada, bliji ekspertët nga Kanadaja dhe jepu rrogën që të vijnë. Duhet ta dinë se në malet e Bulqizës ka ndenjur tre muaj një nga kryeinxhinierët më të shquar të planetit, korporatës së dytë në botë më të madhe, të mineraleve. Në Shqipëri si në asnjë vend tjetër po ndërtohet HEC me të cilat ky ekip po bën luftën e Don Kishotit me mullinjtë erës. Natyrisht ekspertët e huaj bënë një paraqitje shumë të mirë të përparësive. Ata që unë takova, dua t’i informoj shqiptarët, se i kërkova haptas që ta ndihmojnë Shqipërinë sepse me të gjithë këto, faturën e paguan qytetari thjeshtë. Përkundrazi këta kanë rroga binjake, këta ministra i kushtojnë taksapaguesve shqiptarë më shumë se të gjithë ministrat në historinë këtij vendi, sepse ata janë me binjakë. Binjakët po ti kesh fëmijë, të ka bekuar Zoti, po ti kesh binjakë me rroga të gjobisin. I jep mandatin atij tjetrit dhe në parlamentin që e ke me 140, e që duhet të ishte me 120 ç’është e vërteta, tani na bëhet më 160, përsa u përket rrogave. Por kjo është matematika e piktorit.
Konferenca e PS dramë me dy akte, Rama do të shtrijë 20%-in në të gjithë vendin, ministrat e tij injorantë
Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e radhës të qeverisë komentoi konferencën dyditore të Partisë Socialiste. Ndalur në ditën e parë të kësaj konference e cila trajtoi çështjet që lidhen me territorin, kreu i qeverisë vlerësoi se sinjali i qartë i diskutimeve të kryesocialistit Rama lidhej me marrjen në dorë të të gjitha atributeve që aktualisht janë të qeverisë vendore. Kryeministri tha se aferën 20%-she 11 vjeçare në Bashkinë e Tiranës, Edi Rama do ta shtrijë në të gjithë Shqipërinë. Ai e konsideroi të parecedentë vendimin e Ramës për të prishur shtëpitë me leje.
“Dy ditë e shkuara në Tiranë ka patur një ngjarje të veçantë, një konference dy ditore, e cila ishte një drame me dy akte. Akti i parë ishte dita e arkitekteve të miliarderëve të PS dhe disa arkitektëve nga Europa, por që janë bërë milionere me projektet e tyre ne Tiranë dhe këtu nuk kam asnjë objeksion, përveç studiove që së bashku me Ramën kishin parashikuar ndërtimin e 35 kateve tek Liqeni Artificial dhe që një ndërtues akuzoi direkt piktorin se e ke bërë kundrejt 20 % apo studio që kishte parashikuar shndërrimin e sheshit Skënderbe në piramidë. Por dita e parë e kësaj drame u karakterizua nga fakti se kryeministri i ardhshëm u dëshmoi shqiptarëve se preokupimi i tij më madhor ishte e para të shtinte në dorë të gjithë territorin e vendit, në një kohe kur administrimi i territorit është atribut me kushtetutë i qeverive vendore. Pra ky e di që mjalti i mjaltit është 20% dhe tani ky 20% duhet të shtrihet në të gjithë vendin, akt i frymëzuar nga periudha e tij si kryetar bashkie i Tiranës, periudhë në të cilën e la Tiranën në një situatë dramatike. Po kjo përpjekje ka marrë përgjigjen përfundimtare nga Gjykata Kushtetuese në një vendim të vitit 2006, e cila përcakton me fuqinë e normës kushtetuese se territori është krejtësisht çështje e qeverive vendore dhe nuk është ky preokupimi im. Revanshi i tij është evident. Në këtë revansh ndaj territorit spikat deklarata e tij se do të prishë ndërtimet pa leje dhe ne përgëzojmë për çdo ndërtim që do të prishë, ndonëse ato janë atribute të qeverive vendore, por unë vetë personalisht kam parashikuar ngritjen e policive ndërtimore për prefekturat. Unë e përgëzoj zotin Rama nëse ai këtë pikë të programit tonë e përzgjedh për programin e tij dhe unë jam për zbatimin e ligjit dhe nuk mund të jetë kurrë jetim, por në qoftë se për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese Inspektorati u decentralizua, ne jemi të gatshëm të mbështesim një inspektoriat, i cili konform rregullave të mund të imponojë zbatimin e plotë të ligjit në ndërtimet dhe objektet. Mirëpo piktori nuk ndalet vetëm tek të paligjshmet. Ai thotë se do të prishë edhe ndërtimet me leje, akt i paprecedent”- u shpreh kryeministri.
Njëkohësisht, kreu i qeverisë shigjetoi ashpër pasardhësin e tij lidhur me projektet që kërkon të aplikojë në bregdet. “Shtëpitë me leje do të prishen sipas kriterit klasor, sipas urrejtjes që mbartin dyshja Rama-Kokëdhima. Në mënyrë kategorike, absolute, kundërshtojmë dhe do të kundërshtojmë prekjen e çdo objekti të ndërtuar me leje. Qeveria mund të prishë çdo objekt, por kundrejt rregullave të caktuara të shpronësimit, të shtetëzimit dhe për motive të caktuara. Po çfarë fshihet pas gjithë kësaj përpjekje? Fshihet prishja e planeve të urbanizimit, e planeve të zhvillimit. Meqenëse në Tiranë kishte ngulur Koçoja ku kishte dashur pallate bashkë me Ramën, tani plani duhet të anulohet ndërkohë që ka filozofinë më demokratike. Por ndër të tjera duhet të anulohet edhe plani i bregdetit sepse dyshja Rama-Kokëdhima kanë ngulur një kështjellë të tërë, në 30 metra nga buzëdeti, në zonën më të ndaluar sipas planit, në ligatinë dhe shkoni filmojani, tregojani shqiptarëve, është në detyrën tuaj, zotërinj të medieve, të dëshmoni se kush po ndërton në rërë se cili po ndërton kështjellën në rërë, në kundërshtim flagrant me planin e territorit, në zonën ku nuk lejohet ndërtimi. Ndaj ai duhet të bëjë planin ku të përfundohet kështjella”- tha Berisha. Ai solli në vëmendje se pjesa më tragjike ishte pasioni dhe adhurimi i Edi Ramës për Enver Hoxhën dhe trashëgiminë e tij. Sipas tij, Edi Ramës jo vetëm nuk i është dobësuar adhurimi për xhelatin e shqiptarëve, por ai e ka peng në shpirt. “Për shqiptarët Enver Hoxha është një Hitler dhe unë i kërkoj të mos i provokojë, nuk është në interesin e tij të provokojë. Shqiptarët janë të gatshëm të reagojnë dhe në mënyrë më të fuqishme ndaj çdo provokimi që mund tu bësh me trashëgiminë e njeriut më gjakësor në historinë tyre, e njeriut që Europa në pranverën e 81, në një deklaratë shumë të rëndësishme e cilësoi Hitleri pasluftës. Pra në aktin e parë të dramës çështja më kryesore e tij ishte se si do ta stilosin piramidën ku nga jashtë muzika do të jetë: Xhaxhi Enver, Xhaxhi Enver/ e ke gojën me sheqer/ me sheqer e me hurma/ lum Edvini që të ka. Pra ky ishte preokupimi i shqiptarëve për punë, ky ishte preokupimi i shqiptarëve për rroga, për shëndetin, për arsimin, për të gjitha, ishte piramida e Enver Hoxhës, ku fëmijët duhet të rrëshqasin nën tingujt e kësaj muzike dhe vila e tij ku duhet të falen krerët socialistë. Sidoqoftë përpjekja dhe rikthimi në mendime të shprehura në këtë mbledhje të vitit 1998, nga piktori kur ishte ministër i kulturës, për vilën e Enver Hoxhës dëshmon se atij, jo vetëm nuk i është dobësuar adhurimi për xhelatin e shqiptarëve, por ai e ka peng në shpirt që nuk e realizoi atëherë dhe nuk do ta realizojë dot e garantoj. Mos provoko shqiptarët për Enver Hoxhën se do të përballesh me zemërimin e tyre më të fuqishëm. Ai është një gjakësor që ka ekzekutuar me dhjete e mijëra shqiptarë për vlerat që ne kemi sot. Ai është një armik i egër i lirisë shqiptarëve kudo që ishin. Ai ishte një armik i egër i botës së lirë dhe vlerave të saj. Nuk mundet adhurimi patologjik që ke, që tua imponosh shqiptarëve”- theksoi Berisha. Por, vijoi kryeministri, akti i dytë kishte aspekte ndër më interesantet. Ndërsa ndalur në ditën e dytë të konferencës që trajtoi çështjet ekonomike, kryeministri ironizoi përballjen e ministrave në ardhje dhe të ekspertëve në panel. “Drama thotë Ëilliam Shekspir është gracka ku shpirti i mbretit kapet si laraska. Në konferencën e djeshme, të ftuarit e nderuar, të cilët unë i përgëzoj për dinjitetin e treguar dhe i falënderoj se u thanë shqiptarëve të vërtetat. Panë përpara tyre ekipin e ardhshëm më të papërgjegjshëm, më injorant, më të padije, më të paskrupullt që kanë parë ndonjëherë në rruzullin tokësor. Do tu lutem shumë qytetarëve dhe mediave, për të lexuar materialet e kësaj konference për të kuptuar se kush janë ata që marrin përsipër ekonominë shqiptare. Vetë piktori njoftoi shqiptarët se për tre muaj nuk do të ketë drita, çka do të thotë se kanë bërë gati skemën e ndërprerjes së energjisë. Unë i njoftoj shqiptarët se si sot kjo ditë krahasuar me vitin e kaluar, falë një qëndrimi dhe vullneti për një stabilitet në furnizimin me energji, ne lamë në diga 300 milionë kilovat/orë më shumë se çkemi patur vitin e kaluar. Shifrat janë aty. Lamë rreth 7 metra lartësi më të madhe në digën e Fierzës. Qeveria, enti rregullator bënë gjithçka. Pra këtë vit kremi 300 kilovat orë më shumë dhe lajmi i vetëm që dha nga konferenca zoti Rama se në mënyrë absolute dy fjali nuk lidhi dot, në kuptimin ekonomik të fjalës dhe lexojmë që të gjithë: dramatike është gjendja. Dhe mu kujtua një mik i imi që më thoshte ky nuk është Edi Rama, ky është Edi Drama. Të dashur qytetarë, ky reagimi i i mi nuk ka të bëjë aspak me një qëndrim personal ndaj tij, por ka të bëjë me një hall shumë të madh që do ju bjerë shumë shpejt mbi kokë. Çfarë ndodhi dje në forumin ekonomik? Në Forumin Ekonomik, të pranishmit rrëzuan një për një të gjithë programin e PS për ekonominë. Së pari, të gjithë ata që kishin autoritetin zyrtar më të lartë dhe që të gjithë të tjerët në vazhdim, u thanë se detyra juaj numër një është parandalimi i krizës, ndërsa ata thonin se këtu është kriza më e thellë. Po bashkëbiseduesit e tyre e kuptonin mirë se çfarë do të thonin deklaratat e tyre, dhe përsëri secili me një lajtmotiv thonin se detyre kryesore është të parandalonin krizën. Ndaj dhe unë ju them, të dashur qytetarë, ne dhe një jave do të jemi, por u garantoj se një nga gjerat që më bën më krenarë në jetën time është se ne arritëm të parandalojmë krizën. Unë e di që ju jeni në vështirësi dhe kjo nuk do të thotë që ne parandaluam vështirësitë tuaja. Natyrisht me qindra e mijëra prej jush merrnin ndihma nga Italia dhe Greqia nga njerëzit tuaj më të dashur dhe si merrni më dhe kjo përkthehet në dhimbje të fortë ekonomike për ju në jetën e përditshme. Por kriza, recensioni është i tmerrshëm dhe uroj që kurrë Shqipëria të mos bjerë. Dhe në se këto dy muaj kemi bërë përpjekjet më serioze, qëllimi i ka qenë ai që ka qenë 4 vjet më parë apo tre vjet më parë, që ky vend të mos rrëshqasë në krizë”.
Në përfundim të mbledhjes kryeministri Berisha njoftoi marrjen e një sërë vendimesh të rëndësishme që kanë të bëjnë me institucionet, disa procedura prokurimesh, dhënien me koncesion të tre hidrocentraleve, projektligjin për urdhrat profesionale të propozuar nga Ministri i TIK. “I ftoj socialistët ti kontrollojnë këto koncesione, po demonstrojnë një qëndrim kundër çdo interesi kombëtar. Qeveria e tyre mund të kontrollojë çdo akt që mendon se është i parregullt, por sulmi frontal është shenjë e një babëzie që paralajmëron papunësi”.