E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, skenar krizash për të vjedhur

29-08-2013 / Gazeta 55

Nuk ka nevojë të presim 9 shtatorin për të kuptuar se si do funksionojë skema zhvatëse e sekserëve të Ramës. Qysh tani po sponsorizohet skenari i krizave të paqena, një realitet që do t’i hapte rrugën lubisë së vjedhjeve përmes importit të energjisë apo borxheve të pakërkuara prej organizmave ndërkombëtare. Shpikja e kolapsit energjetik dhe anullimi i koncesioneve në këtë sektor, një aventurë e rrezikshme, e cila paralajmëron kapjen e qeverisë së re prej klaneve klienteliste të ish-bashkisë së kryeqytetit

Konferenca e PS-së “Shqipëria e gjeneratës tjetër” u zhvillua përgjatë tre ditëve me “dyer të mbyllura”, përveç atyre dy ditëve të transmetuara direkt nga mediat. Nga kjo konferencë Edi Rama nxori konkluzionin se vendi duhet shpallur në “gjendje të jashtëzakonshme”. Edi Rama e nisi me krizën e sistemit të zhvillimit për të cilën ka kontribuuar me 13 vjet politikë, me çështjet e ndërtimeve pa leje  dhe e ka mbyllur me deklaratën bombë se rrezikohemi nga një kolaps energjetik pas 3 muajsh. “Buxheti, çfarë lloj buxheti duhet të kemi. Energjia, sepse jemi në një drejtim, ku për 2 apo 3 muaj do të përballemi me një formë krize tejskajshmërisht të rrezikshme. Së treti, siguria e individit dhe pronës. Është e qartë se, siguria është çështja kryesore për shqiptarët”, deklaroi  kryeministri në ardhje Edi Rama.
Mirëpo çdo kryeministër serioz nuk do të fliste për “kriza” pa ardhur akoma “kriza” sepse kjo largon investitorët e huaj, që janë të hutuar jo vetëm nga vendosja e taksës progresive, por tani edhe nga kriza e mundshme energjetike. Rikthimi i situatës së pakontrolluar të mungesës së rrymës elektrike, në mënyrë që të blihet me paratë e buxhetit energji nga kompani të lidhura ngushtë me eksponentë të PS dhe bllokimi i prodhimit të energjisë së hidrocentraleve shqiptare me heqjen e koncesioneve, është një skenar ogur zezë që dënon me recesion ekonomik vendin.
Padyshim paralajmërimi i heqjes së mbi 400 koncesioneve nga ana e Edi Ramës është një aventurë me shumë të panjohura që rrezikon ta çojë vendin me të vërtetë në një kolaps energjetik. Skenari i errësirës pas dy tre muajsh është një deja-vu në situatën e para 2005, ku socialistët bënin kërdinë në bordin e KESH, duke shitur energji pa fund e pa faturë. Dhe në këtë mes hipokrizia e auditivit të financave publike nga ndërkombëtarët  shfaqet edhe tek  fryrja e administratës shtetërore me 5 ministri, çka do të rrisë shpenzimet publike duke e çuar borxhin publik  përtej mundësive reale.  
Përkundër konkluzioneve të Edi Ramës nga konferenca “Shqipëria, gjenerata e re” janë qindra raporte të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare që certifikojnë jo vetëm një stabilitet makroekonomikë, por edhe shanse të rritjes ekonomike me një gjysmë pike duke filluar prej këtij viti. Banka Botërore e paralajmëroi kreun e ri të qeverisë Edi Rama se duhet të ketë kujdes me reformat ekonomike, të mos ndërpresë ritmin e zhvillimit dhe transformimit të Shqipërisë dhe të mos e zhysë vendin në krizë. Drejtorja e Bankës Botërore, Goldestein e paralajmëroi në mënyrë të qartë Ramën, se ai duhet të vijojë marrjen e masave për parandalimin e futjes së vendit në krizë, ndërsa vlerësoi performancën aktuale ekonomike të Shqipërisë. Ajo thekson se gjysma e popullsisë ka jetuar përpara 20 vitesh në varfëri të plotë, ndërkohë që kjo shifër është ndryshuar tashmë, dhe është shumë e rëndësishme që ne, thotë zyrtarja e BB, të mos harrojmë se çfarë transformimesh të mrekullueshme ka kaluar Shqipëria.
Sido që të jetë situata pas shtatorit, një gjë është e sigurt: Edi Rama po krijon skenarë të mundshëm të ndërhyrjes në ekonominë shqiptare dhe kjo jo për ta reformuar.  Rikthimi në vendin e “krimit” ekonomik të Shkëlqim Canit dhe Arben Ahmetajn është një sinjal për skenarë të njëllojtë se vjedhja e arit në Bankën e Shqipërisë që nuk paralajmërojnë asgjë të mirë. Ndryshimi i  beftë i politikës fiskale dhe ngutja për të krijuar një klimë armiqësore me biznesin dhe investitorët e huaj është një politikë që fut vendin në krizë ekonomike. Dhe këtë gjë Edi Rama nuk mund ta fshehë me nisjen e prishjeve të ndërtimeve me leje dhe “pa” lejen në zonat bregdetare.  Edi Rama duhet të kuptojë se i ka ikur koha e spektakleve mediatikë të sëpatave në dorë dhe se qeverisja e vendit është një gjë serioze.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›