E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të gjitha partitë shpresojnë në fitore

Pas konfirmimit të dënimit për kryetarin e komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemaili, dhe dorëheqjes së tij, kjo komunë ka mbetur pa të parin e saj. Andaj, pas shpalljes së datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme nga presidentja e Republikës së Kosovës, partitë politike kanë filluar përgatitjet e tyre për t’i hyrë kësaj gare.

Disa prej tyre kanë vendosur të garojnë të vetme, e disa kanë bërë edhe koalicione parazgjedhore.

Por sa janë të përgatitura partitë për t’i hyrë kësaj gare dhe cilat janë vlerësimet e tyre për këto zgjedhje?

Gazmend Bytyqi, Sekretar i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Ferizaj, ka thënë për Kosovapress se janë përgatitur dhe kanë caktuar kandidatin e tyre konsensual, për të cilin mendojnë se është kandidati, i cili do t’i fitojë zgjedhjet.

“Ne si parti në këto zgjedhje jemi konsultuar me të gjitha strukturat tona që i kemi ne në parti, duke përfshirë seksionet, degët, dhe këshillin e degës, por mund t’ju informoj se kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka arrit, edhe pse ka pas disa kandidatë, mirëpo kemi arrit të caktojmë një kandidat konsensual, i cili i ka plotësuar të gjitha kriteret e mundshme që ne i kemi mëndu, si në aspektin profesional, ashtu edhe në aspektin moral dhe aspektin kombëtar kuptohet”, ka thënë ai.

Gjithashtu edhe zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) thonë se janë të gatshëm që të garojnë në këto zgjedhje, madje sipas tyre, përgatitjet në këtë parti kanë filluar shumë kohë më parë.

Adem Salihaj, kandidat i LDK-së për kryetar të komunës së Ferizajt në këto zgjedhje, ka thënë për Kosovapress se kjo patri ka dalë e para me kandidatin e saj, e që sipas tij, tregon edhe përgatitjen me kohë të kësaj partie.

“Unë mendoj se opinioni është i informuar se dega e LDK-së në Ferizaj ka dalë e para me kandidatin në formën zyrtare, edhe si degë edhe si kryesi e LDK-së, që është një shenjë se ne jemi të përgatitur me kohë, jemi përgatitur për ta fitu gjithë procesin zgjedhor që është para nesh”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ndonëse e ka bërë publik emrin e kandidatit të saj, zyrtarë të saj thonë se janë kryer pothuajse shumica e punëve të tjera.

Naim Ferati, kandidat i AAK-së për kryetar të komunës së Ferizajt në këto zgjedhje, ka thënë se janë duke u bërë përgatitjet që në këto zgjedhje të eliminohen defektet e mundshme që kanë ndodhur në zgjedhjet e kaluara, në mënyrë që zgjedhjet që do të mbahen të jenë sa më të drejta.

“Duke e pas parasysh rastin që ndodhi me kryetarin Xhemajli edhe ky proces i shpejtë i organizimit të të zgjedhjeve në komunën e Ferizajt për kryetar komune, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbaruar pothuajse shumicën e punëve që është parapërgatitja e punëve që kanë të bëjnë me këto zgjedhje. Siç dihet, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dalë partia e parë me kandidatin e nominim edhe me aplikim për certifikim nga KQZ-ja. Partia e parë që ka nxjerrë të gjitha këto procedura. Tash si çdo parti tjetër, apo si çdo organizim tjetër që bëhet, edhe ne jemi duke u organizuar me të gjitha strukturat tona të partisë për rregullimin e atyre defekteve që kanë ekzistuar në zgjedhjet e kaluara, por gjithashtu jemi në kontakte dhe bisedime për avancimin e partisë sa më shumë”, ka thënë ai.

Mirëpo, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje thonë se janë shumë të gatshëm për zgjedhje, pasi sipas tyre, kjo lëvizjeje nuk mbanë tubime me qytetarë vetëm në kohën e zgjedhjeve, por mbajnë vazhdimisht takime me qytetarë.

Flamur Istrefi, nënkryetar i Vetëvendosjes, dega në Ferizaj, ka thënë se janë duke punuar që të përgatiten shumë më mirë se në zgjedhjet e kaluara, në mënyrë që të mbrohet vota e elektoratit të kësaj lëvizjeje, pasi, siç thanë ai, në zgjedhjet e kaluara votat janë vjedhur.

“Lëvizja Vetëvendosje që prej themelimit të saj në vitin 2005, rregullisht ka mbajtur tubime nëpër të gjitha qytetet dhe fshatrat e Kosovës. Ne nuk jemi subjekt që vetëm gjatë fushatës zgjedhore takojmë qytetarët, por e bëjmë në vazhdimësi këtë punë, prandaj jemi qind për qind të gatshëm që t’i hyjmë kësaj fushate zgjedhore. Kemi përgatitur programin qeverisës komunal me ekspertë të qytetit tonë dhe të Prishtinës që na kanë ardhur si ndihmesë. Në të njëjtën kohë do të jemi të gatshëm shumë ma shumë se në zgjedhjet e tjera, që të mos lejojmë që të na vjedhet vota, siç ka ndodhur edhe në zgjedhjet e kaluara”, ka thënë ai.

Edhe Aleanca Kosova e Re (AKR) i ka filluar përgatitjet për zgjedhje qysh moti. Kandidati i kësaj partie për kryetar të komunës së Ferizajt në këto zgjedhje, njëherësh edhe zëvendësministër i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Ramadan Hasani, ka thënë se përgatitjet për zgjedhje janë duke u bërë dhe shpreson se partia e tij do ta kalojë rrethin e parë të garës për kreun e të parit të komunës së Ferizajt.

“Në njëfarë mënyre kemi qenë të mobilizuar se zgjedhjet do të ndodhin, por kur ka ndodh kjo atëherë i kemi filluar përgatitjet më intensive dhe kemi filluar takimet më të shpeshta me strukturat tona, me kryesinë, me këshillin drejtues edhe me nëndegët tona, kemi zgjedhur shtabin zgjedhor, i cili përbëhet me përfaqësues nga dega dhe nga qendra dhe kështu një shtab i përbashkët i fuqizuar edhe nga qendra do të punojë shumë në mobilizimin e masës, elektoratit tonë dhe njerëzve të papërcaktuar politikisht, që të na votojnë ne dhe që në këto zgjedhje të dalim me një rezultat, gjegjësisht presim që ta kalojnë raundin e parë dhe të jemi në balotazh me një kundërshtar”, ka thënë ai.

Por kush kënd e sheh rival në këtë garë zgjedhore dhe cilat janë mundësitë e lidhjes së koalicioneve nëse do të ketë balotazh?

PDK-ja mendon se do të fitojë pa balotazh, ndërsa lidhjen e koalicioneve në rast balotazhi, kjo parti mendon ta shqyrtojë pas raundit të parë të garës.

“Ne mendojmë se do të fitojmë pa balotazh, kjo është ideja dhe dëshira e Partisë Demokratike e Kosovës, tash ta shohim rrjedhën si do të vazhdojë, nëse do të hyjmë në balotazh, atëherë do të shikojmë me cilat parti do të lidhim koalicion”, ka thënë ai

Ndërsa LDK-ja si kundër kandidat e sheh PDK-në, por nuk e përjashton mundësinë që këto dy parti të mos takohen fare në balotazh, për shkak, siç tha Adem Salihaj, të bagazhit negativ që e ka PDK-ja.

“Mendoj se do të jemi me PDK-në, Vetëvendosja është një parti po ashtu që ka mjaft vota në Ferizaj. Ne siç tash e shohim si rival PDK-në, mendojmë që do të jemi me ta në balotazh, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që ata të mos hyjnë në balotazh, me gjithë këtë bagazh negativ që e kanë, por tash për tash ky është vlerësimi”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se sa i përket lidhjeve të koalicioneve për balotazh, kanë kontakte me të gjitha partitë e tjera përveç PDK-së, që sipas tij, këtë parti e shohin si kundërshtar e jo si aleat. Megjithatë, LDK-ja në raundin e parë nuk do të garojë e vetme, pasi që ditë më parë ka nënshkruar marrëveshje koalicioni parazgjedhor me LDD-në, dega në Ferizaj.

Po ashtu, edhe AAK-ja si konkurrent të garën zgjedhore në balotazh e sheh PDK-në.

“Unë si kundër kandidat në balotazh për zgjedhjet për kryetar komune e shoh partinë demokratike të Kosovës”, ka thënë ai.

Ferati ka thënë se sa i përket koalicioneve për balotazh, AAK-ja nuk ka politikë refuzuese, por politikë integruese dhe mundësitë për koalicione do të shihen pas raundit të parë të zgjedhjeve.

Ndonëse AKR-ja ka koalicion me PDK-në në nivel qendror, ajo nuk e përjashton mundësinë e lidhjes së koalicionit edhe me LDK-në në garën për balotazh.

“Nuk përjashtohet mundësia, sepse nëse ata do të jenë në balotazh, atëherë do t’i kemi kundërshtar, por nëse do të jetë PDK-ja, duhet të vendosin strukturat e partisë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se AKR-ja do të garojë në këto zgjedhje si e vetme, ndërsa për koalicione të mundshme, do të shihet pas raundit të parë zgjedhor.

E Vetëvendosja e ka një mendim tjetër. Fitoren në këtë garë e sheh pa balotazh.

“Mendojmë se do të jemi numër një edhe pa balotazh”, ka thënë ai.

Pa dyshim se Ferizajn e pret një garë e fortë zgjedhore në zgjedhjet për kryetar të komunës.

Për më tepër, nevoja për zgjedhje të jashtëzakonshme në këtë komunë erdhën pasi kryetarit të kësaj komune, Bajrush Xhemajli, iu konfirmua dënimi me burgim prej 2 vjet e gjysmë.

Zgjedhjet për kryetar të komunës në Ferizaj do të mbahen më 29 prill të këtij viti. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›