E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët kërkojnë përgjegjësi

Me përjashtim të Vetëvendosjes, deputetët kanë dëgjuar një informatë nga Bajram Rexhepi për kapjen e dy policëve kosovarë nga Serbia. Rexhepi ka thënë se policët u kidnapuan brenda territorit të Kosovës. Por, deputetët kërkuan përgjegjësi politike nga Ministri dhe dorëheqjen e Drejtorit të Policisë, Shpend Maxhuni.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk janë mjaftuar me informatën e Bajram Rexhepit, i cili ka dhënë versionin e tij se dy policët e Kosovës u kidnapuan në kufirin me Serbinë.

Disa deputetë të pozitës dhe opozitës kanë kërkuar përgjegjësi politike nga Bajram Rexhepi dhe dorëheqjen e drejtorit të policisë, Shpend Maxhuni për dështim në udhëheqjen e policisë.

“Kjo ka ndodhur për shkak se në institucionet e sigurisë kanë shkuar njerëz të pikëpamjeve politike e jo profesionale dhe që i shërbejnë një partie. Kjo tregon edhe seriozitetin e sigurisë në Kosovë”, ka thënë Ahmet Isufi, kryetar i Komisionit për Siguri në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka thënë se pas kësaj qeveria duhet të shkojë në shtëpi.

“Po them se uniforma është simbol dhe është cenuar shteti, integriteti territorial, është cenuar integriteti i qytetarit dhe më mirë është që kjo qeveri të shkojë në shtëpi dhe të vijnë forcat tjera që nuk lejojnë që dikush tjetër t’i ndërhyjë në territor”, ka thënë deputeti Isufi.

Por, në informatën e dhënë në Kuvend, Ministri Rexhepi ka thënë se policët e Kosovës janë kidnapuar 120 metra në brendi të territorit të Kosovës nga prita e përgatitur nga xhandarmeria e Serbisë, prej 12 apo 13 pjesëtarëve.

“Nuk kanë tejkaluar zonën e përgjegjësisë së tyre, sepse policia kishin me vete pajisjen GPS që tregon se nuk kanë kaluar atë vijë. Ministria e Punëve të Brendshme vlerëson angazhimin dhe përpjekjet e institucioneve ndërkombëtare me theks EULEX-in”, ka thënë Rexhepi.

Ai ka thënë se fotografimin e kanë bërë duke e inskenuar situatën, duke ua vënë pushkët në krah, ndërsa më pas, në një vend tjetër, policët e Kosovës janë detyruar të shtrihen në pozicionin duart mbi kokë.

Informatën e Rexhepit e ka përkrahur deputeti i PDK’së, Fatmir Xhelili, i cili ka kërkuar veprime të koordinuara me ndërkombëtarët.

“Nuk është detyrë e policisë kufitare me luftu në vijën kufitare, por është detyrë që të identifikohen ndaj atyre që cenojnë kufirin. Policia jonë është e strukturuar dhe me standarde europiane dhe veprojnë në atë mënyrë”, ka thënë Xhelili.

Edhe deputeti tjetër i PDK’së, Behar Selimi ka kërkuar të mos fajësohet Qeveria e Kosovës, por të hartojnë ligjin për kompetencat shtesë për policinë.

Ai ka thënë se policia kufitare duhet të specializohet dhe të krijohen edhe njësi të veçanta për të ruajtur pikat kufitare.

Në anën tjetër, deputeti i LDK’së, Anton Çuni ka vlerësuar se arrestimi i policëve nga Serbia duhet të cilësohet agresion. Ka thënë se institucionet e Kosovës kanë dështuar të përgatiten për situatat të tilla, pavarësisht deklarimeve të zyrtarëve serbë.

“Në rastin në fjalë, ata kanë qenë jo vigjilent fal papërgjegjësisë. Përkundër deklarimeve të Serbisë, nuk është shtuar aspak siguria dhe angazhimi shtesë”, ka thënë Çuni.

Ndryshe, deputeti i koalicionit qeveritar, Emin Gërbeshi i AKR’së ka thënë se duhet të adresohet përgjegjësia dhe të kërkohet llogari si nga Ministri ashtu edhe nga Drejtori i Policisë.

“Përgjegjësia kryesore bie mbi drejtorin e Policisë, i cili duhet të japë dorëheqje dhe ministri të shqyrtojë pozicionin”, ka thënë Gërbeshi.

Ai ka kërkuar ndaljen e bisedimeve dhe të forcojë sigurinë përreth kufirit me Serbinë.

Në anën tjetër, deputeti i LDK’së, Lutfi Haziri ka kërkuar që të kërkohet sqarime edhe për arrestimet që kanë ndodhur në Serbi të qytetarëve të Kosovës.

“Një ditë kanë me ardh me marrë dikë në kabinetin qeveritar Veç ka mbet me u arrestu edhe ndonjë ministër dhe me u ba horë krejt”, ka thënë Haziri.

Megjithëkëtë, Shaip Muja i PDK’së ka thënë se duhet të kërkohet nga Serbia të zbatojë marrëveshjen për menaxhimin e integruara të kufijve. Në të kundërtën, ai ka thënë se duhet të kushtëzohet vazhdimi i dialogut me Serbinë me zbatimin e marrëveshjeve.

E, Haki Demolli ka numëruar rezultatet e bisedimeve.

“Gjatë këtyre bisedimeve, Qeveria e Kosovës ka hequr dorë nga disa elemente të shtetësisë së Kosovës. Kosova ka pranuar të lëvizë në Serbi pa pasaporta. Ka pranuar që kufiri mes Kosovës dhe Serbisë të cilësohet si kufi administrativ. Tjetër është se ka pranuar kopje të regjistrave civile dhe në fund Kosova humbi edhe emërimin kushtetues dhe tash përfaqësohet pa Republikë”, ka thënë Demolli.

LDK dhe AAK kthehen në Kuvend

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës janë kthyer në seancat e Kuvendit të Kosovës.

Kërkesat e LDK’së dhe AAK’së nuk janë plotësuar krejtësisht, por kanë arritur të heqin nga rendi i ditës Ligjin për Bankat dhe institucionet mikrofinanciare.

Ndërkohë, ka mbetur në rend të ditës projektligji për ndërtime dhe për ndërmarrjet publike, të cilët e kanë kaluar leximin e parë.

Megjithëkëtë, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk janë pajtuar që të kthehen në seancë pa u plotësuar të gjitha kërkesat e opozitës.

Burime të Express kanë thënë se kthimi i LDK’së dhe AAK’së në Kuvend ka ardhur pas presionit ndërkombëtarë, të cilët kanë kërkuar miratimin e ligjeve që kërkohen për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur.

Gjatë ditës, Vetëvendosje ka lëshuar një komunikatë dhe ka treguar se vendimet për seancës janë marrë nga trysnia e ambasadorëve ndërkombëtarë.

“Vendi i pavarur dhe demokratik nuk ndërtohet përmes imponimit të varësisë dhe përmes rrugëve jashtëzakonisht jodemokratike. Republika demokratike e sovrane ndërtohet përmes trysnisë së Kuvendit të Republikës, si institucion i popullit, në Qeveri, si pushtet ekzekutiv, e jo përmes ndërhyrjes dhe trysnisë së ambasadorëve të vendeve tjera në Kuvend”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›