Të gjitha pyetjet e Provimit të Letërsisë, nis hartimi i tezave
Ngujohen specialistët për Letërsinë në AVA
Ndërkohë që kanë mbetur vetëm pak ditë nga testi i parë i Maturës Shtetërore, ai i Gjuhë-Letërsisë, specialistët e përzgjedhur nga Ministria e Arsimit për përgatitjen e tezave janë ngujuar dje në Agjencinë e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) për të nisur procesin e seleksionimit të pyetjeve. Dy Përcaktuesit e Testeve Përfundimtare (PTP) janë ndër specialistët më të mirë të kësaj fushe, të përzgjedhur nga Komisioni i Maturës Shtetërore pas seleksionimit të kandidaturave të propozuara nga të gjitha DAR/ZA-të, - bëri të ditur dje ministria. Sipas saj, AVA tashmë ka në dispozicion një fond pyetjesh, rreth 20-fish të testit (500 pyetje), të përshkallëzuara sipas nivelit të nxënësve, të përgatitura nga specialistët më të mirë të arsimit. Përcaktuesit e Testeve do të hartojnë variantin përfundimtar të testeve të Gjuhë shqipe dhe letërsi për provimin e detyruar të MSH-së. Më tej grupi i punonjësve teknikë të AVA-s do të realizojë shumëfishimin, paketimin, përgatitjen e barkodeve, përpilimin e listave për çdo mjedis dhe klasë ku do të zhvillohet provimi i detyruar i Maturës Shtetërore. Standard riboton të plotë shpjeguesin e Maturës Shtetërore, mbi të cilin do të zhvillohet testi. Provimi do të mbahet më 1 qershor në të gjitha shkollat e mesme të vendit.