“Të gjithë jemi krijesa me mangësi…”, Xhamitë e Tiranës: Muçi, besimtar i devotshëm dhe në ndihmë të nevojtarëve

Muçi Sheqeri (Shalianji) ndërroi jetë paraditen e sotme në Spitalin e Traumës pas 4 ditësh i intubuar.
I plagosur gjatë atentatit në Rinas, ku humbi jetën Gilmando Dani, 40-vjeçari nuk mundi ti mbijetonte plumbave të shumtë të marrë.
Varrimi i tij do të bëhet ditën e nesërme, ora 11:00 me lajmin që e bën të ditur faqja “Xhamitë e Tiranës“.
Sipas tyre, Shaljani ishte një besimtar i devotshëm, madje pak kohë më parë kishte vizituar edhe vendet e shenjta në Arabinë Saudite.
“Të gjithë jemi krijesa me mangësi, i pagabueshëm është vetëm Zoti ynë Allahu”, shkruan ndër tjera “Xhamitë e Tiranës”.
Postimi i plotë:
“Çdo krijesë do ta shijojë vdekjen…” | Kuran |
Vëllai jonë Muçi ia dorëzoi shpirtin Krijuesit të tij, por ne nuk themi gjë tjetë vetëmse atë që e kënaq Zotin tonë “Të Allahut jemi dhe tek Ai të gjithë një ditë do të kthehemi”
Të gjithë jemi krijesa me mangësi, i pagabueshëm është vetëm Zoti ynë Allahu.
Vëllai jonë Muçi ishte me namaz dhe para disa muajsh ishte për vizitë edhe në vendet e shenjta për umre. Një nga veçoritë e tij për ata që e njihnin nga afër vllai jonë ishte shumë xhymert dhe në ndihmë të atyre që kishin nevojë. Qoftë ajo sadaka (lëmoshë) shpëtim për të te Zoti i Gjithësisë.
Lusim Zotin ta trajtojë vëllain tonë po edhe ne me mëshirë dhe jo ashtu siç jemi ne, familjarëve ti japi durim për humbjen e të dashurit të tyre.
Namazi i xhenazes do të falet nesër dt 16/11/2025 në varrezat e Tufinës në orën 11:00.
Për ata që nuk kanë mundësi të prezantojnë ta kujtojnë nga Lutjet”.

Atentati mafioz ndodhi në një nga zonat më të sigurta, rrethrrotullimi i aeroportit të vetëm ndërkombëtar në vend. Gilmando Dani, sapo kishte zbritur nga avioni, nga një fluturim nga Barcelona, ku kishte qëndruar 4 ditë. Çfarë bëri dhe kë takoi atje, është duke u pritur përgjigje nga autoritetet spanjolle.
Atentatorët u larguan nga vendngjarja vetëm pasi u bindën se shënjestra Gilmando Dani ishte vrarë.
Shaljani kishte pak muaj që i ishte bashkuar Forcës së Posaçme Operacionale të AMP-së, e cila pas prezencës së tij në një makinë me një prej personazheve më të njohur të botës së krimit shkaktoi shumë polemika duke çuar në pranga 2 efektivë policie të komisariatit nr.3 në Tiranë me pretendimin se kishin falsification dokumentet për të bërë të mundur rekrutimin e 40-vjeçarit në AMP.
Por, sot Gjykata e Tiranës e cilësoi arrestimin e dy policëve, Bruno Cara dhe Arshim Zajmi, të paligjshëm.