E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të gjithë kundër gjakmarrjes

FEHMI ABDIU

1. Një tablo trishtuese në lidhje me gjakmarrjen
Pavarësisht nga puna e lavdërueshme e disa individëve, organizatave dhe grupeve të ndryshme  joqeveritare kundër gjakmarrjes, nga informacione të ndryshme jozyrtare vëmë re se vetëm vitet e fundit kanë ndodhur disa  raste të vrasjes për motive të tilla si gjakmarrja apo për shkaqe të tjera, që juridikisht cilësohen si shkaqe të dobëta.
Të dhënat që jepen rreth këtij problemi janë tronditëse.
Nga shtypi shohim që:
Në vitin 2011 janë bërë 139 vrasje, 109 prej të cilave janë për hakmarrje, nder dhe gjakmarrje, ndërsa në 6-mujorin e parë të vitit 2012 janë bërë 67 vrasje, po për këto motive. Gjatë muajve qershor gusht të këtij viti mendohet se janë kryer mbi 150 vrasje, shumica për hakmarrje apo gjakmarrje.1  Veç këtyre, në vitin 2011 ishin 1640 familje të ngujuara e të fshehura për shkak të gjakmarrjes, ndërsa në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2012 ishin 1309 familje. Nga këto, 230 janë detyruar për tu larguar nga Shqipëria gjatë këtyre kohëve. Kjo situatë flet shumë.
Është e dhimbshme dhe tragjike që në një shoqëri dhe një shtet demokratik dëgjojmë shpesh për vrasje të qytetarëve për motive gjakmarrjeje ose hakmarrjeje, sepse kjo gjendje është e papranueshme për një shoqëri demokratike që duhet ti ndëshkojë rëndë me gjithë forcën e ligjit këto akte me origjinë feudale.
Standardet kushtetuese e demokratike të legjislacionit të vendit tonë nuk e njohin kanunin, i cili ka pasur fuqi kur nuk ka pasur ligje. Në atë kohë ai ka pasur rolin e tij, kurse sot kemi shtet të së drejtës, prandaj Kanuni nuk mund ti përgjigjet kohës sonë. Duke qenë kështu, lufta kundër vrasjes për gjak apo për hakmarrje duhet njohur e vlerësuar, bazuar në mentalitetin e ri të kohës, që është krejtësisht i ndryshëm nga ai që e ushqen gjakmarrjen apo që hesht përpara kësaj dukurie.
2. Një vështrim i shkurtër historik
Krimi i vrasjes për gjakmarrje historikisht ka paraqitur rrezikshmëri të theksuar shoqërore. Me vrasje për gjakmarrje, sipas legjislacionit penal, kuptojmë atë vepër që kryhet për të marrë gjakun e një njeriu të vrarë ose të plagosur më parë. Pra, ajo është përgjigje ndaj një vrasjeje ose plagosje të mëparshme.
Rrezikshmëria e madhe shoqërore e kësaj vepre penale në vendin tonë historikisht është njohur, është vlerësuar në mënyrë serioze dhe janë marrë masa komplekse për parandalimin e saj, duke u mobilizuar për këtë të gjithë faktorët qeverisës. Që në vitet e Luftës Nacionalçlirimtare, pa u çliruar i gjithë vendi nga okupatori, Partia Komuniste porosiste se në tokat e çliruara, këshillat nacionalë-çlirimtarë duhet të luftojnë kriminalitetin, veçanërisht duhet të pajtojnë gjaqet që janë në vendin tonë.
Në rregulloren e këshillave nacionalë-çlirimtarë që në vitin 1943 porositej që Këshillat nacionalë-çlirimtarë duhet të luftojnë me energji vrasjet për hakmarrje, duke i shpjeguar popullit se një frymë e tillë i shërben okupatorit dhe është në dëm të popullit. Më poshtë vazhdohej se kush vret për hakmarrje është përgjegjës para gjyqit ushtarak të brigadës.
Mjaft domethënës ka qenë qëndrimi i Këshillit Nacional Çlirimtar të Kurveleshit, që vendoste: …Të gjitha gjaqet e hakmarrjet pushojnë gjersa të jemi në luftë me okupatorin.
Edhe Gjykata e Lartë, pas çlirimit të vendit në një udhëzim të saj të vitit 1947, shprehej se hakmarrja është një zakon i një shoqërie të prapambetur, i papajtueshëm me organizimin shoqëror të sotëm që synon vëllazërimin e popullit me anë të bashkëpunimit të të gjithë anëtarëve të shoqërisë.
* * *
3. Gjakmarrja sot
Sipas nenit 78, paragrafi i dytë, të Kodit Penal, vrasja e kryer për interes, hakmarrje a gjakmarrje, është një nga veprat penale kundër jetës së personit që dënohet jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm. Për këto arsye, ky krim kaq i rëndë duhet ndëshkuar pa hezitim nga shteti, nga ligji, nga shoqëria. Në këtë aspekt, mendojmë se për organet përkatëse të shtetit, duke filluar nga policia dhe për organet e tjera të specializuara, detyra e tyre kryesore duhet të jetë të parandalojnë krimet në përgjithësi, por në mënyrë të veçantë të garantojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve, të ndalojnë vrasësit e ti vendosin ata përpara drejtësisë.
Lufta kundër këtij fenomeni duhet të jetë çdo ditë në vëmendje të organeve të hetimit, të prokurorisë, e sidomos të gjykatave të të gjitha shkallëve që ballafaqohen shpesh me ata që janë aktorë e vrasës.
Jeta e rrezikuar e çdo qytetari është shumë e rëndësishme, më e rëndësishme se çdo gjë, prandaj rikthimi i gjakmarrjes duket si sfidë e hapur ndaj shoqërisë, ndaj mosfunksionimit si duhet të shtetit të së drejtës, si mungesë e edukatës dhe e kulturës ligjore, si tregues i shkallës së varfërisë, krizës së besimit dhe i tranzicionit të gjatë dhe të vështirë që po kalojmë. Për këtë gjendje, të gjithë duhet të mbajmë përgjegjësi konkrete, pasi askush nuk ka të drejtë që zgjidhjen e vështirësive sociale të tranzicionit ta kërkojë në praktikat e të kaluarës së largët dhe në rrugë primitive e joligjore.
Në vendin tonë, heqja e dënimit me vdekje nuk u bë thjesht për të plotësuar një kërkesë të Këshillit të Europës, por për të shprehur respektin tonë ndaj vlerave të jetës, të cilat qëndrojnë në themel të shoqërive demokratike europiane, ku ne përpiqemi të bëhemi pjesë juridikisht dhe ekonomikisht. Sipas nenit 21 të Kushtetutës, jeta e personit mbrohet me ligj. Kjo dispozitë shpreh në mënyrë të drejtpërdrejtë mbrojtjen e jetës njerëzore, e cila, sipas saj, përbën një vlerë kushtetuese, si burimi nga i cili rrjedhin të gjitha të drejtat e tjera themelore absolute.
Këto të drejta, sipas nenit 15 të Kushtetutës, janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik, prandaj është detyrimi parësor dhe kushtetues i shtetit, nëpërmjet organeve të tij, që ti respektojë dhe ti mbrojë këto të drejta. Duke qenë kështu, vlera më superiore për shtetin është jeta e njeriut, gjë që del edhe nga përmbajtja e Preambulës së Kushtetutës.
Përvoja tregon se funksionimin normal të institucioneve që kanë të bëjnë me rendin dhe sigurinë e kanë dëmtuar ngarkesat politike, korrupsioni e paaftësia për përmbushjen e detyrës.
Edhe për këto arsye, qytetarët presin prej shtetit më shumë preokupim, më shumë transparencë, përzgjedhje më të mirë të titullarëve të bazuar në meritat dhe aftësitë e tyre, vëmendje më të madhe ndaj rretheve periferike, sidomos rritje e shkallës së reagimit të policisë dhe organeve të drejtësisë ndaj krimit.

4. Faktorët e tjerë qeverisës kundër gjakmarrjes
Kushtetuta shqiptare, në kapitullin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, i referohet kryesisht Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që në tërësinë e saj nuk e pranon, por e ndalon dënimin me vdekje për shtetet anëtare të saj, prandaj për këto arsye, as ato kufizime të të drejtave të njeriut për të cilat bën fjalë neni 17 i Kushtetutës nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të drejtave, e në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Europiane. Jo vetëm kaq, por vendi ynë ka nënshkruar dhe ratifikuar nenin 1 të Protokollit nr. 6, sipas të cilit: Dënimi me vdekje hiqet. Askush nuk mund të ndëshkohet me një dënim të tillë, as të ekzekutohet.
Pas heqjes së dënimit me vdekje duket sikur u krijuan mundësi të reja për tu ringjallur plaga e vjetër e vrasjes për gjakmarrje, vepër penale që duket sikur lulëzoi prapë, sidomos në zonat veriore, kryesisht rurale të vendit, ndonëse legjislacioni penal ndaj saj është i ashpër.
Dënimi për vrasjen për hakmarrje a gjakmarrje është jo më pak se njëzet vjet ose burgi

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›