E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të gjithë njerëzit e Ministrit

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka njerëzit e tij të preferuar për tri pozita të ndryshme në sektorin shëndetësor. Burime të Express kanë thënë se tashmë ai ka vendosur që në krye të QKU’së të emërohet Njazi Gashi. I ka edhe emrat për Kryeinspektor në MSH dhe Kryeshef të AKPM’së. Nga Nebih Maxhuni më 18 shtator 2011 në ora 08:17

Kishte kërkuar që kandidati i përzgjedhur për drejtor të QKU të anulohet për shkak të dyshimeve në përzgjedhjen e tij, ndërsa pak muaj më vonë vetë është duke punuar që në krye të QKU`së të vijë një i preferuar i tij.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, në kohën kur kishte kërkuar anulimin e tij, pat thënë për Express se gjithçka do të jetë transparent në përzgjedhjen e drejtorit, duke premtuar që politika të jetë sa më larg nga ky proces.

Por, kështu nuk ndodhi dhe se Agani bashkë me disa bashkëpunëtorë të tij janë dakorudar që në krye të Qendrës Klinike Universitare të jetë Njazi Gashi, një pediatër që punon në QKU.

Intervistimi i kandidatëve me shkrim është bërë të premten e kaluar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe se numri i aplikantëve për këtë pozitë besohet të ketë arritur deri në 40 persona.

Përveç intervistimit me shkrim, kandidatët që kanë hyrë në rrethin e ngushtë do të intervistohen me gojë më 23 shtator.

“ Gjithçka ka marrë fund dhe QKU`ja pas 23 shatorit do të jetë me drejtor ekzekutiv. Tashmë dihet emri i tij ai është Njazi Gashi i preferuar i ministrit”, ka sqaruar një burim i gazetës në MSH.

Ky burim ka sqaruar se tashmë ka disponim të madh në Ministrinë e Shëndetësisë që për pozitat e drejtorit të QKU`së, kryeinspektorit shëndetësor në MSH dhe për kryeshefin ekzekutiv të Agjencinë Kosovare për Produkte Medicinale të vendosë vetë ministri i MSH`së.

“ Ministri tashmë ka vendosur për drejtor të QKU, po ashtu ai ka të preferuarin e tij për pozitën e kryeinspektorit shëndetësor në MSH, që pritet të emërohet një vajzë me mbiemrin Baraku”, ka sqaruar burimi nga MSh`ja

Sipas tij, në momentin kur këto dy pozitat do të rehatohen, ministri do të përfundojë edhe me vendosjen e njeriut të tij në kryer të AKPM`së.

“Në këtë pozitë, edhe pse konkursi ende nuk është hapur për herën e dyte, pritet të emërohet një njëri i afërt i ministrit që ka punuar bashkë me të”, thotë ky burim.

Askush në MSH nuk ka dashur të komentojë shumë rreth këtyre gjërave, përderisa Faik Hoti, zëdhënës i MSH, ka thënë se QKU do të bëhet me drejtor dhe se nuk do të ketë anulim apo rishpallje të konkursit.

“Më 23 shtator kandidatët që kanë hyrë në rreth të ngushtë do të ftohen në MSh për intervistim me gojë dhe se pas kësaj date QKU do ta ketë drejtorin”, ka thënë ai.

Sipas Hotit, edhe konkursi për pozitën e kryeinspektorit shëndetësor është mbyllur dhe se në fillim të javës pritet të ftohen kandidatët.
Në konkursin e ri për drejtorit të qendrës më të madhe publike në vend konkurrentët i janë nënshtruar testit me shkrim të premten.
Disa prej tyre janë: Njazi Gashi, Salih Krasniqi, Haxhi Avdyli, Bajram Koci, Mehmet Maxhuni, Irfan Daullxhiu, Hysen Hyseni, Ramë Miftari, Lulzim Emini dhe Fitim Selimi. Murat Zejnullahu, Halim Ramadani dhe Ismet Hebibi.

Në konkursin e shpallur për të dytën herë nga MSH`ja, paneli intervistues kishte rekomanduar për drejtor ekzekutiv Dardan Stubllën, për të cilin ministri kishte kërkuar që vendimi i sekretarit të anulohet për shkak të parregullsive gjatë përzgjedhjes.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›