Të hënën publikohen notat e 3 mijë maturantëve
Ankthi i maturantëve që nuk gjejnë ende emrat në listat e rezultateve të provimeve me zgjedhje do të përfundojë ditën e hënë. Më datë 26 korrik pritet që Ministria e Arsimit dhe Shkencës të publikojë notat e 3000 maturantëve që nuk dinë ende sesi janë vlerësuar në tezat me zgjedhje. Nxënësit e “përjashtuar” më në fund do të ndihen të qetë, pasi burime nga MASH bëjnë të ditur se javën e ardhshme do të publikohen notat e të gjithëve. Shkaqet që krijuan këtë avari nuk dihen ende, por pretendohet që arsyet e sakta të bëhen publike ditën kur nxënësit do t’i kenë përpara syve notat e tyre.
Rezultatet e provimeve me zgjedhje u bënë publike 7 ditë më parë, e megjithatë ka edhe nga ata maturantë që nuk e dinë ende notën me të cilën janë vlerësuar. Afishimi i listave të notave është bërë në ambientet e shkollave të mesme, por kjo praktikë pune nuk ka funksionuar njësoj për të gjitha gjimnazet, pasi ka edhe nga ato shkolla që nuk i kanë ende rezultatet e nxënësve të tyre. Ekzistojnë disa raste që pohojnë se emrat e tyre nuk gjenden në listat e afishuara në shkolla. Maturantët janë tejet të shqetësuar dhe u janë drejtuar instancave përkatëse për të marrë një informacion të saktë në lidhje me këtë situatë.
Nxënësit që nuk kanë mësuar ende notën e lëndëve me zgjedhje, thonë se ankthi i tyre do të përfundojë vetëm ditën kur situata në të cilën ata ndodhen do të marrë një zgjidhje përfundimtare.
E vërteta është se nëse kjo çështje nuk merr drejtimin e duhur në një kohë sa më të shpejtë, ata do të “penalizohen”, duke mos u regjistruar në afatet e përcaktuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për të qenë studentë në fakultetet e tyre të preferuara.