Të hetohen zgjedhjet, opozita në Kuvend

Rezoluta e Këshillit të Europës kërkon zgjidhje të menjëhershme të krizës
Paralelisht me Brukselin, një “gjyq politik” ndaj Shqipërisë pritet të zhvillohet në ditët e fundit të janarit në Strasburg. Proces që thelbin e ka te kërkesa e fortë ndaj qeverisë shqiptare, që të nisë sa më shpejt hetimin për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Më 27 janar, në orën 15.30, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës do të mbajë një seancë speciale për funksionimin e institucioneve demokratike në vend, si edhe zbatimin e standardeve të KE-së nga ana e Shqipërisë. Në këtë seancë do të prezantohet një projektrezolutë nga dy reporterët për Shqipërinë, përkatësisht finlandezi Jaakko Laakso dhe britaniku David Walshire. Asambleja do të debatojë dhe më në fund ta votojë rezolutën, e cila do të jetë edhe një kusht për Shqipërinë.
Hetimi
Në tekstin e këtij dokumenti theksohet se “komuniteti ndërkombëtar nxit me forcë qeverinë shqiptare dhe opozitën t’i japë fund krizës aktuale dhe të marrë përgjegjësitë që i takojnë për të proceduar me reformat vitale. Qeveria duhet të ndërtojë pa u vonuar komisionin e hetimit të zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009 dhe opozita të rikthehet në Parlament e të kryejë funksionin e saj. Autoritetet shqiptare duhet të ndërmarrin një reformë legjislative, e cila duhet të jetë në bashkëpunim të plotë me Komisionin e Venecias.
Presidenti
Këshilli i Europës do të ndihmojë Presidentin Topi në rolin e tij si mediator dhe të ndihmojë të arrijë mbylljen e bojkotit që është bazuar në pranimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe rikthimin e plotë të demokracisë parlamentarë në vend. Së shpejti, Komiteti Parlamentar i Këshillit Europës do të zhvillojë një vizitë në Shqipëri për të nisur iniciativën e dialogut politik. Rezoluta
Asambleja Parlamentare shpreh keqardhjen e saj për krizën politike dhe institucionale që ka paralizuar politikën shqiptare pas zgjedhjeve të qershorit. Në një Parlament që mazhoranca nuk ka dy të tretat e domosdoshme për të kaluar reformat e domosdoshme, ky bojkot i bën këto reforma të pamundura. Kjo situatë dëmton rëndë popullin shqiptar dhe ambiciet e tyre për integrimet europiane. Asambleja shpreh keqardhjen se ky bojkot ka dëmtuar relacionet e Shqipërisë me Këshillin e Europës. Pas zgjedhjeve të qershorit ende nuk është emëruar delegacioni i ri shqiptar në KE. Theksohet se mungesa e dialogut parlamentar dhe bojkoti është një pengesë për funksionimin e institucioneve demokratike të shtetit.
Këshilli i Europës thekson se në mungesë të dialogut, retorika irrituese e dy partive kryesore ka përkeqësuar situatën, duke krijuar mundësi për destabilitetin e vendit. Asambleja, edhe pse vë re se Shqipëria ka aplikuar për statusin e kandidatit në BE që në prill dhe Këshilli i BE-së e futi në rend të ditës këtë dokument, thekson se procesi i integrimit të Shqipërisë është i bllokuar. është e rëndësishme që Shqipëria të ndjekë shembullin e tre fqinjëve të saj, që u kualifikuan për liberalizimin e vizave.
KiE shpreh gatishmërinë që të ofrojë bashkë me një forum të gjerë ndërkombëtar një zgjidhje të krizës në Shqipëri dhe do të punojë në bashkëpunim të plotë me organizatat ndërkombëtare në kërkim të zgjidhjes. Ajo mbështet të gjitha përpjekjet që po ndërmerren kryesisht nga Presidenti Topi që të afrojë së bashku partitë kryesore politike. Asambleja kërkon nga qeveria dhe opozita që t’i japin fund menjëherë krizës politike në vend që të marrin përsipër përgjegjësitë dhe të ndërmarrin reformat e nevojshme. Në veçanti i kërkon qeverisë të mos e shtyjë më ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit. Sakaq, kërkohet zbatimi i rekomandimeve të vëzhguesve të zgjedhjeve të 28 qershorit në bashkëpunim të plotë me Komisionin e Venecias.
Ndërkohë, ftohen partitë politike në Shqipëri dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile që të ngrenë një grup të përbashkët për të zbuluar rastet e presionit që është ushtruar gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit.
#