E Diel, 1 Nëntor 2026

Të huajt blejnë truall në rrethinat e Tiranës, ekspertët: Kërkesat për të ndërtuar shtëpi

Shqipëria është kthyer në një atraksion jo vetëm turistik, por edhe si një vend i ri për të jetuar. Agjesitë imobaliare flasin për një kërkesë në rritje nga  mjaft të huaj, për të blerë truall, kryesisht në rrethinat e Tiranës. Shumë prej shtetasve të huaj janë familjarë, por të shumtë janë edhe ata që janë të punësuar dhe kërkojnë shtëpi me qira.

“Kemi pasur më tepër shtetas të huaj, familjarë, nga Turqia. Një pjesë e madhe e të punësuarve, janë nga Pakistani, nga Filipinet ose nga India. Shumica e klientëve, domethënë të huaj, kërkojnë më tepër të blejnë truall toke dhe të ndërtojnë vetë banesat e tyre, por edhe këto i kërkojnë në zona më periferike, sepse duan zona të qeta në Vorë, në pjesën e Dajtit, edhe në Baldushk” tha Megi Hatija, agjente imobilare.

Arsyet pse vendi ynë është kaq atraktiv, avokati Alban Duraj i lidh me disa faktorë.

“Është e vërtetë që ka pasur një dyndje për shkak të atraksionit që sjell Shqipëria. Faktor tjetër është siguria. Është edhe për shkak të taksave, por edhe dividendëve. Diçka tjetër që ne ofrojmë dhe që na bën atraktivë është se pensionistëve nuk u mbahet ndalesa. Pra, ndryshe nga sa mund t’u mbahet në vendet e tjera, lidhur me tatimin që ata kanë mbi pensionet. Ndaj ne shikojmë shumë të huaj, sidomos shtetas italianë, të cilët preferojnë të pensionohen në Shqipëri” tha Duraj.

Për Durajn kushti kryesor sipas legjislacionit shqiptar është  që destimi i kësaj prone të jetë banimi, ndryshe të huajt duhet ti nënshtrohen të tjerave procedura ligjore.

“Pra, duhet të marrë një leje ndërtimi, duhet të paraqesë një projekt, sepse mundësi të tjera ne i kemi të ndaluara. Pra, nuk mundet që ai të blejë një truall dhe aty ta ketë për investim, gjë që e ka ndaluar legjislacioni ynë. Është e lejueshme blerja e banesave për shtetasit e huaj”, tha ai.

Pavarësisht motiveve, një gjë është e sigurt se për të huajt, Shqipëria nuk është vetëm një kartolinë e bukur por një vend i prekshëm për të ndërtuar të ardhmen.

Gazetare: Elda Hasanbelli    

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›