Të humburit, mes tyre edhe shqiptarja Lejla Selaci
Oslo - Në ngjarjen tragjike në ishullin Oteja, afër kryeqytetit të Norvegjisë, nuk dihet ende për fatin e disa të rinjve të cilët të premten ishin në ishull. Në mesin e të pagjeturve është edhe e reja 17-vjeçare Lejla Selaci, nga babai kosovar dhe nëna norvegjeze. Lejla Selaci ishte në delegacionin Auf. Raportet e Policisë norvegjeze flasin se katër deri pesë të rinj janë ende duke u kërkuar, por nuk ka asnjë informacion për ta. Dihet vetëm fakti se në momentin e ngjarjes tragjike ata ndodheshin në ishullin Oteja. Kryqi i Kuq norvegjez njofton se kërkimet do të vazhdojnë, por se mundësitë për të gjetur të mbijetuar tani janë minimale. Sipërfaqja në ishull është kontrolluar e tëra, kështu që kërkimet janë përqendruar në ujëra rreth ishullit. Miqtë e 17-vjeçares së humbur kanë krijuar një faqe të veçantë në Facebook, ku japin mesazhet më të fuqishme dhe shprehin dëshirën e tyre që Lejla të jetë gjallë.