E Diel, 1 Nëntor 2026

Brejvik pranon krimin: i tmerrshëm, por i nevojshëm

Avokati i norvegjezit të dyshuar për bombën dhe vrasjet e së premtes thotë se klienti i tij i vlerëson veprimet e tij si të tmerrshme, por të nevojshme. Avokati mbrojtës Geir Lippestad tha dje se Anders Behring Brejvik ka shprehur dëshirën t’i sqarojë veprimet e tij në gjykatë. Avokati tha se klienti i tij e ka pranuar përgjegjësinë për sulmet që shkaktuan vdekjen e 92 vetave. Por nuk dha hollësi të tjera. Policia thotë se i dyshuari kryesor i sulmit është norvegjezi 32-vjeçar Anders Bering Brejvik. Ata thonë se Brejvik ka postuar komente të ekstremit të djathtë dhe anti-muslimane në internet. Por në një konferencë për shtyp dje, kryeministri Jens Stoltenberg tha se është shpejt për të arritur përfundime mbi motivin e sulmit. "Në krahasim me vendet e tjera, unë nuk mund të them se kemi problem me ekstremistët e krahut të djathtë në Norvegji. Por kemi disa grupe, të cilët i kemi ndjekur edhe më parë, dhe policia jonë ka dijeni për grupe të tilla Norvegji." Dy sulme të dhunshme ndodhën të premten në Norvegji: një bombë shpërtheu pranë Kryeministrisë, në Oslon qendrore. Brenda pak orësh, të paktën një person i armatosur hapi zjarr në një kamp të rinjsh pranë ishullit Oteja. Të rinj mes moshave 14 deri në 18 vjeç ishin mbledhur në një kamp veror të organizuar nga Partia Laburiste e Kryeministrit. Ata ikën me vrap nga paniku kur personi i armatosur, i veshur si polic, hapi zjarr. Videot tregojnë trupat që lundronin në ujë rreth ishullit. Agjencia kombëtare norvegjeze e lajmeve NTB tha dje se dëshmitarët në ishull i kanë thënë policisë se dy persona ishin të përfshirë. Ata thanë se personi i arrestuar ishte maskuar si polic, i veshur me xhup me emblemën e policisë në të, por i dyti jo.

Njoftimet e lajmeve në Norvegji thanë gjithashtu se bomba në Oslo ishte bërë me pleh kimik dhe një furnizues e lidhi kompaninë nën pronësinë e Brejvikut me blerjen e kimikateve. Kryeministri Stoltenberg thotë se vendi është i bashkuar në këtë tragjedi. "Norvegjia është vend i vogël, por jemi krenarë, dhe jemi të afërt me njëri- tjetrin sidomos në ngjarje të tilla. Mendoj se të gjithë norvegjezët ndihen shumë pranë viktimave të dhunës në Oslo dhe të rinjve në kampin e ishullit Oteja."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›