E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të komunikosh për të jetuar

Nga Doriana Metollari

Komunikimi është baza mbi të cilin ndërtohet prespektiva e secilit për një jetë jashtë mureve ku jetojnë shqiptarët. Europianizimi (le të themi një pjesë e tij më mirë), nuk kushtëzohet mbi fasada por shihet nga mënyra sesi jetojnë në të përditshme njerëzit.
Demokracia, i ka rrokur prej 20 vitesh qytetarët, por nuk u ka dhënë ende guximin që jep liria e ndërgjegjes, për të ndërtuar mbi atë çfarë lë tjetri dhe jo mbi rrënojat e tij. Të shkatërrosh punën e tij nuk është forcë është dobësi.
Shqiptarëve ende nuk u janë zbutur instinktet e mbytura për arsye që vetëm një diktaturë i justifikon. Nga mbyllja totale në shpërthim të pakontrolluar, pa njohje, pa qytetari, inate dhe urrejtje pa fund ndaj asaj që duhet të ishte zgjidhur vite më pare, e që sot ka bllokuar energjitë.
Forca për të jetuar, orientohet drejt mbijetesës për bukën e gojës dhe pak kush del në rrugë për t’i dalë për zot, padrejtësive që i është bërë bashkëqytetarit. Izolim që çon në dobësi morale dhe kjo e fundit në shfrytëzime pa asnjë logjikë normale.
Kjo overdozë padrejtësish po çon në daljen e situatës nga duart, veprime ekstreme, devijime, në vend të një bashkimi për arsye të përbashkëta.
Qytetarët kërkojnë që liderët t’i drejtojnë në garanci ligjore, por më shumë se kjo, duhet të kultivojnë vetëdijen për të drejtat që i përkasin secilit.
E folura është një mjet, por komunikimi është fazë më e lartë qytetarie, jo vetëdjegie veprime që vetëm rrisin pesimizmin në popull. Këtë komunikim liderët duhet t’ua japin, pa shfrytëzuar dobësitë e më të vegjëlve, por për të ndërtuar, mbi të gjitha pa shkatërruar atë që mendon ndryshe, sepse integriteti i lirisë shkon përtej dhe vetë atyre.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›