E Diel, 1 Nëntor 2026

Benedikti XVI kryeson Lutjet në Kapelën Sikstine me rastin e 500-vjetorit të përurimit të kupolës së Mikelanxhelos

01-11-2012 / Gazeta 55


Dje, në orën 18.00, Benedikti XVI kryesoi, në Kapelën Sikstine, kremtimin e Mbrëmësoreve, me rastin e 500-vjetorit të përurimit, nga Papa Juli II, të qemerit, pikturuar nga Mikelanxhelo. Ishte data 31 tetor e vitit 1512. Sot, 31 tetor 2012.Pesëqind vjet, që na kujtojnë veprën mahnitëse të artistit i cili, në më pak se katër vjet, ndërmjet 1508-tës e 1512-tës, kreu këtë kryevepër të papërsëritshme, afreskoi një sipërfaqe prej më se një mijë metrash katrore.
Sot, pesë milionë vizitues në vit, njëzet mijë në ditë, në periudhat më të përshtatshme, vizitojnë Kapelën Sikstine.
Pak ditë më parë, duke ndjekur shfaqjen e filmit “Art e fe. Udha e Bukurisë”, në Sallën e Palit VI, në Vatikan, me rastin e kremtimeve të Vitit të Fesë e të 500-vjetorit të përfundimit të Kapelës Sikstine, Benedikti XVI, i pranishëm, theksoi:
“Mund të thuhet se pasuria artistike e Qytetit të Vatikanit përbën një lloj shembëlltyre të madhe, përmes së cilës vetë Papa u flet burrave e grave nga të katër anët e botës, prej këndej, me kultura e fe të ndryshme, njerëz që ndoshta nuk ia lexojnë kurrë fjalimet, nuk ia dëgjojnë kurrë homelitë”.
E shtoi: “... Udha e bukurisë është e aftë t’i udhëheqë mendjet e zemrat kah i Amshuari e t’i ngrejë deri në lartësitë e Zotit”.
Papa kujtoi edhe impenjimin e Gjon Palit II për ruajtjen dhe vlerësimin e pasurisë artistike, duke e parë edhe si ndihmesë jo të paktë për risimin e dialogut të Kishës.
Kapela Sikstine, shkruan sot në Osservatore Romano profesor Antonio Paolucci, drejtor i Muzeve të Vatikanit, e cila i tërheq me një forcë të pakundërshtueshme njerëzit, mbetet objekt i dëshiruar, nga i cili populli i muzeve e shtegtarë, të ardhur nga të katër anët e botës, nuk mund të heqin dorë. Nga dita, pikërisht pesëqind vjet më parë, kur Mikelanxhelo përuroi qemerin e afreskuar, historia e artit në Itali e në Evropë ndryshoi rrënjësisht. Asgjë nuk ishte si më parë.
E pikërisht Papa i kërkoi profesor Paolucci-t të mos i kufizojë në asnjë mënyrë hyrjet në Sikstinë. Ndonëse, siç mendon me të drejtë Drejtori i Muzeve të Vatikanit, mund edhe ta dëmtojnë kryeveprën e papërsëritshme, që në kushte moderne mbrohet nga pluhurat e ndotjet e tjera me mjetet më të përparuara të teknikës, që ndërrojnë ajrin, rregullojnë temperaturën dhe lagështirën, krijojnë kushtet që kryevepra, ardhur deri në shekullin tonë, të jetojë edhe në shekujt që do të vijnë, dhuratë për breznitë e ardhshme, me urimin të pasohet nga kryevepra të tjera.
Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme: “Feja lind e jeton në Kishë, nuk është çështje private”/Feja e vërtetë nuk ekziston, në se nuk jetohet në gjirin e Kishës! Benedikti XVI e ripohoi këtë dje paradite, gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme, kryesuar në në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e 20 mijë besimtarëve, në një kohë të ngarkuar me re e me shi. Papa e quajti kontradiktë, prirjen e përhapur sot për ta syrgjynosur fenë në sferën private. Feja është popull, është dritë. Feja nuk duhet fshehur në skutat e shoqërisë a të shpirtit. Në të mërkurën e tretë të audiencës së përgjithshme, kushtuar Vitit të Fesë, në Sheshin e Shën Pjetrit përplot me njerëz, pavarësisht nga retë e shiu, Benedikti XVI foli për një tjetër nga ato, që të mërkurën e kaluar i pati quajtur “të vërteta fillestare”. Edhe këtë herë reflektimi i Atit të Shenjtë nisi me një pyetje themelore: “Feja ime është individuale? Mund ta jetoj vetëm?”: “Natyrisht çështja e fesë është çështje jashtëzakonisht personale, që ndjehet në thellësinë e shpirtit e shënon ndërrimin e drejtimit, kthesën vetjake; vetë jeta ime merr një kthesë. Por besojma ime nuk është prodhim i mendimit tim, është fryt i një marrëdhënieje, i një dialogu, në të cilin dikush dëgjon e merr e dikush përgjigjet; është të komunikuarit me Jezusin, që na bën të dalim nga ‘uni’ i mbyllur në vetvete e na e hap zemrën për dashurinë e Hyjit Atë”.
Atëherë feja, vijoi Papa, nuk është dialog privat me Jezusin: është dhuratë, që vjen nga Zoti, prandaj, nënvizoi, e marrim përmes Kishës. Që në zanafillë, ripohoi Ati i Shenjtë, Kisha është vendi i fesë, vendi i transmetimit të fesë. Prej këndej, Kisha nuk është entitet ‘sociologjik’, por bashkësi, me rrënjë në Hyjin, në Jezusin, në Shpirtin Shenjt:
“Feja jonë është vërtet personale, vetëm në se është komunitare: mund të jetë feja ime, vetëm në se ‘unë’ jetoj e lëvizi në atë, që e quajmë “ne”, në Kishë, vetëm në se është feja jonë, feja e përbashkët e një Kishe të vetme. Kisha është Nënë e të gjithë besimtarëve. Askush nuk mund të thotë se ka një Zot për Atë, në se nuk e ka Kishën për Nënë. Prej këndej, feja lind në Kishë, të çon në Kishë, jeton në Kishë. Kjo ka shumë rëndësi të kujtohet”.
Si i sqaroi këto parime themelore për fenë, Benedikti XVI përshkroi shkurtimisht mënyrën si e predikoi dhe e kumtoi Kisha këtë fe gjatë dymijë vjetëve. Posaçërisht theksoi vlerën e “Traditës”, që na garanton se ai që besojmë, është mesazhi i ardhur drejtpërdrejt nga Krishti e i predikuar nga Apostujt: “Nëse Shkrimi Shenjt përmban Fjalën e Zotit, Tradita e Kishës e ruan dhe e transmeton besnikërisht, që njerëzit e çdo epoke të mund të shuajnë etjen në burimet e saj të pafundme e të pasurohen me thesaret e saj të hirit”.
Pastaj, porosia e fundit e themelore e Benediktit XVI: “Feja personale rritet e fiton pjekuri në bashkësinë kishtare. Prej këndej, ungjillëzimi i ri, në qendër të vëmendjes gjatë gjithë Sinodit të sapopërfunduar, nuk është tjetër, veçse shprehje publike e kësaj feje, e shoqëruar me hirin e Zotit”. Prandaj Papa përfundoi me fjalët: “Prirja, sot e përhapur, për ta mbyllur fenë në sferën private, i kundërvihet vetë natyrës së saj. Kemi nevojë për Kishën, për të vërtetuar fenë tonë e për të jetuar së bashku përvojën e dhuratave të Hyjit: Fjalën e tij, Sakramentet, mbështetjen e hirit e dëshmimin e dashurisë. Në një botë, ku duket se individualizmi rregullon marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, duke i bërë gjithnjë më të brishta, feja na thërret të jemi popull i Hyjit, të jemi Kishë, mbartës të dashurisë e të bashkimit të Zotit për mbarë gjininë njerëzore”.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›