E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të krenohemi apo të turpërohemi

Kur më është dashur të shkruaj shpesherë në këtë rubrikën time modeste, në faqet e fundit të “Gazetës Shqiptare”, me nota pesimiste për nivelin e vlerave që një shoqëri si e jona mishëron, jam nisur nga gjendja e përgjithshme ku ne ndodhemi, duke pasur si referim atë që çdo njeri në jetën e tij synon: të jetojë sa më mirë, ndershëm dhe i lirë. Në ditë jo të qeta politike, kur shumë njerëz mendojnë se u bënë zgjedhje të mira më 28 qershor e të tjerë mendojnë tamam të kundërtën e janë ngujuar në një grevë urije për këtë, po përplaset një tjetër botë: ajo e elitës së artistëve, intelektualëve, profesorëve të universiteteve, mjekëve, arkitektëve. Edhe mes tyre një përplasje e ashpër, ku gjaknxehtësia prodhon denigrimin e kundërshtatrit më shumë se bindjen e me argumenta të atyre që mendojnë ndryshe. E di ti kush jam unë? E di ti çfarë kam bërë unë? E nga ana tjetër vjen pa u menduar një sekondë një: Hiç! Asgjë!
Po si u katandisëm kështu ne shqiptarët e pasdiktaturës e të viteve dymijë? A ka të drejtë, në këtë shoqërinë tonë, një pjesë të mburret e një pjesë tjetër të denigrohet? A ka një peshore të dukshme të punës së një intelektuali, të një politikani, të një artisti, të një mjeku, të një arkitekti? Si ka mundësi që një njeri për një palë është “më i miri” e për të tjerë “më i keqi”. Sot vlerat janë përzierë aq shumë me antivlerat, sa njerëzit nuk po bëjnë dot më dallim dhe as frenohen. Në këtë negativitet që është mbërthyer fizikisht dhe psikologjikisht në zemër të Tiranës, mendoj, që disa reflektime kemi të drejtë t’i bëjmë: Nëse Shqipëria, si shtëpia e madhe e gjithë shqiptarëve, është ndërtuar mirë e bukur, atëherë shumë nga ne kanë të drejtë të krenohen, besoj. Nëse në Shqipërinë tonë ndëshkohet i keqi dhe i miri fiton, jemi në rregull. Nëse në Shqipërinë tonë jetohet mirë, bukur e njerëzit janë mesatarisht të lumtur, shumë kanë të drejtë të krenohen me këtë. Nëse në Shqipëri të brishtët – fëmijë, gra, të moshuar e të ndryshëm, - respektohen e mbrohen, atëherë, vërtetë shumë, kanë të drejtë të krenohen për këtë. Por nëse këto ne nuk i kemi, shumë duhet të turpërohen, të ulin kokën e të punojmë, se kemi shumë akoma për të bërë. Deri tani na rezulton të jemi të fundit të integruar në rajon dhe kjo është puna e rezultati i dukshëm i të gjithëve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›