Të majtët në PE: Një mediator për Shqipërinë
Parlamenti Europian pritet të diskutojë shumë shpejt për caktimin e një ndërmjetësi të Bashkimit Europian për Shqipërinë, me qëllim rivendosjen e qetësisë dhe debatit normal politik. Marietje Schaake (D66, Hollandë), zëdhënëse e Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve për Europën, duke folur mbi marrëdhëniet me Shqipërinë tha se do të bëjë një kërkesë të tillë në Parlamentin Europian. “Si një zëdhënëse për grupin Liberal dhe Demokrat mbi Shqipërinë, unë do të paraqes një kërkesë për Parlamentin Europian, për mbajtjen e një debati serioz dhe të hollësishëm mbi përballjen e tejzgjatur politike në Shqipëri, në sesionin e ri. Përfaqësuesja e Lartë Ashton duhet të emërojë një ndërmjetësues të BE për Shqipërinë, për të rivendosur qetësinë dhe debatin normal politik për vendin, në mënyrë që aspiratat legjitime të shqiptarëve të zakonshëm të mos largohen akoma më tepër nga veprimet dhe provokimet e lidershipit politik aktual”, nënvizoi Schaake. Ajo deklaroi se është për një hetim të pavarur të gjyqësorit mbi këto ngjarje dhe mbi vdekjet e tre protestuesve. Në të njëjtën linjë ishte edhe eurodeputeti socialdemokrat, Hanes Swoboda, njëkohësisht kryetar i grupit të punës për Ballkanin. “Ju e dini që të dyja forcat më të mëdha politike në Parlamentin Europian; Partia Popullore Europiane dhe ajo Socialdemokrate në marrëveshje me Komisionin Europian janë përpjekur që t'i sjellin në një konsensus të përbashkët të dy kryetarët. Kjo ka dështuar. Besoj që duhet të ketë edhe një përpjekje tjetër për t'i bashkuar, pavarësisht se në çfarë niveli”, u shpreh Swoboda. Në vlerësimin e tij, të gjitha palët dhe sidomos qeveria dhe opozita duhet të përmbahen. Sakaq, edhe Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Mevlüt Çavusoglu, deklaroi se po shqyrtohet mundësia për të nisur një mision drejt Shqipërisë, në përpjekje për të zgjidhur krizën politike. I pyetur nga mediat në Strasburg, në lidhje me zhvillimet e fundit dhe përplasjet në demonstratën e 21 janarit, ai theksoi se në tentativën e disa muajve më parë, delegacioni i asamblesë së Këshillit të Europës arriti të bindë opozitën të shkojë në Parlament, por vetëm për disa muaj. “Ne do të shkojmë në Shqipëri, do ta diskutojmë këtë dhe zoti Berisha do të vijë të enjten në Strasburg”, u shpreh Çavusoglu. Ai sqaroi se këto ditë do të diskutohet në lidhje me situatën në Shqipëri, në strukturat e larta të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Duke marrë shtysë edhe nga frutet e takimit me kryeministrin Sali Berisha të enjten në Strasburg, atëherë do të vendoset nëse do të ketë një dërgatë të KiE-së drejt Tiranës apo jo, dhe kur mund të mbërrijë ajo. “Duhet të intensifikojmë përpjekjet për Shqipërinë dhe Moldavinë, ku ka probleme politike gjithashtu”, theksoi Çavusoglu. D.M.