E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE: Mbështesim hetim gjithëpërfshirës

Komisioni Europian mbështet një hetim gjithëpërfshirës të ngjarjes së 21 janarit. Natasha Butler, zëdhënëse e Komisionerit të BE-së për Zgjerimin, Stefan Füle, bën thirrje për hetime të pavarura të ngjarjeve në Shqipëri. “BE-ja u bëri thirrje forcave politike që të qetësohen, u bëri thirrje demonstruesve të jenë të përgjegjshëm dhe të respektojnë ligjin dhe rendin. Ne mbështesim parimin e hetimeve, por ato duhen bërë në mënyrë inkluzive. Në përgjithësi ne konsiderojmë që dalja nga kriza e tanishme duhet të marrë fund menjëherë në kuadër të partive politike”, u shpreh Butler. Po kështu, vijoi ajo, ato duhet të fokusohen në axhendën e BE-së, në mënyrë që Shqipëria t`i afrohet perspektivës evropiane, duke u bazuar në interesat europiane të qytetarëve shqiptarë. Butler kujtoi edhe një herë rëndësinë e vendosjes së qetësisë, duke e konsideruar si një pikë shumë të rëndësishme. “Është shumë e rëndësishme të shmanget përsëritja e dhunës që kërkoi humbje jetësh dhe plagosje ditën e premte dhe është e rëndësishme për politikanët udhëheqës në Shqipëri, të fokusohen tek një zgjidhje, të cilën mund ta gjejnë së bashku, duke punuar me përgjegjësi së bashku, në mënyrë që të dalin nga udhëkryqi politik ku gjenden tani”, theksoi Butler. E pyetur nga mediat, nëse zhvillimi i zgjedhjeve të reja mund të ishte një zgjidhje, ajo vlerësoi se “e rëndësishme është që procesi demokratik të mos bëhet me zgjidhje politike që aktualisht janë bërë”. Sakaq, pyetjes nëse BE do të ishte e gatshme të ndihmonte për hetimin e 21 janarit, Butler ju përgjigj se kjo varet nga autoritetet shqiptare, të cilat duhet të sigurojnë zhvillimin e hetimeve transparente dhe të ndershme. “Në sytë tona hetimet duhet të jenë krejtësisht inkluzive. E rëndësishme është që të respektohet kuadri ligjor, të respektohet ligji dhe rendi, që hetimet të bëhen tërësisht të pavarura dhe transparente dhe që autoritetet duhet të bashkëpunojnë tërësisht për këtë”, këmbënguli Butler. BE shpreson dhe pret që qeveria shqiptare të bashkëpunojë për të realizuar një hetim tërësor dhe transparent për ngjarjet e së premtes, që çuan në një numër të vdekurish dhe të plagosurish. Zëdhënësja e komisionerit Fyle deklaroi se i takon liderëve politikë shqiptarë që të zgjidhin vetë problemet e tyre aktuale. Dialogu politik duhet të jetë i qetë e gjithpërfshirës, të marrë fund kriza aktuale si dhe të respektohet sundimi i ligjit. D.M.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›